Bombardimet masive të Izraelit në Liban po kërcënojnë marrëveshjen e paqes të arritur mes SHBA-së dhe Iranit, me ndërmjetësimin e Pakistanit, për një armëpushim 2-javor. Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në Liban, sipas burimeve nga Departamenti i Mbrojtjes Civile të vendit, ka shkuar në të paktën 254 persona, ndërsa 1,165 janë plagosur.
Teherani ka kërkuar ndërprerjen urgjente të sulmeve izraelite në Bejrut, me qëllim që paqja të mbizotërojë në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Mediat e huaja raportojnë se Irani ka bllokuar kalimin e anijeve cisternë të naftës në Ngushticën e Hormuzit, derisa Izraeli të ndalë sulmet në Liban (sulme të cilat izraeli pretendon se synojnë objektivat e Hezbollahut, por që në fakt po godasin rëndë edhe civilët). Paralajmërimi i Gardës Revolucionare ishte i fortë: 'anijet që kalojnë Hormuzin pa leje, do të shkatërrohen'.
Por Izraeli pretendon se armëpushimi i nënshkruar mes Iranit dhe SHBA-së nuk përfshin Libanin. Të njëjtën gjë pretendoi edhe Shtëpia e Bardhë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu vendosmërinë për t'i vijuar sulmet kundër Hezbollahut në Liban, sulme të cilat po marrin mijëra jetë civilësh. Për vrasjen e civilëve të pafajshëm ka reaguar edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila i ka bërë thirrje Izraelit për ndaljen e sulmeve.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë informoi se zëvendës-Presidenti JD Vance është caktuar si udhëheqës i ekipit negociator që do të zhvillojë bisedimet e paqes me Iranin në Pakistan (një vend ky që ka pasur rol kyç në arritjen e armëpushimit 2 javor). JD Vance deklaroi pas këtij vendimi se SHBA dëshiron që Irani të mos ketë armë bërthamore dhe që Ngushtica e Hormuzit të rihapet.
Armëpushimi i së martës u arrit vetëm 90 minuta përpara se të skadonte ultimatumi i Presidentit Donald Trump për sulme masive ndaj Iranit. Trump njoftoi marrjen e një propozimi me 10 pika nga Irani që e cilësoi bazë të mirë për negociata, ndërsa tha se dy javët në vijim do të shërbejnë që një marrëveshje finale të përmbyllet, me mosmarrëveshjet e së kaluarës që siç tha, janë sheshuar.
Irani në deklaratën e tij zyrtare më herët gjatë ditës së sotme, që mban emrin e Ministrit të Jashtëm Abass Aragchi, deklaroi se duke marrë parasysh planin me 15 pika të SHBA dhe atë me 10 pika të Iranit si bazë për negociata, Irani do të ndërpresë 'operacionet mbrojtëse' duke saktësuar edhe sesi do të hapet kalimi për anijet tregtare në ngushticën e Hormuzit.
Lajm në përditësim…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka vendosur se ekipi negociator që do të zhvillojë bisedimet e paqes me Iranin, do të drejtohet nga zëvendës-Presidenti JD Vance.
Bisedimet do të zhvillohen në Pakistan, një vend ky që ka luajtur një rol kryesor në arritjen e armëpushimit 2-javor mes SHBA-ve dhe Iranit.
Lajmin e bëri të ditur sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, të mërkurën, duke shtuar se raundi i parë i bisedimeve do të zhvillohet të shtunën.
I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, ishin gjithashtu pjesë e ekipit, tha Leavitt për gazetarët.
Leavitt theksoi gjithashtu se Vance ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe kyç për çështjen e Iranit që nga fillimi.
Ajo shtoi më tej se janë zhvilluar bisedime midis niveleve të larta të qeverisë amerikane dhe Kinës, për çështjen e luftës në Iran.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu falënderoi Presidentin e SHBA-së Donald Trump, duke thënë: "Miqësia dhe mbështetja juaj e thellë po ndryshojnë fytyrën e Lindjes së Mesme".
Në një video-deklaratë të lëshuar për mediat, Netanyahu pretendoi se Izraeli dhe SHBA-të e kanë "kthyer mbrapsht mbretërimin e terrorit me vite".
Sipas kryeministrit, Izraeli dhe SHBA-të nisën së bashku fushatën ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt "për të hequr një kërcënim ekzistencial për Shtetin e Izraelit dhe të gjithë botën e lirë".
Nëse nuk do ta kishin bërë këtë, argumentoi Netanyahu, "Irani do të kishte zotëruar prej kohësh armë bërthamore dhe mijëra raketa për të shkatërruar Izraelin dhe për të kërcënuar ekzistencën e të gjithëve ne. Ne e kemi hequr këtë kërcënim të dyfishtë ekzistencial".

“Plani fillestar me 10 pika” i paraqitur nga Irani “u hodh në kosh nga presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij”, pasi u konsiderua plotësisht “jo serioz dhe i papranueshëm”, edhe pse “shumë prej jush në këtë sallë kanë raportuar në mënyrë të rreme” se ai ishte cilësuar “i pranueshëm” nga Uashingtoni. Kështu, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u rikthye të sulmonte mediat amerikane për “artikujt e shumtë të pasaktë mbi negociatat” që çuan në marrëveshje.
Zëdhënësja shtoi më tej se, me avancimin e shkatërrimit në Iran, “regjimi e kuptoi realitetin” dhe paraqiti “një plan më të arsyeshëm dhe krejtësisht të ndryshëm” për Trump dhe ekipin e tij, të cilët “vlerësuan se ky plan i modifikuar” mund të shërbente si “bazë pune” për negociatat.
“Është absurde ideja që Trump të ketë pranuar një listë dëshirash të Iranit”, përfundoi ajo, duke paralajmëruar mediat të mos publikojnë lajme të rreme, duke theksuar se “ajo që iranianët thonë në publik është ndryshe nga ajo që na thonë në privat”.

Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në Liban vazhdon të rritet. Sipas burimeve nga Departamenti i Mbrojtjes Civile të vendit, të paktën 254 persona janë vrarë dhe 1,165 janë plagosur.
Numri më i lartë i viktimave u regjistrua në Bejrut, me 92 të vdekur dhe 742 të plagosur, sipas Al Jazeera, me 61 të vdekur dhe 200 të plagosur të tjerë në periferitë jugore të qytetit.

Në më pak se 24 orë nga arritja e një armëpushimi me Amerikën, Irani ka lëshuar sërish një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj çdo anijeje që tenton të kalojë në Ngushticën e Hormuzit pa autorizim.
Sipas mediave dhe burimeve detare, Marina iraniane ka paralajmëruar se çdo mjet lundrues që hyn në zonë pa leje do të merret në shënjestër dhe do të shkatërrohet.
Mesazhi, i transmetuar përmes kanaleve ndërkombëtare të emergjencës detare, u është dërguar anijeve në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit, duke bërë të qartë se kalimi në Hormuz mbetet i ndaluar pa miratimin e Gardës Revolucionare.
Kompania e ndërmjetësimit detar SSY konfirmon se ekuipazhet kanë dëgjuar këtë paralajmërim drejtpërdrejt në radio, çka tregon se kërcënimi është real dhe në fuqi.
Pasojat e sulmit izraelit në Al-Mazraa në Beirut.
Bilanci i viktimave në Liban është rritur ndjeshëm. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, 112 persona kanë humbur jetën dhe 837 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite të së mërkurës.
Sulmet kanë goditur zona të banuara në zemër të Beirut, periferitë jugore, si dhe pjesë të jugut dhe lindjes së vendit.
Nga ana tjetër, Izraeli pretendon se ka shënjestruar “qindra” anëtarë të Hezbollahut gjatë këtyre operacioneve.
Ajo që është e qartë sipas mediave të huaja është se marrëveshja mes Amerikës dhe Iran nuk ndikon në operacionet ushtarake izraelite në Liban, pavarësisht deklaratave të mëparshme nga Pakistani si ndërmjetës.

Foto:Mojtaba Khamenei
Udhëheqësi Suprem Ajatollah Mojtaba Khamenei ishte ai që udhëzoi negociatorët e tij të arrinin marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara. Kështu bën të ditur Axios duke theksuar se përfshirja e tij ishte "e fshehtë dhe e mundimshme".
I përballur me rrezikun e vrasjes nga Izraeli, Khamenei komunikoi kryesisht nëpërmjet lajmëtarëve që shkëmbenin mesazhe me tekst.
Sipas burimeve të Axios, drita jeshile e Khameneit përfaqësonte një "pikë kthese".
Edhe pse Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe Kina luajtën një rol të rëndësishëm në negociata, të gjitha vendimet e mëdha të marra të hënën dhe të martën "kaluan nëpërmjet Khameneit.
“Pa dritën e tij jeshile, nuk do të kishte pasur një marrëveshje", thanë të njëjtat burime për Axios.

Foto: Donald Trump dhe Rexhep Tajip Erdogan
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me Donald Trump.
Gjatë telefonatës, të dy udhëheqësit diskutuan zhvillimet e vazhdueshme në rajon, veçanërisht armëpushimin e shpallur mbrëmë në lidhje me Iranin.
"Nuk duhet t'i jepet asnjë mundësi për të sabotuar procesin e paqes. Mbështetja e Turqisë për përpjekjet e zgjidhjes, të kryera së bashku me vendet mike dhe vëllazërore, veçanërisht Pakistanin, do të vazhdojë të rritet ", citohet të ketë thënë Erdogan.

Irani ka bllokuar kalimin e anijeve cisternë të naftës nëpër Ngushticën e Hormuzit, për shkak të sulmeve izraelite në Liban, raporton agjencia e lajmeve Fars.
Kjo lëvizje vjen pas arritjes së marrëveshjes së armëpushimit 2-javor ditën e djeshme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, ku parashikohej edhe hapja e Ngushticës së Hormuzit.

Marrëveshja e armëpushimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nuk e përfshin Libanin, i tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gazetarit të Axios, Barak Ravid.
Kjo deklaratë vjen pasi Izraeli ndërmorri ditën e sotme sulme masive ndaj Libanit, me pretendimin se po godiste objektiva të Hezbollahut.
![]()
Foto: Shehbaz Sharif
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif deklaroi se "të gjitha palët duhet të ushtrojnë përmbajtje dhe të respektojnë armëpushimin dyjavor" midis SHBA-së dhe Iranit.
"Shkelje të armëpushimit janë raportuar në disa pjesë të zonës së konfliktit, të cilat dëmtojnë frymën e procesit të paqes", tha Sharif.

Irani po vlerëson mundësinë për të rifilluar sulmet kundër Izraelit, si përgjigje ndaj atyre që i konsideron “shkelje të armëpushimit të përkohshëm në Liban”. Kështu shkruan agjencia iraniane e lajmeve Fars, duke cituar një zyrtar iranian. Lajmi raportohet edhe nga Al Jazeera.

Ministri libanez i Shëndetësisë, Rakan Nassereddine, deklaroi se sulmet izraelite kanë shkaktuar qindra të vdekur dhe të plagosur në të gjithë Libanin, sipas agjencisë së lajmeve NNA.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Libanez, George Kettaneh, i tha transmetuesit libanez MTV: "Situata është tragjike, me shumë viktima të bllokuara nën rrënoja dhe ndërtesa të tëra të shembura në disa zona".
Spitalet e Bejrutit kanë nisur një apel urgjent për dhurime gjaku të të gjitha grupeve të gjakut.

Ambasadori dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Ali Bahreini, tha se Izraeli duhet të respektojë armëpushimin në Liban dhe se çdo sulm i mëtejshëm do ta ndërlikonte situatën dhe do të kishte pasoja.
Ndërkohë edhe Rusia kërkon që përshkallëzimi i dhunës në Liban të mos injorohet.
“Përshkallëzimi shkatërrues i dhunës në Liban nuk duhet nënvlerësuar kur diskutohet kriza që ka zhytur Lindjen e Mesme. Përkundrazi, zhvillimet në Liban janë rezultat i agresionit të paprovokuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli", tha Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.

Sulmet ajrore në shkallë të gjerë të Izraelit kundër Hezbollahut në të gjithë Libanin bënë që 50 avionë luftarakë të hidhnin afërsisht 160 bomba në 100 objektiva në vetëm 10 minuta.
Kështu deklaroi ushtria izraelite, sipas Times of Israel. Vala e sulmeve është quajtur "Errësira e Përjetshme" brenda vendit.
Po ashtu, IDF tha se bombardoi afërsisht 100 qendra komande të Hezbollahut dhe infrastrukturë tjetër ushtarake në Bejrut, Luginën Beqaa dhe Libanin jugor.

Armëpushimi është vetëm fillimi, tani duhet paqe reale. Ky është mesazhi i 10 liderëve europianë dhe perëndimorë që ka përshëndetur armëpushimin mes Amerikës dhe Iranit, duke kërkuar që ky të jetë vetëm hapi i parë drejt përfundimit të luftës.
Në deklaratën e përbashkët e nënshkruar nga Emmanuel Macron, Giorgia Meloni, Friedrich Merz, Keir Starmer dhe Pedro Sánchez, Mark Carney, Mette Frederiksen, Rob Jetten, Ursula von der Leyen dhe António Costa.përshëndetet marrëveshja dyjavore dhe falënderohet Pakistanin për ndërmjetësimin, por ata e bëjnë të qartë se ky është vetëm fillimi.
“Objektivi tani duhet të jetë një fund i shpejtë dhe i qëndrueshëm i luftës”, thuhet në deklaratën e Europës dhe Kanadasë.
Liderët theksojnë se vetëm negociatat mund të sjellin zgjidhje reale, ndërsa kërkojnë përparim të menjëhershëm në bisedime, mbrojtje të civilëve dhe stabilitet në rajon.
Ata bëjnë thirrje që armëpushimi të zbatohet nga të gjitha palët, përfshirë edhe në Liban, dhe angazhohen për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Pete Hegseth pretendon se Irani e pranoi armëpushimin nën “presion dërrmues”.
Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve thotë se nëse Irani do të kishte refuzuar kushtet e Uashingtonit, atëherë “objektivat e radhës do të kishin qenë centralet e tyre elektrike, urat dhe infrastruktura e naftës dhe energjisë”.
Sipas tij, Iranit do t’i duheshin dekada për t’u rindërtuar, por udhëheqësi i regjimit e kuptoi që një marrëveshje ishte më e mirë.
“Presidenti Trump kishte fuqinë të paralizonte të gjithë ekonominë e Iranit brenda minutash, por ai zgjodhi mëshirën,” shtoi Hegseth.
Presidenti Donald Trump publikoi për herë të parë në rrjetet sociale për armëpushimin më pak se dy orë përpara se të skadonte afati i tij ndaj Iranit.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka cilësuar armëpushimin në Iran si një zhvillim pozitiv, duke theksuar se rruga e vetme drejt stabilitetit është negociata.
“Armëpushimi është një gjë shumë e mirë”, u shpreh ai gjatë mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Elysee.
Macron theksoi se vetëm përmes dialogut mund të garantohet siguria në gjithë rajonin, duke shtuar se Franca nuk ka ndryshuar qëndrim që nga dita e parë e konfliktit.
Sipas tij, prioritet mbetet mbrojtja e interesave dhe qytetarëve francezë, mbështetja e partnerëve në rajon dhe puna për uljen e tensioneve.
Ai bëri të ditur se gjatë mbledhjes janë diskutuar edhe çështje kyçe si Ngushtica e Hormuzit dhe situata në Liban.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Pete Hegseth, ka deklaruar se Irani ka qenë një kërcënim për SHBA-të për 47 vjet, por kjo “nuk është më” e vërtetë. Ai lëvdoi presidentin Donald Trump që “shkroi historinë.”
“Presidenti Trump e krijoi këtë moment, Irani kërkoi këtë armëpushim dhe ne të gjithë e dimë këtë,” tha ai.
Hegseth thotë se operacioni “Tërbimi i madh” ishte “historik dhe dërrmues”, duke shtuar se forcat amerikane “shkatërruan” ushtrinë iraniane. “Një ditë e madhe për paqen botërore”, tha ai duke përsëritur fjalët e Trump, teksa vijoi:
“Shteti kryesor në botë që sponsorizon terrorizmin u tregua plotësisht i paaftë për të mbrojtur veten, popullin e tij apo territorin e tij,” shton ai.
Hegseth thotë se SHBA-të kanë arritur objektivat ushtarake duke shkatërruar marinën dhe forcën ajrore të Iranit.

Gjermania i ka dërguar një mesazh të qartë Iranit pas armëpushimit: të mbajë fjalën dhe të hapë Ngushticën e Hormuzit.
Zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, deklaroi se Teherani duhet të lejojë lirinë e lundrimit, ashtu siç është premtuar.
Ai theksoi se Iran duhet të ndalë menjëherë kërcënimet ndaj trafikut detar ndërkombëtar dhe të përmbahet nga çdo sulm i mëtejshëm.
Sipas Berlinit, kjo përfshin edhe ndalimin e goditjeve ndaj Israelit dhe shteteve të Gjirit, në mënyrë që armëpushimi të mos mbetet vetëm në letër.

Marrëveshja për armëpushim mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara shihet si një hap kyç nga Londra zyrtare, por Britania e Madhe kërkon më shumë.
Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi se armëpushimi është “një hap themelor drejt sigurisë dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme”, ndërsa bëri thirrje të drejtpërdrejtë për ndaljen e menjëhershme të luftimeve në Liban.
Ajo falënderoi Pakistanin për rolin ndërmjetësues dhe theksoi se negociatat duhet të çojnë në fundin e plotë të konfliktit, duke garantuar që Irani të mos kërcënojë më rajonin apo lirinë e lundrimit.
Cooper kërkoi gjithashtu që Irani të ndalojë menjëherë minimin, sulmet me dronë dhe çdo përpjekje për të bllokuar trafikun në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, Londra sinjalizon se do të mbetet aktive në skenën ndërkombëtare, për të mbështetur armëpushimin dhe për të shtyrë përpara negociatat drejt stabilitetit në rajon.

Emri i saj është Daytona Beach, një anije transportuese me flamur liberian dhe po kaloi nëpër Ngushticën e Hormuzit rreth orës 10 të mëngjesit. Ajo mund të shihet duke lëvizur në hartën në kohë reale të Marine Traffic, e cila gjurmon dhe lokalizon pozicionin dhe lëvizjet e anijeve në të gjithë botën.
Efektet e para të armëpushimit dyjavor midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të shpallur mbrëmë janë tashmë të dukshme, gjë që ka shkaktuar rënien e çmimeve të naftës dhe rritjen e tregjeve evropiane të aksioneve. Por mbi një mijë anije kanë ngecur në Gjirin Persik, duke përfshirë anije cisternash nafte, anije cisternash LNG, anije që transportojnë drithëra, qymyr dhe plehra dhe anije kontejnerësh që transportojnë produkte industriale.
Cili do të jetë i pari që do të kalojë?
"Ata do të jenë të parët që do të jenë në gjendje të riaktivizojnë politikat e tyre të sigurimit. Problemi i sigurimit rrjedh nga fakti se primet për mbulimin e Rrezikut të Luftës (në kushte normale 0.01% e vlerës së anijes, 0.1% gjatë kulmit të krizës në Detin e Kuq) kishin arritur në 20% të vlerës së anijes, duke e bërë tregtinë në thelb të pasigurueshme. Tani duhet të shohim se kush do të jetë i pari që do të marrë prime të pranueshme për t'u lejuar të kalojë. Pres që të jenë kinezët dhe grekët", thotë Gian Enzo Duci, profesor i Menaxhimit të Anijeve në Universitetin e Gjenovës .
E drejta e kalimit
Kjo për shkak se Kina ishte ndër vendet e para që mori garanci për tranzit të sigurt nga Irani, si një vend mik ose neutral, jo një mik i Shteteve të Bashkuara. Në përgjithësi, cisternat e naftës të destinuara për tregjet aziatike (ato që varen më shumë nga importet nga Gjiri, si India) kanë përparësi ndaj atyre që shkojnë për në Evropë. Greqia është vendi kryesor i transportit detar për sa i përket kapacitetit të ngarkesave. Në veçanti, ajo dominon transportin e naftës dhe LNG-së. Në kulmin e konfliktit, kompania e transportit detar e pronarit grek të anijeve George Prokopiou ishte një nga të paktat që guxoi të kalonte gjatë luftës./Corriere della Sera
Iran ka ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë ndaj Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, vetëm pak orë pasi u goditën impiantet e naftës në ishullin Lavan.
Lajmi u bë i ditur nga televizioni shtetëror iranian, që e paraqet sulmin si kundërpërgjigje direkte ndaj goditjes së rafinerisë në territorin iranian.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një valë sulmesh ajrore që shënjestruan infrastrukturën strategjike në vendet e Gjirit, duke rritur frikën për një përhapje më të gjerë të konfliktit pavarësisht armëpushimit.

Armëpushimi në Iran është “i brishtë” dhe presidenti Donald Trump është “i etur për të bërë përparim”. Kështu u shpreh nënpresidenti amerikan JD Vance.
“Iranianët kanë pranuar të rihapin Hormuzin, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë pranuar të ndalojnë sulmet. Kjo është baza e armëpushimit të brishtë që kemi aktualisht”, shtoi Vance, gjatë një aktiviteti në Mathias Corvinus Collegium (MCC) në Budapest, një think tank pranë qeverisë së Viktor Orban.
“Siç më tha presidenti mbrëmë, iranianët janë negociatorë më të mirë sesa luftëtarë. E di që nuk do t’u pëlqejë ta dëgjojnë, por është e vërtetë”, vijoi ai, duke theksuar se Trump “është i paduruar për të arritur rezultate dhe na ka kërkuar të negociojmë me mirëbesim”.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka shprehur kënaqësinë për armëpushimin mes Iranit dhe SHBA-Izraelit, duke paralajmëruar për rrezikun e “sabotimeve” që mund të dëmtojnë procesin negociues.
“Shpreh kënaqësinë për pezullimin e konfliktit që kishte përfshirë rajonin tonë që prej 28 shkurtit. Tani palët duhet të zbatojnë në mënyrë rigoroze kushtet e marrëveshjes dhe të mos lejohet asnjë sabotim që të minojë procesin në zhvillim”, deklaroi lideri turk, duke falënderuar Pakistanin “nga zemra” për rolin e tij.
Erdogan rikonfirmoi gjithashtu gatishmërinë e Turqisë për të vepruar “në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon”.

“Çdo vend që furnizon Iranin me armë do të përballet menjëherë me tarifa doganore 50% për të gjitha mallrat që shet në Shtetet e Bashkuara, me efekt të menjëhershëm”, shkroi presidenti amerikan Donald Trump në një postim të ri në Truth.
Ai shtoi se “nuk do të ketë asnjë përjashtim apo lehtësim”, edhe pas marrëveshjes së shpallur për një armëpushim dyjavor mes SHBA dhe Iranit.

Kriza energjetike e shkaktuar nga konflikti me Iran pritet të zgjasë. Paralajmërimi vjen nga Komisioni Europian, që thotë se ndikimi nuk do të jetë afatshkurtër.
Zëdhënësja e KE-së, Anna-Kaisa Itkonen, deklaroi se situata lidhet drejtpërdrejt me Ngushticën e Hormuzit, ku gjatë luftës është bllokuar pjesërisht kalimi i anijeve të transoprtit.
Ajo theksoi se rreth 8.5% e gazit të lëngshëm të BE-së, 7% e naftës dhe plot 40% e karburantit për avionë dhe dizelit kalojnë pikërisht në këtë korridor strategjik.
“Çfarë mund të parashikojmë që tani është se kjo krizë nuk do të jetë afatshkurtër”, u shpreh ajo.
Sulmet izraelite në Beirut nuk ndalen. Mediat libaneze raportojnë për bombardime të reja në zonën e Dahieh, bastion i Hezbollah në jug të kryeqytetit.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një seri goditjesh ajrore që kanë shënjestruar këtë zonë strategjike, e njohur si qendër e fortë e grupit shiit të mbështetur nga Irani. Në ditët e fundit, sulme të ngjashme në të njëjtën zonë kanë shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Ndërkohë, Izraeli e ka bërë të qartë se operacionet në Liban nuk janë pjesë e armëpushimit dyjavor të arritur mes SHBA dhe Iranit. Për Tel Avivin, lufta kundër Hezbollahut vazhdon normalisht.

Donald Trump njofton një armëpushim dyjavor me Iran dhe më pas reagon menjëherë me zemërim. Presidenti i Shtetet e Bashkuara pranon marrëveshjen që ngrin konfliktin dhe rihap Ngushticën e Hormuzit; për Shtëpinë e Bardhë, siç thotë zëdhënësja Karoline Leavitt, kjo është një sukses për SHBA.
Megjithatë, CNN dhe The New York Times i kushtojnë vëmendje të madhe një deklarate të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, organi kryesor kolegjial që merret me mbrojtjen e interesave të Iranit në fushën e sigurisë kombëtare.
“Armiku, në luftën e tij të padrejtë, të paligjshme dhe kriminale kundër kombit iranian, ka pësuar një humbje të pamohueshme, historike dhe dërrmuese. Duart tona mbeten në këmbëz dhe, me gabimin më të vogël nga ana e armikut, do të përgjigjemi me gjithë forcën tonë. Urojmë popullin iranian për këtë fitore dhe theksojmë se, derisa të përcaktohen detajet përfundimtare të saj, zyrtarët dhe populli duhet të mbeten të bashkuar dhe të vendosur”, thuhet në deklaratën që e paraqet armëpushimin si një fitore të Teheranit ndaj një armiku të mundur në terren.
Për Trump, kjo është një fyerje e plotë. Presidenti amerikan nxiton të ndajë deklaratën e ministrit të Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, i cili përdor tone më të moderuara dhe njeh rolin e presidentit amerikan në dialog.
“Deklarata e supozuar e shpërndarë nga Cnn World News është një mashtrim, siç e di mirë CNN. Deklarata e rreme është lidhur me një faqe fake news (nga Nigeria) dhe, natyrisht, është marrë menjëherë nga CNN dhe është shpërndarë si një titull “legjitim”, shkruan Trump në një postim të ashpër.
“Deklarata zyrtare e Iranit sapo është publikuar në Truth”, shton ai duke theksuar deklaratën e Araghchi.
“Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse është kryer ndonjë shkelje me publikimin e deklaratës së rreme nga Cnn World, apo nëse bëhet fjalë për një individ të pandershëm. CNN ka marrë urdhër ta tërheqë menjëherë këtë deklaratë dhe të kërkojë falje për “informimin” e saj, si zakonisht, të dobët. Rezultatet e hetimit do të bëhen të ditura së shpejti”, shton Trump.

Garda Revolucionare iraniane ka deklaruar se janë gati të përgjigjen ndaj çdo sulmi të ri dhe kanë paralajmëruar partnerët rajonalë të Shteteve të Bashkuara kundër bashkëpunimit.
“E kemi gishtin në këmbëz”, thuhet në deklaratë. “Nuk kemi besim tek premtimet e armikut”, vijon komunikata, duke shtuar: “Çdo agresion do të marrë një përgjigje edhe më të fortë”.

Presidenti francez Emmanuel Macron diskutoi planet për Ngushticën e Hormuzit gjatë një takimi me këshilltarët e tij dhe anëtarët e qeverisë së tij. Komentet e tij u raportuan nga Reuters.
"Rreth 15 vende janë aktualisht të mobilizuara dhe marrin pjesë në planifikimin e udhëhequr nga Franca, për të mundësuar zbatimin e këtij misioni rreptësisht mbrojtës, në koordinim me Iranin për të lehtësuar rifillimin e trafikut", tha Macron.

Ngushtica e Hormuzit, dy anijet e para që kalojnë
Dy anije kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit, të parat që nga shpallja e një armëpushimi dyjavor midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, sipas faqes së internetit të ndjekjes së transportit detar MarineTraffic. Anija mallrash në pronësi greke NJ Earth kaloi nëpër Ngushticë në orën 10:44 të mëngjesit, dhe Daytona Beach me flamur liberian kaloi e para, në orën 8:59 të mëngjesit, pak pasi u largua nga porti i Bandar Abbas.
Pavarësisht armëpushimit, marina iraniane ka paralajmëruar anijet e ankoruara pranë Ngushticës së Hormuzit se mbetet e nevojshme të merret autorizimi nga Teherani për të kaluar ngushticën.
“Është e nevojshme të merret leje nga marina e Pasdaranëve për të kaluar ngushticën. Çdo anije që përpiqet të kalojë pa autorizim do të shkatërrohet”, thuhet në një komunikim radiofonik të shpërndarë për mjetet lundruese dhe të ndarë me Wall Street Journal nga një anëtar i ekuipazhit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se ka pranuar një armëpushim dyjavor me Iranin, me kusht rihapjen “të plotë, të menjëhershme dhe të sigurt” të Hormuzit.
Megjithatë, Teherani ka lënë të kuptohet se synon të vazhdojë të ushtrojë ndikimin e tij mbi këtë rrugë të rëndësishme detare.

Papa Leone XIV vlerëson armëpushimin dyjavor në luftën e Iranit, disa orë pasi e quajti kërcënimin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump kundër popullsisë së Iranit "të papranueshëm".
Papa, i cili është shfaqur si një kritik i hapur i luftës në javët e fundit, thotë se e mirëpret me kënaqësi njoftimin e armëpushimit dhe kërkon vazhdimin e negociatave për t'i dhënë fund plotësisht konfliktit rajonal.
“Në dritën e këtyre orëve të fundit të tensionit të madh për Lindjen e Mesme dhe për të gjithë botën, mirëpres me kënaqësi… njoftimin e një armëpushimi të menjëhershëm dyjavor”, thotë Papa Leone në audiencën e tij javore.
“Vetëm nëpërmjet një kthimi në negociata mund të arrihet fundi i luftës”, thotë ai.
Papa Leone, ka shtuar kritikat e tij ndaj luftës SHBA-Izrael kundër Iranit. Pasi Trump kërcënoi Iranin të martën se "një qytetërim i tërë do të vdesë sonte" nëse vendi nuk përmbush kërkesat e SHBA-së për një armëpushim, Leone u tha gazetarëve se kërcënimi ishte "vërtet i papranueshëm".

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë arritur “gjithçka që donim në planin ushtarak” në Iran, duke e cilësuar këtë si “një fitore totale, si nga ai këndvështrim, ashtu edhe nga çdo këndvështrim tjetër”.
Në një intervistë për median britanike Sky News, sipas raportimeve të saj, Trump u shpreh se beson që marrëveshja është “e mirë”, por paralajmëroi se nëse rezulton e kundërta, SHBA do të rikthehen në luftë.
“Nëse nuk është kështu, ne do të kthehemi menjëherë, shumë lehtë”, tha ai.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i cili është shprehur kundër luftës ndaj Iranit nga SHBA dhe Izraeli, ka mirëpritur arritjen e një armëpushimi në Lindjen e Mesme, por ka theksuar përgjegjësitë e atyre që e nisën konfliktin.
“Armëpushimet janë gjithmonë një lajm i mirë. Sidomos kur çojnë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Por lehtësimi i përkohshëm nuk duhet të na bëjë të harrojmë kaosin, shkatërrimin dhe jetët e humbura. Qeveria spanjolle nuk do t'i duartrokasë ata që i vënë flakën botës vetëm sepse shfaqen me një kovë me ujë", shkroi udhëheqësi socialist në X, duke deklaruar se "ajo që nevojitet tani" është "diplomacia, e drejta ndërkombëtare dhe paqja".

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mirëpritur armëpushimin dyjavor të dakordësuar mbrëmjen e kaluar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar si një hap drejt një de-përshkallëzimi të shumëpritur.
Në një reagim në rrjetet sociale, ajo falënderoi Pakistanin për rolin e ndërmjetësimit dhe theksoi se “tani është thelbësore që negociatat për një zgjidhje të qëndrueshme të këtij konflikti të vazhdojnë”.
“Ne do të vazhdojmë të koordinohemi me partnerët tanë për këtë qëllim”, shtoi Von der Leyen.

Forcat ushtarake izraelite kanë lëshuar një urdhër të ri evakuimi për banorët e qytetit Tyre në jug të Libanit.
“Evakuohuni menjëherë” dhe zhvendosuni në veri të lumit Zahrani “për sigurinë tuaj”, thuhet në njoftim.
Izraeli më herët tha se e mbështet armëpushimin SHBA-Iran, por ai “nuk përfshin Libanin”.

Presidenti Donald Trump thotë se nuk ka asnjë dyshim që SHBA-të kanë arritur një “fitore totale dhe të plotë” pas arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim dyjavor me Iranin.
Në një intervistë për Agence France-Presse pas njoftimit të tij, ai tha se uraniumi i pasuruar i Iranit do të “trajtohet në mënyrë të përsosur” sipas marrëveshjes.
“Ose përndryshe nuk do ta kisha pranuar,” tha Trump, pa dhënë detaje konkrete se çfarë do të ndodhë me uraniumin.
Kur u pyet nëse do t’u rikthehej kërcënimeve të tij fillestare për të shkatërruar centralet civile dhe urat e Iranit nëse marrëveshja dështon, ai u përgjigj vetëm: “Do ta shihni.”
Trump, i cili pritet të udhëtojë në Kinë muajin e ardhshëm për t’u takuar me homologun e tij kinez Xi Jinping, tha se beson që Kina ka kontribuar në sjelljen e Iranit në tryezën e negociatave për të rënë dakord për armëpushimin dyjavor.

Trump ka postuar në Truth Social duke u shprehur se është një “ditë e madhe për Paqen Botërore!”
“Irani dëshiron që kjo të ndodhë, atyre u ka ardhur në majë të hundës! Po ashtu edhe të gjithëve të tjerëve!”
Ai thekson se SHBA-të do të “ndihmojnë me bllokimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit”, duke vazhduar:
“Do të ketë shumë veprime pozitive! Do të bëhen para të mëdha. Irani mund të fillojë procesin e rindërtimit. Ne do të furnizohemi me lloje të ndryshme mallrash dhe thjesht do të ‘rrimë rrotull’ për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë. Ndihem i sigurt se do të ndodhë kështu. Ashtu siç po përjetojmë në SHBA, kjo mund të jetë Epoka e Artë e Lindjes së Mesme!”

Izraeli ka publikuar një deklaratë zyrtare mbi armëpushimin SHBA-Iran, ku thuhet:
“Izraeli ka mbështetur vendimin e presidentit Trump për të pezulluar sulmet kundër Iranit për dy javë, me kusht që Irani të hapë menjëherë ngushticat dhe të ndalojë të gjitha sulmet ndaj SHBA-ve, Izraelit dhe vendeve në rajon.
Izraeli gjithashtu mbështet përpjekjet e SHBA-ve për të siguruar që Irani të mos përbëjë më një kërcënim bërthamor, raketor dhe terrorist ndaj Amerikës, Izraelit, fqinjëve arabë të Iranit dhe botës.
Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Izraelit se janë të përkushtuara për arritjen e këtyre objektivave, të përbashkëta për SHBA-të, Izraelin dhe aleatët rajonalë të Izraelit, në negociatat e ardhshme.”
Armëpushimi dyjavor nuk përfshin Libanin, ka dekaruar Izraeli, ndonëse më herët Pakistani dhe Irani thanë se armëpushimi përfshinte edhe Libanin.

Irani ka konfirmuar armëpushimin e dyanshëm me SHBA-të duke siguruar se për dy javë, kalimi i sigurt në Ngushticën e Hormuzit do të jetë i mundur. “Kjo do të ndodhë “nëpërmjet koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit dhe duke marrë parasysh kufizimet teknike”, thotë ai.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka deklaruar se pas armëpushimit të kushtëzuar, negociatat do të zhvillohen në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, brenda një periudhe maksimale prej 15 ditësh, në mënyrë që detajet të “finalizohen”. Deklarata thotë se negociatat do të zhvillohen në mënyrë që “fitorja e Iranit në terren të konsolidohet edhe në negociatat politike.”
Ndërkohë, televizioni kombëtar iranian ka njoftuar edhe 10 pikat e planit të Iranit për armëpushimin, ku kërkohet:
- Ndërprerje e plotë e luftës në Irak, Liban dhe Jemen
- Ndërprerje e plotë dhe e përhershme e luftës kundër Iranit, pa kufi kohor
- Përfundimi i të gjitha konflikteve në rajon në tërësinë e tyre
- Rihapja e Ngushticës së Hormuzit
- Vendosja e një protokolli dhe kushteve për të garantuar lirinë dhe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit
- Pagesa e plotë e kompensimit për kostot e rindërtimit për Iranin
- Angazhim i plotë për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit
- Lirimi i fondeve iraniane dhe aseteve të ngrira të mbajtura nga Shtetet e Bashkuara
- Irani angazhohet plotësisht të mos kërkojë zotërimin e armëve bërthamore
- Armëpushimi i menjëhershëm hyn në fuqi në të gjitha frontet sapo të miratohen kushtet e mësipërme.
Komente













Mduket Po i vjen dita makinave elektrike
PërgjigjuRespekt per qendrimin e Kryeministrit spanjoll P.Sanchez.
PërgjigjuLufta e radhes e humbur nga Amerika ne lindjen e mesme qe vazhdon e i shkon mbrapa shtetit sionist ne aventura poshteruse. Teshti Irani ka kontrollin e ngushtices te Hormuzit qe me perpara as nuk e pretendonte
PërgjigjuMjafton qe te shtrojne tubat e gazit sic na kalojne edhe ne qe furnizojme italine or teeeejjjjj
I shkatërruar plotësisht udhëheqja, ushtria, Industria dhe rrjeti në rajon. I kanë ngelur vetëm kockat.