Një shtetas shqiptar, emigrant në Angli, i ka shpëtuar deportimit sepse e dashura e tij britanike nuk flet shqip dhe nuk do të përshtatej dot me jetën në Shqipëri.

Armando Iberhasaj ishte dënuar me katër muaj burg për kultivimin e rreth 200 bimëve kanabis. Sipas ligjit, ai duhej të deportohej automatikisht drejt Shqipërisë. Por, Iberhasaj i tha gjykatës në Derbyshire se deportimi nga Anglia do të përbënte shkelje të së drejtës së tij për të krijuar familje me partneren e tij.

Sipas Iberhasajt, e drejta për jetën familjare tejkalon rrezikun kriminal që ai paraqet për shoqërinë, veçanërisht për faktin se ai ka qëndruar më pak se një vit në burg, afat që autoritetet e përdorin për të deportuar automatikisht shkelësit e ligjit.

Sipas mediave britanike, Iberhasaj hyri në Angli në mënyrë të paligjshme në vitin 2019. Pak muaj më vonë, ai u arrestua nga policia në një shtëpi bari në Bolsover, në qarkun Derbyshire.

Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë për Emigracionin, Sarah Pinder, tha në gjykatë se “kultivimi i drogës është i dëmshëm për shoqërinë”, por nga ana tjetër argumentoi se deportimi do të ishte “tepër i ashpër” për partneren e tij, e cila nuk flet shqip dhe nuk ka qenë kurrë në Shqipëri.

“Jam dakord se zhvendosja e partneres në Shqipëri do të sillte pasoja të ashpra dhe të pajustifikueshme për të, për faktin se ajo nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, nuk e ka vizituar kurrë dhe nuk ka jetuar atje,” u shpreh gjyqtarja.

Partnerja e Iberhasajt paraqiti prova në gjykatë se është e pavarur financiarisht, e punësuar dhe e angazhuar në kujdesin ndaj nënës dhe motrës së saj, e cila është diagnostikuar me kancer.

Nga ana tjetër, prokuroria argumentoi se, pavarësisht vështirësive, partnerja e Iberhasajt mund të përshtatej me jetën në Shqipëri edhe pa e ditur gjuhën, njësoj siç bëri vetë Iberhasaj në Angli. Ata theksuan se marrëdhënia kishte nisur në një kohë kur ai nuk kishte asnjë të drejtë ligjore qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar dhe ishte i vetëdijshëm se rrezikonte deportimin.

Për më tepër, prokurorët nënvizuan se drogërat e paligjshme kanë ndikim shumë negativ në shoqëri dhe se furnizuesit dhe shpërndarësit e drogës po shkatërrojnë jetën e qytetarëve britanikë.

Vendimi për të lejuar qëndrimin e Iberhasajt në Mbretërinë e Bashkuar vjen vetëm pak ditë pasi Sekretarja e Shtetit, Shabana Mahmood, propozoi kufizime në përdorimin e dispozitave për të drejtat familjare të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke argumentuar se kriminelët dhe emigrantët e paligjshëm nuk duhet të përfitojnë prej tyre.

Kjo nuk është hera e parë që emigrantët shqiptarë gjejnë artifica ligjore për t’i shpëtuar deportimit nga Anglia

Pak kohë më parë një tjetër emigrant, Klevis Disha, u lejua të qëndrojë në Britaninë e madhe duke përdorur justifikimin se djali i tij hante vetëm mish pule anglez.