Rreth 500 shqiptarë që ndodheshin si vizitorë në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë ditëve të tensionit në Lindjen e Mesme janë kthyer në vend. Grupi i fundit, mbërriti pasditen e kësaj të hëne në aeroportin e Tiranës. Sipas tyre, situata në Emirate ka qenë e qetë dhe udhëtimi i sigurt, edhe pse më i gjatë për shkak të ndryshimit të itinerarit. Autoritetet bëjnë me dije se për momentin nuk ka kërkesa të tjera për largim nga shqiptarët që jetojnë atje.
***
Sot në aeroportin e Tiranës kanë mbërritur rreth 120 persona që udhëtuan me linjën Fly Dubai, ndërkohë që një avion tjetër kishte mbërritur një ditë më parë. Këta janë grupi i fundit nga 500 vizitorët shqiptarë të cilët kthehn në Shqipëri pasi u bllokuan papritur në Dubai, për shkak të valës së sulmeve që përfshiu Lindjen e Mesme pas nisjes së sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit, e kundërpërgjigjes së këtij të fundit
Udhëtimi i tyre është kryer në mënyrë të sigurt, por ka zgjatur më shumë se zakonisht, pasi për arsye sigurie është ndjekur një itinerar i ndryshëm nga ai i zakonshmi.
Mes pasagjerëve kishte familje me fëmijë, turistë që kishin qëndruar për pak ditë, por edhe shqiptarë që jetojnë prej muajsh në Dubai dhe që kishin planifikuar më herët kthimin e tyre.
Disa prej tyre tregojnë se ditët e para të tensioneve kanë krijuar shqetësim, por sipas tyre situata është stabilizuar shpejt, sicc shprehet ky shqiptar i Maqedonisë së Veriut.
“Situata atje duket më e rrezikshme nga jashtë, por kur je aty ndihesh i sigurt. Rreziku është më shumë në vende të hapura. Dy ditët e para pati panik dhe paralajmërime për t’u futur në strehime deri rreth orës 3 të natës, por më pas u mësuam me situatën dhe me avionët që kalonin sipër", tregon Artan Xhemali.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe vlerësohet se jetojnë rreth 1500 shqiptarë rezidentë. Sipas burimeve diplomatike, për momentin nuk ka kërkesa të tjera për largim.
Ata që kanë kërkuar të largohen janë transportuar përmes linjave ajrore, por edhe përmes kufijve tokësorë me Omanin dhe Arabinë Saudite.
Linjat ajrore kanë nisur të funksionojnë normalisht. Nga Dubai dhe Abu Dhabi realizohen qindra fluturime çdo ditë drejt më shumë se 200 destinacioneve, ndërsa linja Fly Dubai fluturon katër herë në javë drejt Tiranës.
“Ne kontaktuam ambasadën dhe kanë qenë shumë përkrahës gjatë gjithë procesit. Ata organizuan edhe fluturime për qytetarët. Fluturimi i parë për Shkup u nis dje për familjet dhe personat më të rrezikuar, ndërsa ne vendosëm të vinim një ditë më herët në Tiranë", tregon ai.
Mes personave që mbërritën kishte edhe shqiptarë që kishin qëndruar për periudha më të gjata në Emirate dhe që thonë se jeta atje vijon normalisht.
“Kam qenë rreth dy muaj atje. Nuk kam ndjerë frikë. Kishte vetëm paralajmërime që të mos dilnim jashtë dhe të qëndronim larg dritareve, por gjithçka ka qenë në rregull", thotë Marita Pepaj.
Autoritetet dhe mediat lokale raportojnë se situata në Emirate mbetet e menaxhueshme. Në shumë sektorë puna zhvillohet nga shtëpia, shkollat janë të mbyllura, ndërsa qendrat tregtare dhe shërbimet vijojnë të funksionojnë normalisht.
Ndërkohë, qytetarët shqiptarë që jetojnë atje vijojnë aktivitetin e tyre të përditshëm, ndërsa autoritetet lokale theksojnë se niveli i sigurisë mbetet nën kontroll.









