Ukraina ka ide të reja dhe të mira për të arritur një paqe të vërtetë. Këtë e bëri të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në raportimin e bisedimeve të tij sot me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
“Ishte vërtet një bisedë e bukur: shumë detaje, ka ide të mira, i diskutuam. Ka disa ide të reja nga ana jonë se si të afrohemi me paqen e vërtetë dhe kjo lidhet me format, takimet dhe natyrisht, kohën,” saktësoi ai.
Ndërkohë, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 48 dronë ukrainas mbi rajonet ruse gjatë pesë orëve. Këtë e bëri të ditur Ministria Ruse e Mbrojtjes, shkruan agjencia Tass.
Ndërsa, Ukraina ka goditur disa objekte kyçe të energjisë dhe ushtrisë ruse duke përdorur raketa britanike dhe dronë me rreze të gjatë veprimi,. Lajmi u bë I ditur nga autoritetet ushtarake dhe të sigurisë në Kiev. Sulmet kishin në shënjestër rafineri nafte, depo karburanti, një uzinë përpunimi gazi dhe një bazë ajrore në territorin rus.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, forcat ajrore përdorën raketa “Storm Shadow” për të goditur rafinerinë e naftës në Novoshakhtinsk, në rajonin rus të Rostovit.
Autoritetet ukrainase thanë se rafineria ishte një nga furnizuesit kryesorë të produkteve të naftës në jug të Rusisë dhe siguronte naftë dhe karburant aviacioni për trupat ruse në Ukrainë.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) bëri të ditur se dronët ukrainas goditën gjithashtu depo të produkteve të naftës në portin rus të Temryukut, në rajonin e Krasnodarit, ku autoritetet lokale ruse konfirmuan se dy cisterna u përfshinë nga flakët pas sulmit. Sipas shtabit operativ të Krasnodarit, zjarri përfshiu një sipërfaqe prej rreth 2,000 metrash katrorë.
Një tjetër objektiv i goditur ishte uzina e përpunimit të gazit në Orenburg, në jugperëndim të Rusisë. Sipas SBU-së, kjo uzinë është më e madhja e këtij lloji në botë dhe ndodhet rreth 1,400 kilometra larg kufirit me Ukrainën, duke shënuar një rritje të ndjeshme të rrezes së veprimit të sulmeve ukrainase.
Rusia është gati të angazhohet për të hartuar një pakt të ndërsjellë mossulmimi me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Kjo u sigurua nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova, sipas kanaleve të mediave sociale të ministrisë.
"Gatishmëria për të formalizuar ligjërisht mungesën e planeve agresive ndaj NATO-s dhe BE-së në baza reciproke është një vazhdim logjik i qasjes parimore të Rusisë", tha Zakharova. "Rusia është gati t'i formalizojë këto angazhime me shkrim."
Deklarata vjen pasi Presidenti Vladimir Putin u informua në orët e fundit për progresin e bërë në negociatat në Miami nga kryenegociatori i Kremlinit, Kirill Dmitriev.
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, njoftoi sot se ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
"Ne po punojmë vërtet 24/7 për t'u afruar me fundin e kësaj lufte brutale ruse kundër Ukrainës dhe për të siguruar që të gjitha dokumentet dhe masat të jenë realiste, efektive dhe të besueshme. Diskutuam disa detaje thelbësore të punës në vazhdim. Ka ide të mira që mund të çojnë në një rezultat të përbashkët dhe paqe të qëndrueshme. Siguria e vërtetë, rimëkëmbja e vërtetë dhe paqja e vërtetë janë ato që na duhen të gjithëve: Ukraina, Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe çdo partner që na ndihmon.
Shpresoj që marrëveshjet e sotme të Krishtlindjeve dhe idetë që diskutuam do të jenë të dobishme. Gjatë bisedës, më shoqëruan Rustem Umerov, Andrii Hnatov, Andrii Sybiha, Sergiy Kyslytsya, Ihor Brusylo dhe Oleksandr Bevz. I gjithë ekipi ynë diplomatik po bën çmos. Ramë dakord që Rustem do të flasë përsëri sot me Steve dhe Jared. Besojmë se kjo është qasja e duhur: të mos humbasim asnjë ditë të vetme ose një mundësi të vetme që mund të na afrojë me rezultatin. Le të bëhet biseda e sotme një hap tjetër drejt paqes', tha ai.
Komente









