Presidenti i SHBA, Donald Trump ka paralajmëruar se mund t'i japë Kievit raketat Tomahawk. Presidenti amerikan nuk dha detaje për këtë çështje, por shtoi se do të donte t'u bënte disa pyetje ukrainasve se si kanë ndërmend t'i përdorin këto raketa dhe se nuk dëshiron një përshkallëzim me Moskën.

"Kam marrë një vendim.", tha ai shkurtimisht.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kremlinit, i cili thotë se po pret sqarime nga Shtetet e Bashkuara mbi furnizimin e mundshëm të raketave Tomahawk në Ukrainë, duke deklaruar se armë të tilla teorikisht mund të mbajnë koka bërthamore. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëriti se Moska do ta konsideronte furnizimin e Kievit me raketa Tomahawk një përshkallëzim serioz. 

Një ditë më parë Rusia akuzoi Evropën dhe NATO-n se po bëheshin gati për përballje ushtarake. Një koment i tillë erdhi mes akuzave për ndëhyrje me dronë dhe avionë luftarakë në disa vende evropiane. Këtë deklaratë e bëri zëvendësministri i jashtëm rus Alexander Grushko teksa po fliste për një përshkallëzim të mundshëm. 

"Rreziqet [e përshkallëzimit] janë shumë të larta. Ne shohim se Evropa është në rrugën e përshkallëzimit. Kjo reflektohet në ndihmën në rritje që vendet perëndimore po i ofrojnë Ukrainës, duke dërguar armë gjithnjë e më vdekjeprurëse. Kjo reflektohet edhe në situatën ushtarako-politike në krahun lindor të NATO-s, ku numri i ushtrimeve po rritet. Këto ushtrime po bëhen gjithnjë e më agresive, me skenarë të operacioneve ofensive të zbarkimit dhe rritjes së zbulimit ajror. ", u shpreh ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:28
Trump: Lufta në Ukrainë është më e vështirë për t’u zgjidhur sesa ajo në Gaza

1759242635_presidentidonaldtrump.png

Presidenti i SHBA Donald Trump ka deklaruar se lufta në Ukrainë është më e vështirë për të shkuar drejt një marrëveshje paqeje, sesa ajo në Gaza.

"Mendova se do të ishte më e lehtë, por në fakt është më e vështirë se Lindja e Mesme", tha Donald Trump për luftën në Ukrainë, duke përsëritur se është "shumë i zhgënjyer nga Putini".

Ora 18:19
Zelensky akuza ndaj Rusisë: Po përdor cisternat e naftës për spiunazh dhe sabotime

1759395820_zelenskyfolametrump.JPG

Foto: Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se po përdor cisternat e naftës jo vetëm për financimin e luftës, por edhe për mbledhje informacioni dhe operacione sabotimi.

Në një reagim në rrjetin Telegram, Zelensky thotë se këto të dhëna i ka marrë gjatë një informimi nga kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës.

“Aktualisht, rusët po përdorin cisternat e naftës jo vetëm për të fituar para për luftën, por edhe për mbledhje informacionesh dhe akte sabotimi. Kjo mund të ndalet”, shkruan Zelensky.

Ai shton se Ukraina po bashkëpunon me aleatët për të adresuar këtë çështje dhe për të parandaluar përdorimin e këtyre mjeteve për qëllime të fshehta ushtarake dhe destabilizuese.

Ora 16:36
Moska: BE dhe NATO po vënë në rrezik centralin bërthamor të Zaporizhias

Foto: Maria Zakharova

Bashkimi Evropian dhe NATO po rrezikojnë termocentralin bërthamor të Zaporizhzhisë. Akuza u ngrit nga Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.

"Kujtojmë se si rezultat i bombardimeve nga forcat ukrainase më 23 shtator, linja e tensionit të lartë ZNPP-Dniprovska u dëmtua, gjë që çoi në ndërprerjen e furnizimit me energji të jashtme. Duke mbuluar veprime të tilla të pamatura nga Kievi, vendet e BE-së dhe NATO-s jo vetëm që po e inkurajojnë Ukrainën të nisë sulme të reja kundër objekteve bërthamore paqësore, por po bëhen edhe bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të tyre", theksoi Zakharova .

Zakharova më pas hodhi poshtë kritikat e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Kaja Kallas.

“Këto fjalë tingëllojnë veçanërisht cinike që vijnë nga një përfaqësuese e Bashkimit Evropian, një shoqatë që vazhdon t'i ofrojë Kievit mbështetje politike, financiare dhe ushtarake, pa të cilën këto provokime nuk do të ishin të mundura", tha ajo.

Ora 10:22
Orban: Hungaria nuk është e detyruar të votojë pro për anëtarësimin e Kievit në BE

1759583994_viktororban.JPG

Kryeministri hungarez, Viktor Orban thotë se Hungaria nuk ka asnjë detyrim moral që të mbështesë pranimin e Ukrainës në BE. 

"Me gjithë respektin e duhur, Hungaria nuk ka asnjë detyrim moral për të mbështetur pranimin e Ukrainës në BE. Asnjë vend nuk ka përdorur kurrë shantazh për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe kjo nuk do të ndodhë as këtë herë. Traktati për Bashkimin Evropian nuk lë vend për paqartësi: pranimi vendoset nga shtetet anëtare, unanimisht", deklaroi kryeministri hungarez. 

Më pas adreson akuza ndaj Zelenskyt: 

"Me sa duket, Presidenti Zelensky dëshiron të vendosë se çfarë është më e mira për hungarezët. Ai po përdor përsëri taktikën e tij të zakonshme të shantazhit moral për të ushtruar presion mbi vendet që të mbështesin përpjekjet e tij të luftës. Populli hungarez e ka marrë vendimin e tij. Ata e hodhën poshtë me shumicë dërrmuese pranimin e Ukrainës në BE në një referendum. Nëse duan ta ndryshojnë këtë, fushata mediatike që ai po zhvillon kundër Hungarisë ndoshta nuk është mënyra më e mirë për të fituar miq", përfundoi ai.