Rusia-SHBA-së: Autokolonat që transportojnë armë në Ukrainë, shënjestra sulmi! Kievi: Ushtria ruse ka vrarë 7 civilë, mes tyre një fëmijë! Macron: Putin s'do të ndalet

17 ditë luftë në Ukrainë që pas sulmit nga Rusia, e ndërsa armëpushimi mes vende nuk është arritur ende. Teksa luftimet po vazhdojnë në periferi të kryeqytetit ukrainas, të tjera shpërthime janë dëgjuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Kiev, ndërsa trupat e Moskës po i afrohen gjithnjë e më shumë kryeqytetit të Ukrainës. Ndërkohë sipas Ukrainës, 1582 civilë kanë vdekur në 12 ditë luftime.

Në një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, presidenti Emanuel Macron dhe kancelari Olaf Scholz i kanë kërkuar armëpushim të menjëhershëm. Telefonata 90 minutëshe, u realizua pas një bisede që dy liderët europianë kishin pasur më herët me presidentin ukrainas Zelenski. Por Macron paralajmëron se "Rusia nuk dëshiron të ndalojë luftën".  Ndërkohë negociatat ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase, të cilat deri më tani janë zhvilluar në territorin bjellorus në tre raunde, “vazhdojnë në format video”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, u rikujton pushtuesve se kanë mbi 12 mijë ushtarë rus të vdekur dhe u bën thirrje të largohen. E ndërsa nga ana tjeter, presidenti Putin ka humbur deri tani 11 komandantë ushtarakë gjatë pushtimit të tij në Ukrainë. Presidenti rus priste një fitore të shpejtë kur urdhëroi pushtimin dy javë më parë, por forcat e tij janë bllokuar dhe tani godasin edhe civilët.

Presidenti amerikan, Joe Biden, pati një telefonatë 49-minutëshe me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shpjeguar sanksionet e reja të vendosura nga Uashingtoni kundër Rusisë. Të dy udhëheqësit ranë dakord për hapa të mëtejshëm në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës dhe për rritjen e sanksioneve kundër Rusisë. E teksa SHBA ka paralajmëruar se do të vendosë të tjera sanksione ndaj Rusisë, Moska ka bërë me dije se edhe ata do të vendosin një sërë sanksionesh ndaj vendeve perëndimore së shpejti dhe se e kanë gati listën e shteteve.

Në përditësim...
 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:53
Kryebashkiaku i Varshavës: Polonia nuk mund të strehojë më refugjatë ukrainas, janë mbushur kapacitetet

Kapaciteti polak për të mirëpritur refugjatët nga Ukraina është mbushur. Kështu deklaroi kryetari i Bashkisë së Varshavës, Rafal Trzaskowski. Polonia, tha kryebashkiaku, "nuk mund të strehojë më" njerëzit që ikin dhe për këtë arsye është e nevojshme të krijohet një sistem ndërkombëtar për zhvendosjet e refugjatëve. Sipas të dhënave nga agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar që nga fillimi i pushtimit rus. Prej tyre, 1.5 milionë kanë gjetur strehim në Poloni, nga të cilat 300 mijë në Varshavë, duke bërë që popullsia e qytetit të rritet me 15 për qind në harkun e dy javëve.

Ora 22:46
Zelensky konfirmon: Vazhdojnë bisedimet me kryeministrin izraelit për negociatat me Moskën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në një postim në Twitter se ai foli me kryeministrin izraelit Naftali Bennett. Të dy diskutuan për mundësinë e negociatave të paqes me Moskën. Zelensky kërkoi ndihmë për lirimin e kryebashkiakut të Melitopolit, të rrëmbyer nga rusët.

Ora 22:40
Kievi konfirmon: Po negociojmë me rusët përmes video-konferencës

Pas Kremlinit, edhe qeveria e Kievit konfirmon se kontaktet ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase po vazhdojnë përmes videokonferencës.

"Negociatat me delegacionin rus po vazhdojnë me video," shkroi në Twitter këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak, duke pranuar "vështirësinë me të cilën vazhdojnë këto kontakte”.

Ora 22:14
Harris: Pushtimi i Ukrainës, kërcënim për demokracinë kudo në Evropë

Zëvendespresidentja e SHBA-ve Kamala Harris theksoi unitetin mes SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO dhe evropianë dhe paralajmëroi se pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia përbën një kërcënim për të gjitha demokracitë.

“Pushtimi i Rusisë kërcënon jo vetëm demokracinë e Ukrainës, por kërcënon demokracinë dhe sigurinë në mbarë Evropën”, tha Harris në takimin dimëror të Komitetit Kombëtar Demokratik të shtunën në Uashington.

“Oqeani që na ndan nuk do të na lërë të paprekur nga ky agresion”, tha ajo.

Ora 21:44
Moska: Kievi refuzon ofertën për korridoret humanitare

'Kievi vazhdon të refuzojë ofertën për korridoret humanitare që propozon Moska': Kështu thuhet nga Ministria ruse e Mbrojtjes, duke specifikuar se sot autoriteteve të Kievit, Chernihiv, i janë propozuar 10 korridore për civilët. Sumy, Kharkiv dhe Mariupol. Këto propozime parashikojnë ardhjen e civilëve në Rusi dhe Ukrainën perëndimore. Fatkeqësisht, situata humanitare në Ukrainë vazhdon të përkeqësohet me shpejtësi dhe në disa qytete tashmë ka arritur përmasa katastrofike. Kështu tha ministria ruse e mbrojtjes, sipas raporteve të agjencisë Ria Novosti.

Ora 21:34
Kiev: Ushtria ruse ka vrarë 7 civilë, mes tyre një fëmijë

Autoritetet ukrainase akuzojnë rusët për vrasjen e 7 civilëve, mes tyre një fëmijë, të cilët po evakuoheshin pranë kryeqytetit ukrainas. Sipas inteligjencës së Kievit trupat e Moskës pranë Kharkivit, kanë marrë urdhra nga komanda e tyre për të qëlluar edhe civilë dhe fëmijë. Kjo është raportuar nga Kiev Independent.

Ora 20:01
Moska pranon: Situata humanitare në Ukrainë është dramatike dhe po përkeqësohet me shpejtësi

Ministria e Mbrojtjes e Moskës pranon situatën dramatike në disa qytete të Ukrainës: "Situata po përkeqësohet me shpejtësi, por Kievi ende refuzon korridoret humanitare në Rusi".

Ora 19:51
Kuleba: Ka pak vend për diplomaci në 'kokën' e Putinit, kërkesat e tyre janë të papranueshme

Ministri i Jashtëm ukrainas Kuleba, duke folur në një forum në Uashington, konfirmoi bisedimet e hapura me Rusinë, por u ndal për zgjidhjen: "Kërkesat që ata bëjnë janë të papranueshme. Ka pak vend për diplomaci në mendjen e Putinit".

Ora 19:34
Moska dëshiron të krijojë një Republikë Popullore në Kherson

Rusia po përgatit një referendum në qytetin port Kherson, në Ukrainën jugore, me qëllim krijimin e një "Republike Popullore" si ato të krijuara në 2014 dhe 2015 në provincat e Donetsk dhe Luhansk. Kjo është bërë e ditur nga disa media që citojnë autoritetet lokale. Rusët "po thërrasin deputetët e këshillit rajonal të Khersonit duke i pyetur nëse janë të gatshëm të bashkëpunojnë", tha Serhiy Khlan, një deputet i qeverisë rajonale të Khersonit dhe ish-deputetë të parlamentit ukrainas në Facebook.

Ora 19:21
Kremlini zyrtar: Negociatat me Ukrainën vazhdojnë me videokonferencë

Negociatat ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase, të cilat deri më tani janë zhvilluar në territorin bjellorus në tre raunde, “vazhdojnë në format video”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se delegacioni rus ende do të udhëhiqet nga këshilltari presidencial, Vladimir Medinsky.

Ora 18:57
Zelenski: Rreth 1,300 trupa ukrainase janë vrarë dhe 500 rusë janë dorëzuar

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të shtunën se rreth 1,300 trupa ukrainase janë vrarë gjatë 17 ditëve të pushtimit rus.

Burimet perëndimore kanë thënë të premten se afër 6,000 trupoa ruse janë vrarë që prej nisjes së luftës në Ukrainë.

Në një konferencë për media nga Kievi, Zelensky pretendoi se afër 500-600 trupa ruse janë dorëzuar ndaj forcave ukrainase të premten.

Ora 18:56
Ministria e Brendshme italiane: 34.851 refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Itali

34,851 refugjatë ukrainas janë pritur në Itali që nga fillimi i konfliktit deri më sot: 17,685 gra, 3,040 burra dhe 14,126 të mitur. Për ta bërë të ditur është Ministria e Brendshme.

Ora 18:43
Xhamia e Mariupolit mohon bombardimet: Nuk jemi goditur

Kryetari i Shoqatës që menaxhon xhaminë e Sulejmanit në Mariupol, Ismail Haciogl, tha se qyteti po bombardohet, duke mohuar se xhamia është goditur siç u tha në mëngjes nga qeveria ukrainase.

“Rusët po bombardojnë zonën...e cila është 2 kilometra larg xhamisë dhe një bombë ka rënë në një distancë prej 700 metrash nga xhamia”, ka shkruar ai në Instagram.

Tridhjetë civilë turq janë brenda ndërtesës, "përfshirë fëmijë", shtoi ai, pa specifikuar numrin.

Ora 18:28
Zelensky propozon bisedime me Putin në Jerusalem

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se shpresonte që të kishte zhvillime pozitive me ndërhyrjen e kryeministrit izraelit Naftali Bennet në bisedimet me Rusinë. Zelensky madje i sugjeroi Bennetit se bisedimet me Rusinë mund të zhvillohen në Jerusalem. Kështu raporton Jerusalem Post, duke shtuar se në këtë rast, Izraeli mund të garantojë sigurinë për Ukrainën. Qysh më 7 mars, ambasadori i Kievit në Izrael, Yevgen Kornichuk, tha se qeveria e tij e konsideronte Jeruzalemin si një vend të mundshëm për negociata.

Ora 18:17
Zelensky: Kryetari i Melitopolit është gjallë, po e torturojnë

Kryebashkiaku i Melitopol është "gjallë, por po e torturojnë" për të deklaruar mbështetjen e tij për Rusinë. Kështu ka deklaruar presidenti ukrainas. Volodymyr Zelensky. Sot në Melitopol, një nga qytetet e pushtuara nga rusët, qindra njerëz dolën në rrugë për të protestuar dhe kërkuar lirimin e kryebashkiakut. Autoritetet ukrainase pretendojnë se Ivan Fedorov u rrëmbye nga ushtarët rusë.

Ora 17:36
Macron: Putin nuk është i gatshëm t’i japë fund luftës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kanë zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me luftën në Ukrainë.

Sipas Presidencës franceze, Macron dhe Scholz kanë kërkuar që t’i japë fund luftës. Por, një zyrtar i Presidencës franceze, i citur nga Reuters, ka thënë se Putin nuk dukej i gatshëm që t’i jepte fund luftës.

Macron po ashtu ka kërkuar që Rusia të heqë dorë nga rrethimi i qytetit ukrainas të Mariupolit, ku banorët tash e sa ditë janë pa ujë dhe pa energji elektrike. Nga Presidenca franceze kanë thënë se biseda ka qenë e vështirë, ku liderët e Francës dhe Gjermanisë kanë bërë thirrje për armëpushim.

Ora 14:20
Zelensky: Ushtria ruse ka pësuar humbjet më të mëdha në dekadat e fundit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se ushtria ukrainase i ka shkaktuar humbjen më të madhe ushtrisë ruse.

"Ushtria ruse ka pësuar humbjet më të mëdha në dekadat e fundit, 31 grupe taktike batalioni nuk janë më në gjendje të luftojnë", tha Zelensky në një video për mediat.

Ora 14:11
Rusi kërcënon SHBA: Autokolonat e transportimit të armëve në Ukrainë, objektiv sulmi

 “Ne i kemi paralajmëruar se operacioni i tyre për furnizimin me armë të Ukrainës nuk është vetëm një vendim i rrezikshëm, por edhe një lëvizje që i bën kolonat e transportimit të armëve objektiva legjitime”.

Kjo u deklarua, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara, nga zëvendësministri i Jashtëm rus Sergey Ryabkov, duke këmbëngulur mbi "pasojat" e "transferimit të pamatur" të armatimeve në Kiev në atë që është dita e 17-të e luftës pas pushtimit rus të Ukrainës.

Ora 14:08
Lufta në Ukrainë, Papa Francesku: Në emër të Zotit, ndaloni

"Kurrë luftë! Mendoni mbi të gjitha për fëmijët, të cilëve u është hequr shpresa për një jetë të denjë: fëmijë të vdekur, të plagosur, jetimë; fëmijë që mbetjet e luftës i kanë si lodra... Në emër të Zotit, ndaloni!". Kështu ka shkruar Papa Françesku në një postim në Twitter ku lutet për Ukrainën. Mesazhi është përhapur jo vetëm në nëntë gjuhët zyrtare, por edhe në rusisht dhe në gjuhën ukrainase.

Ora 14:07
SHBA: Do dërgojmë sisteme raketore S-300 dhe armë të tjera në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara po punojnë me aleatët për t'i siguruar Ukrainës sisteme më të sofistikuara të mbrojtjes ajrore, të tilla si sistemet e raketave tokë-ajër S-300 dhe armë të tjera për t'u mbrojtur kundër pushtimit rus. Diskutimet janë duke u zhvilluar, sipas Washington Post, në funksion të misionit të shefit të Pentagonit, LLoyd Austin, i cili javën e ardhshme do të takojë aleatët e NATO-s në Bruksel dhe më pas do të udhëtojë për në Sllovaki. Vendi në kufi me Ukrainën është i gatshëm të transferojë armë atje dhe ka sistemin raketor S-300, një sistem që ukrainasit dinë ta përdorin.

Ora 14:07
Prej ditësh pa drita, rrjeti elektrik i Ukrainës do të sinkronizohet me atë të BE: S'do varet më nga Rusia apo Bjellorusia

“Rrjeti kombëtar ukrainas i transmetimit të energjisë elektrike brenda pak ditësh do të sinkronizohet me sistemin evropian dhe nuk do të lidhet më me atë rus dhe bjellorus”, kështu është shprehur Maria Tsaturian, zëdhënëse për Ukrenergo, kompania që administron rrjetin kombëtar të transmetimit të energjisë elektrike të Ukrainës.

" Procesi i integrimit filloi në 2017 , duhet të kishte përfunduar në vitin 2023, por Këshilli Evropian i Energjisë vendosi të përshpejtojë pas agresionit ushtarak rus. Izolimi elektrik i Moskës dhe Minskut do të ndihmojë për t'i dhënë më shumë stabilitet Ukrainës. Ne do të jemi të pavarur nga armiku dhe do të shohim përpara", përfundoi ajo.

Ora 12:45
17 ditë luftë, Ukrainë bën bilancin: Kemi vrarë mbi 12 mijë ushtarë rus

1645943619_lufta1.jpg

Ushtria Ukrainase bën publike raportin e humbjeve në radhët ruse  që nga fillimi i luftës.

"Janë mbi 12 mijë burra të vrarë, 362 tanke, 1205 automjete të blinduara, 135 sisteme artilerie, 62 raketahedhës të shumëfishtë, 33 sisteme të mbrojtjes kundërajrore të shkatërruara. Forcat ruse kanë humbur gjithashtu 58 avionë, 83 helikopterë, 585 automjete të blinduara, 3 njësi detare, 60 cisterna karburanti dhe 7 dronë", thuhet në raport.

Ora 12:40
Lufta në Ukrainë/ Macron dhe Scholz bisedë me Putinin

Një bisedë për situatën në Ukrainë është duke u zhvilluar mes kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentit rus Vladimir Putin. Këtë e bëjnë të ditur burime të Elysee.

Ora 11:36
Bombardimet ruse shkatërrojnë bazën ajrore afër Vasylkiv

Një bazë ajrore pranë Vasylkiv, në provincën e Kievit, u godit dhe u shkatërrua nga sulmet me raketa ruse. Këtë e deklaroi kryebashkiaku Nataliia Balasynovych, cituar nga Kyiv Independent. Sipas denoncimit të kryebashkiakut, sulmi ka goditur edhe një depo municioni.

Ora 11:04
Zv.minsitri rus: Kemi gati listën me sanksione të reja kundër perëndimit! Deklaratat e Bidenit për Luftën e Tretë Botërore? Luftë nervash

1646633768_lufta.JPG

"Rusia së shpejti do të shpallë sanksione kundër vendeve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara", kështu është shprehur Zëvendësministri i Jashtëm rus Serghei Ryabkov, duke specifikuar se lista është gati dhe do të shpallet së shpejti.

 "Deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden për Luftën e Tretë Botërore janë një përpjekje për të luajtur me nervat. Rusia do të jetë "e aftë dhe e vendosur për të rivendosur dialogun për stabilitetin strategjik me Shtetet e Bashkuara," tha ai.

Ora 10:38
Bombardohet një xhami që strehon 80 civilë në Mariupol

Një xhami në Mariupol ku strehohen 80 civilë është bombarduar. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Jashtme e Ukrainës. Nuk dihet nëse ka viktima.

Ora 09:05
Rusi: Sanksionet e perëndimit mund të shkaktojnë rënien e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës

Sanksionet perëndimore kundër Rusisë mund të çojnë në rënien e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Kështu deklaroi Dmitry Rogozin, kreu i agjencisë ruse të hapësirës Roscosmos, i cili kërkoi heqjen e masave. Rogozin tha se operacionet e anijes ruse që furnizojnë Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës do të ndërpriten nga sanksionet, duke prekur rrjedhimisht segmentin rus të stacionit, i cili shërben ndër të tjera për të korrigjuar orbitën e strukturës. Si rezultat, kjo mund të bëjë që Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, që peshon 500 tonë, të shkatërrohet.

Ora 09:01
Avancojnë forcat ruse, afrohen 25 km afër qendrës së Kievit

Pjesa më e madhe e forcave tokësore ruse janë tani rreth 25 kilometra nga qendra e Kievit. Kjo është bërë e ditur nga Ministria Britanike e Mbrojtjes, duke cituar inteligjencën, sipas së cilës pwrplasjet vazhdojnë në verilindje të kryeqytetit ukrainas. Ministria raporton se përveç Kievit, qytetet e Kharkiv, Sumy, Mariupol dhe Chernihiv mbeten të rrethuar dhe vazhdojnë të vuajnë "bombardime të rënda”.

Ora 08:11
Para dhe pas, çfarë ka mbetur nga Mariupol...FOTO sa 1000 fjalë

Mariupol është një nga qytetet më të shkatërruara nga lufta. Kjo foto tregon gjithçka si ka qenë dhe çfarë ka mbetur, ku nga një zonë me gjelbërim e gjitha është rrënuar.

Ora 07:55
Guvernatori i Luhanskut: 70% e territorit e pushtuar nga trupat ruse

Rreth 70% e rajonit të Luhanskut në Ukrainën lindore është pushtuar nga trupat ruse. Këtë e ka bërë të ditur guvernatori i rajonit, Serhiy Haidai, sipas të cilit pjesa e mbetur ende nën kontrollin e Kievit i nënshtrohet bombardimeve të vazhdueshme. Haidai shkroi në një postim në Facebook se aktualisht nuk ka korridore humanitare që të lejojnë popullsinë të largohet e sigurt nga rajoni.

Ora 06:52
Pushtimi i Ukrainës, Zelensky thirrje nënave ruse: Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë

Presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky u bëri thirrje nënave ruse duke u kërkuar atyre që të mos i dërgojnë në fushën e betejës dhe të ushtrojnë vigjilencë për vendndodhjen e tyre. Zelensky u shpreh se: "Dua t'ua them këtë edhe një herë nënave ruse, veçanërisht nënave të të rekrutuarve, mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë në një vend të huaj".

Ai u bëri thirrje atyre që të "mos i besojnë premtimeve se do të dërgohen diku për stërvitje .. ose kushte jo luftarake", dhe u kërkoi atyre "të veprojnë menjëherë" nëse ka dyshime se ata po dërgohen për të luftuar në Ukrainë.

Fjalimi vjen pasi Rusia pranoi për herë të parë të mërkurën praninë e rekrutëve në radhët e forcave të saj në Ukrainë, shumë prej të cilëve ishin të patrajnuar për betejë, dhe njoftoi se një numër prej tyre ishin zënë rob.


 

Ora 06:20
BBC: Zyrtare, arrihet marrëveshja e korridoreve humanitare për qytetin verilindor të Sumy

Është gjetur dakordësimi për më shumë korridore humanitare për qytetin verilindor të Sumy të sulmuar të shtunën në mëngjes, tha Dmitry Zhyvytsky i Administratës Ushtarake Rajonale të Sumy, në një postim në Telegram.

Sipas Zhyvytsky, përpjekjet për evakuim do të nisin duke filluar nga ora 09:00 me orën lokale (07:00 GMT) me automjete që nisen nga gjashtë destinacione rreth rajonit.

Të gjitha autokolonat janë drejtuar për në qytetin qendror të Poltava dhe pritet të mbërrijnë nga ora 13:00 deri në 14:00.
 

Ora 05:34
Lufta me Rusinë, numri i refugjatëve nga Ukraina mund të arrijë në 15 milionë banorë

Britania e Madhe dhe BE mund të kenë të nevojshme të mirëpresin 15 milionë refugjatë ukrainas, nëse Vladimir Putin vazhdon fushatën e tij të përgjakshme të pushtimit. Kombet e Bashkuara kanë frikë se numri i njerëzve të zhvendosur nga pushtimi do të jetë tre herë më i lartë se sa pritej. Kjo do të thotë se Ukraina, me një popullsi prej 44 milionësh para pushtimit, do të zbrazet praktikisht nga gratë dhe fëmijët .

Ministrja zvicerane e drejtësisë Karin Keller-Sutter foli për parashikimet e OKB-së që një milion njerëz në javë mund të largohen, pothuajse të gjithë drejt Perëndimit. Më shumë se dy milionë janë larguar tashmë , duke përfshirë gjysmën e qytetarëve të kryeqytetit Kiev.

Në skenat e tmerrshme dje, një nënë u fotografua duke ngushëlluar vajzën e saj të mbështjellë me një pallto dhe batanije ndërsa priste pasi të kalonte kufirin për në Poloni .

Një djalë i ri po mbahej në shpinën e një burri në kufi, ndërsa një grua tjetër e mbajti fëmijën e saj brenda një kampi të improvizuar për gratë dhe fëmijët e tyre në Lviv.


 

Ora 05:21
Pushtimi nga Rusia, sirenat e sulmit ajror bien në të gjithë Ukrainën

Sapo ka kaluar ora 06:00 në Kiev dhe sirenat e sulmit ajror kanë rënë në më shumë se 15 rajone dhe qytete të shumta në Ukrainë, raporton BBC Ukrainian.

Ato kanë rënë në kryeqytetin Kiev, së bashku me qytetet kryesore si Odesa në jug, Sumy në veri, Kharkiv në lindje dhe Dnipro në jug-lindje.
 

Ora 05:13
Ukraina akuza Rusisë: Bombardime në Mykolaiv, është dëmtuar spitali i kurimit të kancerit

Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar Rusinë për dëmtimin e një spitali të kancerit dhe disa ndërtesave banimi në qytetin jugor të Mykolaiv, me bombardime të artilerisë së rëndë. 

Mjeku kryesor i spitalit, Maksim Beznosenko, tha se disa qindra pacientë ishin në spital gjatë sulmit, por se askush nuk u vra. 

Sulmi dëmtoi ndërtesën dhe shpërtheu dritaret.

Forcat ruse kanë shtuar sulmet e tyre në Mykolaiv, i vendosur 470 km 292 milje (470 km) në jug të Kievit, në një përpjekje për të rrethuar qytetin. 

Të mërkurën, zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë akuzuan Rusinë për bombardimin e një materniteti në qytetin jugor të Mariupolit. Në atë sulm humbën jetën tre persona. 
 

Ora 04:32
Në pronësi të oligarkut rus Andrey Melnichenko, Italia sekuestron mega jahtin 578 milionë dollarësh

Autoritetet italiane sekuestruan mega jahtin e oligarkut rus Andrey Melnichenko të premten, sipas një deklarate nga policia financiare e Italisë.

Në deklaratë thuhej se anija, e quajtur “SY A”, vlen rreth 530 milionë euro (578 milionë dollarë) dhe ishte në vëzhgim në portin verilindor të Triestes.

Sanksionet: Melnichenko u sanksionua nga Bashkimi Evropian më 9 mars si pjesë e masave të zgjeruara ndëshkuese kundër oligarkëve rusë. Sipas BE-së, ai zotëron prodhuesin kryesor të plehrave EuroChem Group dhe kompaninë e qymyrit SUEK.

Vendimi i këshillit të BE-së , i cili autorizoi sanksione kundër Melnichenkos, vuri në dukje se ai dhe 36 udhëheqës të tjerë biznesi u takuan me presidentin rus Vladimir Putin pas pushtimit të Ukrainës, pasi filloi të diskutonte ndikimin e mundshëm ekonomik të sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së. 

Në vendimin e Këshillit të BE-së thuhet: “Fakti që ai u ftua për të marrë pjesë në këtë takim tregon se ai është anëtar i rrethit më të ngushtë të Vladimir Putinit dhe se ai po mbështet ose zbaton veprime ose politika që cenojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe sovranitetin dhe pavarësia e Ukrainës, si dhe stabilitetin dhe sigurinë në Ukrainë.

"Kjo gjithashtu tregon se ai është një nga biznesmenët kryesorë të përfshirë në sektorët ekonomikë, duke siguruar një burim të konsiderueshëm të ardhurash për qeverinë e Rusisë, e cila është përgjegjëse për aneksimin e Krimesë dhe destabilizimi i Ukrainës”.
 

Ora 04:18
Pengmarrja e kryebashkiakut të Melitopolit, Zelensky: Krim kundër demokracisë

Ndalimi si peng i kryetarit të qytetit juglindor të Ukrainës, Melitopol, është një "krim kundër demokracisë", tha të premten presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky në një video të postuar në Facebook.

Të premten herët, kryetari i bashkisë së Melitopolit, Ivan Fedorov u pa në videon e shpërndarë në mbarë mediat e rrjetet, duke u marrë peng nga njerëz të armatosur nga një ndërtesë qeveritare në qytet. Pak kohë më vonë, prokurori rajonal i Luhansk i mbështetur nga Rusia pretendoi se Fedorov kishte kryer vepra terrorizmi dhe ishte nën hetim. 

Ndalimi i Fedorov ishte "një shenjë e dobësisë së pushtuesve", tha Zelensky.

"Ata nuk gjetën asnjë mbështetje në tokën tonë, megjithëse llogarisnin në të. Për vite me radhë ata kanë gënjyer veten se njerëzit në Ukrainë gjoja prisnin që të vinte Rusia. 

"Kjo është Ukraina këtu. Këtu është Evropa. Është një botë demokratike këtu”.

"Ky është një krim kundër demokracisë," shtoi Zelensky.

Ministria e Jashtme e Ukrainës e quajti ndalimin e Fedorov një "krim lufte", duke thënë se Konventa e Gjenevës ndalon marrjen e pengjeve civile.


 

Ora 04:00
Pushtimi i Ukrainës, Zelensky: Rusia do të konsiderohet si terroristët e ISIS për veprimet e saj

“7,144 persona u evakuuan të premten nga katër qytete të Ukrainës”. Kështu ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një postim në Facebook, të raportuar nga mediat amerikane.

Zelensky thekson se "veprimet e pushtuesve rusë do të barazohen me ato të terroristëve të Shtetit Islamik të ISIS". Zelensky më pas nis një apel për nënat ruse: "Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë në një vend të huaj".
 

Ora 03:42
Bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, Bullgaria ofrohet si ndërmjetëse për negociatat


Presidenti bullgar Rumen Radev ka thënë se vendi i tij mund të presë negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë.

Mediat bullgare cituan presidentin Radev duke thënë se "Bullgaria mund të pretendojë në mënyrë legjitime se është një vend për bisedime të tilla, por kjo duhet të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian".

Radev shtoi: "Ne jemi anëtarë të BE-së dhe duhet të përpiqemi për një zgjidhje të unifikuar evropiane, një qasje të unifikuar evropiane."

Të premten, Ministri i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Evropën dhe Amerikën e Veriut James Cleverly ishte në Bullgari për të diskutuar me homologët e tij krizën në Ukrainë. Ai tha se Britania e Madhe dhe Bullgaria , si aleatë të NATO-s,  kundërshtojnë "sulmin e paprovokuar" të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ai shtoi se Bullgaria ishte "një nga vendet e para që mbylli qiellin e saj për aeroplanët rusë".
 

Ora 03:23
EMRAT/ Zgjerohet lista e oligarkëve rus, vendosen sanksione të reja nga SHBA

Lista e oligarkëve rusë ndaj të cilëve Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione po rritet. Departamenti i Shtetit njofton masa të mëtejshme ndaj anëtarëve të bordit të drejtorëve të Novikombank dhe ABR.

Menaxherët Yuri Kovalchuk, Kirill Kovaluch, Dmitri Lebedev dhe Vladimir Knyagin nga ABR Management përfundojnë në sanksionet e Shteteve të Bashkuara. 

Katër anëtarët e bordit të drejtorëve të Novikombank të prekur janë edhe presidentja Elena Georgieva, German Belous, Andrey Sapelin dhe Dmitri Vavulin.
 

Ora 03:16
Lufta në Ukrainë, si po rekrutohen mercenarët nga Rusia

Kanalet e mediave sociale dhe grupet private të mesazheve po përdoren në Rusi për të rekrutuar një brigadë të re mercenarësh për të luftuar në Ukrainë së bashku me ushtrinë, ka mësuar BBC.
BBC ka folur me një mercenar në shërbim dhe një ish-luftëtar me lidhje të ngushta me një nga organizatat kryesore mercenare ruse, të cilët kanë ndarë detaje të fushatës së rekrutimit.

Mercenari tha për BBC se të rekrutuarit e rinj po vendosen në njësi nën komandën e oficerëve nga GRU, njësia e inteligjencës ushtarake ruse e ministrisë së mbrojtjes. Ai theksoi se politika e rekrutimit ka ndryshuar dhe janë aplikuar më pak kufizime. 

"Ata po i rekrutojnë të gjithë," tha ai, i pakënaqur me atë që ai e përshkroi si profesionalizëm i ulët i luftëtarëve të rinj.

Ai tha se njësitë e reja që po rekrutohen nuk quhen më si Wagner, por emra të rinj , si The Hawks. 

Kjo duket të jetë pjesë e një tendence e kohëve të fundit për t'u larguar nga reputacioni "i njollosur" i grupit Wagner, thotë Candace Rondeaux, profesoreshë e studimeve ruse, euroaziatike dhe të Evropës Lindore në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

Wagner është përballur me akuza për shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte në operacionet në Siri dhe Libi.

Burimet mercenare që folën për BBC, thanë se rekrutët janë trajnuar në bazën Wagner në Mol'kino në Rusinë jugore, pranë një baze të ushtrisë ruse.


 

Ora 02:59
Bombardimet nga Rusia, planifikohet një tjetër përpjekje për evakuimin e Mariupolit

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se bombardimet kishin penguar evakuimet nga Mariupol, ku një maternitet u bombardua këtë javë. Por ajo tha se disa evakuime të planifikuara ishin të suksesshme, duke përfshirë 1,000 njerëz që u shoqëruan nga fshati Vorzel në rajonin e Kievit.

Vereshchuk tha se do të ketë një përpjekje të mëtejshme për të evakuuar njerëzit nga Mariupol të shtunën. Nesër do ta bëjmë sërish para gjithë botës”, tha ajo.

Ajo shtoi se një ngarkesë humanitare duhet të dërgohet në Mariupol dhe në rrugën e kthimit njerëzit do të kenë mundësinë të evakuohen. Disa përpjekje për të evakuuar civilët nga Mariupol dështuan në fillim të kësaj jave pasi nuk u zbatuan marrëveshjet për armëpushim.


 

Ora 02:47
Dëgjohen të tjera shpërthime në Kiev, trupat ruse po i afrohen kryeqytetit të Ukrainës

Ekipet e CNN në Kiev raportuan se dëgjuan shpërthime në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, me kryekorrespondentin ndërkombëtar Clarissa Ward që e përshkruante si "një breshëri të pandërprerë", duke vazhduar për disa minuta.

Nuk është e qartë nëse shpërthimet ishin sulme ruse apo ukrainase, tha ajo.

Luftimet po vazhdojnë në periferi të kryeqytetit ukrainas, me administratën e qytetit duke thënë se zonat në veri mbeten më të rrezikshmet, duke përfshirë periferitë e Bucha, Irpin dhe Hostomel, si dhe rrethin e Vyshorod më në veri të Kievit. Luftimet janë përshkallëzuar edhe në Brovary, përtej lumit Dnieper, në lindje të qytetit.

Ndërsa forcat ruse afrohen nga disa drejtime, "shqetësimi bëhet fakti se qëllimi i tyre është që të rrethohet plotësisht qyteti, të bombardohet qyteti dhe më pas në fund të përpiqet të rrëzojë qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. "tha Ward. 

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko i tha CNN se qyteti aktualisht ka vetëm rezerva ushqimore dhe furnizime mjekësore  për një deri në dy javë.

Ward i CNN shtoi se "forcat ukrainase janë kudo" në Kiev. "Ata kanë gërmuar pozicione mbrojtëse përgjatë të gjitha rrugëve kryesore që të çojnë në qytet, kanë vendosur kurthe tankesh përreth. Ky është një qytet shumë i fortifikuar tani. 
 

Ora 02:33
Instagram thotë se miliona rusë do të bllokohen së shpejti, me miliona persona të prekur

Kreu i Instagram thotë se vendimi i Rusisë për të bllokuar platformën e mediave sociale do të thotë se dhjetëra milionë rusë do të humbasin të hënën aksesin në faqe dhe aplikacion.

“Të hënën Instagram do të bllokohet në Rusi”, shkroi në Twitter Adam Mosseri.

"Ky vendim do të shkëpusë 80 milionë persona nga njëri-tjetri në Rusi dhe nga pjesa tjetër e botës, pasi 80% e njerëzve në Rusi ndjekin një llogari në Instagram jashtë vendit të tyre. Kjo është e gabuar."

Rusia e bëri këtë masë të premten pasi Meta, kompania mëmë e Instagram dhe Facebook, tha se do të pezullonte përkohësisht rregullat e saj për të lejuar kërcënime të dhunshme kundër trupave ruse.

Kreu i Çështjeve Botërore të Metës tha më herët sot se ndryshimet e kompanisë në fjalimin në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës do të zbatohen vetëm në vetë Ukrainën dhe janë të përkohshme.
 

Ora 02:29
Rusia nuk ndalet, bombardime në periferi të Kievit

Bombardime të fuqishme në periferi të Kievit, nga ku dëgjohen qartë bastisjet. 

Këtë e raporton korrespondentja e CNN, Clarissa Ward. 

Disa imazhe satelitore treguan forcat ruse që po i afroheshin kryeqytetit falë përdorimit të artilerisë së rëndë.
 

Ora 02:24
Lufta Rusi-Ukrainë, Blinken: Oligarkët nuk duhet të gëzojnë pasurinë e tyre

“Ne po sanksionojmë oligarkët që mbështesin luftën e pajustifikuar të Putinit në Ukrainë dhe synojmë pasuritë dhe mallrat e luksit që janë nxjerrë nga Federata Ruse, nuk do të mund t'i gëzojnë lehtësisht  teksa ukrainasit vuajnë”, shkruan në Twitter Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Ora 02:03
Zelensky bisedë telefonike me presidentin Biden, i bën thirrje për sanksione të reja ndaj Rusisë

Presidenti amerikan, Joe Biden, pati një telefonatë 49-minutëshe me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shpjeguar sanksionet e reja të vendosura nga Uashingtoni kundër Rusisë. 
Kjo u raportua nga CNN, duke shpjeguar se Biden donte të theksonte se si Shtetet e Bashkuara po lëvizin për të pezulluar marrëdhëniet normale tregtare me Moskën.

Zelensky shkroi në Twitter se ai kishte informuar presidentin Bideni rreth situatës në fushën e betejës, si dhe për krimet e Rusisë kundër popullsisë civile. Të dy udhëheqësit, tha Zelensky, ranë dakord për "hapa të mëtejshëm në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës dhe për rritjen e sanksioneve kundër Rusisë".


 

Ora 01:09
Gratë e Ukrainës me armë në duar paralajmërojnë Putinin: Na ke vrarë fëmijët, tani do të paguash

Gratë në Ukrainë kanë marrë armët për të luftura duke i bërë thirrje Vladimir Putinit: “Ti na ke vrarë fëmijët, tani do të paguash”.

Ushtarët femra janë në mesin e trupave të vijës së parë që luftojnë ndaj forcave ruse në lindje të vendit.

Mijëra të tjera po trajnohen për për të mësuar përdorimin e armëve AK-47. Të tjera po merren për të bërë rrjeta kamuflazhi. Kjo është një përpjekje e jashtëzakonshme nga të gjithë dhe për të cilën gratë janë të bindura se do të kontribuojë në mposhtjen e trupave pushtuese ruse.

Zyrtarët publikuan këtë javë foto të disa prej ushtarëve femra në njësitë e vijës së parë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Njëra, e cila ka mbetur e plagosur nga beteja tha për The Sun: “Sigurisht që gratë janë absolutisht në vijën e parë të frontit në të gjithë lindjen e Ukrainës.

"Ata po luftojnë përkrah burrave gjatë gjithë kohës."


 

Ora 00:55
Lufta në Ukrainë, Zelensky: Ne kemi mijëra të burgosur rusë

“Sot arritëm të shpëtojmë 7144 njerëz nga Energodar, Bucha, Hostomel, Kosorovychi dhe kjo na shtyn të provojmë sërish nesër, do të bëjmë gjithçka për këtë”. 

Kështu thuhet në një mesazh të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u rikujton pushtuesve se kanë mbi 12 mijë të vdekur dhe u bën thirrje të largohen.

“Kemi mijëra të burgosur, numri i tyre është aq i madh sa na u desh të krijonim një qendër të re pritjeje”, thekson ai.
 

Ora 00:49
Pushtimi i Ukrainës, rusët vrasin një nga legjendat e ekipit të Shakhtar Donetsk

Klubi elitar ukrainas, Shakhtar Donetsk, ka njoftuar në faqen e saj zyrtare se ish sulmuesi i ekipit, Vladimir Rogovski. 68 vjeçari ka humbur jetën gjatë rrethimit rus të Khersonit dhe Kharkovit.

Vladimir Rogovski luajti me uniformën e Shakhtar Donetsk gjatë viteve 1975-1982, ku ka rregjistruar 25 gola në 224 ndeshje të zhvilluara. Po ashtu ai ishte dy herë nënkampion i BRSS në vitet 1975-1979, si dhe arriti të fitonte edhe Kupën e BRSS në vitin 1980.

Klubi ukrainas gjithashtu ka dërguar një mesazh ngushëllimi për miqtë dhe familjen e ish-lojtarit. 


 

Ora 00:17
FOTO/ Lufta Rusi-Ukrainë, dalin imazhet satelitore të zjarreve në veriperëndim të Kievit

Maxar Technologies, një kompani satelitore amerikane, ka shpërndarë imazhe satelitore të zjarreve që tregojnë shkatërrimet në disa zona në veriperëndim të Kievit. Më poshtë është një imazh i një zjarri në aeroportin Antonov në Hostomel, Ukrainë.

Në një tjetër imazh satelitor më poshtë, Maxar thotë se mund të shohim shtëpi që digjen në Moschun, gjithashtu në veriperëndim të Kievit. Kompania satelitore shton se në imazh mund të shihen gjithashtu dëmtime të gjera dhe kratere goditjeje në të gjithë qytetin.


 

Ora 00:09
The Sun: Putin humbet gjeneralin e tretë, 11 komandantë të vrarë deri tani në pushtimin e Ukrainës nga Rusia

Vladimir Putin ka humbur tani 11 komandantë ushtarakë bashkë me vdekjen e një gjenerali të tretë në pushtimin e tij në Ukrainë.

Ata janë në mesin e 12,500 trupave ruse që ukrainasit pretendojnë se i kanë vrarë deri tani.

Presidenti rus priste një fitore të shpejtë kur urdhëroi pushtimin dy javë më parë, por forcat e tij janë bllokuar dhe tani godasin edhe civilët.

Komandanti i fundit i lartë që ka vdekur është gjeneralmajor Andrei Kolesnikov i Ushtrisë së 29-të të Kombinuar të Armëve, ka thënë ministria e mbrojtjes e Ukrainës.

Vdekja e tij pason atë të kolonelit Andrei Zakharov, i cili u vra në një pritë ukrainase pranë Kievit.

Një tjetër gjeneral që u vra ishte Vitaly Gerasimov , i cili humbi jetën në luftime jashtë qytetit të dytë të Ukrainës, Kharkiv.


Ora 23:41
VIDEO/ Publikohen pamjet, postblloku rus pranë Kievit shkatërrohet nga droni "Bajraktar"


Ukraina nuk ndalet në luftën ndaj Rusisë. Postoblloku rus është hedhur në erë nga Kievi me ndihmën e dronit turk Bajraktar TB2.

Siç duket nga pamjet e mëposhtme nga "E vërteta Ukrainase", droni turk Bajraktar TB2 ka dhënë goditjen shkatërrimtare.

“Pak minuta më parë, një post komandë e armikut në drejtim të Kievit u shkatërrua. Forcat tona Ajrore janë duke punuar!”, ka bërë me dije komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valeriy Zaluzhny.

 

Kliko KËTU për të parë videon

Кілька хвилин тому знищено ворожий пункт управління на Київському напрямку. pic.twitter.com/1F6CKciklN

— Українська правда ✌️ (@ukrpravda_news) March 11, 2022
K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Loni: 12/03/2022 14:43

    Neveri e gjalle si me ego te semure edhe parrulla pa sens Po vriten mineral te pafajshem nga nje superhero president ukrahine! Te futen ne xhele more I gjore edhe nuk Po del me! Jo kan humbje ruset Jo kemi cfare Jo pse spo na ndihmoni u be edhe kjo lufte nje serial telenovelas! Mjere ato njerez te pafajshem ti me Putin e shoket u djegshi edhe amerikanet qe e ben gjithe kete lufte !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Sërish panik në Serie A, mbrojtësi i Torinos rrëzohet në fushë pas vështirësive në frymëmarrje! Dërgohet në spital

Sërish panik në Serie A, mbrojtësi i Torinos rrëzohet në fushë pas vështirësive në frymëmarrje! Dërgohet në spital