Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se lufta me Iranin do të përfundojë brenda disa javësh. Sipas Rubio, SHBA-të nuk kanë nevojë të përdorin trupa tokësore për arritjen e objektivave të tyre në Teheran.

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit ka pretenduar se ka kthyer mbrapsht tre anije cisternë mëngjesin e sotëm teksa po përpiqeshin të kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Kjo situatë vjen vetëm pak orë pasi Presidenti amerikan Donald Trump shtyu me 10 ditë ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në Iran dhe kërcënimeve që Teherani të pranojë një propozim me 15 pika të dërguar përmes Pakistanit.

"Tre anije kontejnerësh me kombësi të ndryshme u përpoqën të vazhdonin drejt korridorit të caktuar për anijet e autorizuara. Ato u kthyen prapa pas një paralajmërimi nga Marina e IRGC-së", thuhet në deklaratë.

Deklarata thotë gjithashtu se "Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur dhe se çdo tranzit përmes saj do të përballet me një përgjigje të fortë".

Ndërkohë ushtria izraelite njoftoi se ka goditur "objektin kryesor të Iranit për prodhimin e raketave dhe minave detare", teksa forcat iraniane vazhdojnë të kundërpërgjigjen me raketa dhe me dronë.

Në kampin tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e ka cilësuar konfliktin SHBA-Izrael me Iranin një "luftë të paligjshme të imponuar nga dy regjime të armatosura bërthamore".

Ai akuzon SHBA-në se ka “tradhtuar diplomacinë për herë të dytë brenda nëntë muajsh” duke goditur Iranin në fund të shkurtit, ndërsa negociatat ishin në vazhdim.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:02
Presidenti i SHBA-së ‘pagëzon’ Hormuzin me emrin e tij: Irani duhet të hapë Ngushticën e Trump

Presidenti Donald Trump tha se SHBA-të dhe Irani po “negociojnë tani” dhe se “do të ishte shumë mirë nëse do të mund të bënim diçka”.

Trump i bëri thirrje Iranit që të rihapë Ngushticën e Hormuzit.

“Ata duhet të hapin Ngushticën e Trumpit - dua të them, Hormuzin”, tha Trump.

"Lajmet e rreme do të thonë 'ai tha aksidentalisht' - jo, nuk ka aksidente me mua. Jo shumë", shtoi Trump.

Duke diskutuar për udhëheqjen e Iranit, ai shtoi se udhëheqësi suprem "nuk është më suprem" dhe Irani është "i vetmi vend ku askush nuk dëshiron të udhëheqë".

Kujtojmë se Trump më parë ka ‘riemërtuar’ Gjirin e Meksikës si Gjirin e Amerikës.

Ora 22:32
Lufta në Iran/ Rebelët Huthi të gatshëm të ndërhyjnë nëse aleatë të rinj i bashkohen Izraelit dhe SHBA-së

1774647721_cygfiios.jpg

Rebelët Huthi të mbështetur nga Irani kanë thënë se janë të gatshëm të ndërhyjnë ushtarakisht në Lindjen e Mesme, por vetëm në kushte të caktuara.

Sipas mediave të huaja, grupi me bazë në Jemen, do të ndërmarrë veprime nëse aleatë të rinj i bashkohen SHBA-së dhe Izraelit në luftën e tyre kundër Iranit, ose nëse Deti i Kuq përdoret për të nisur sulme ndaj Iranit, tha një zëdhënës ushtarak në një fjalim televiziv.

Një nga organizatat rajonale të financuara nga Irani, Huthit deri më tani kanë rezistuar ndaj hyrjes në konflikt, ndryshe nga Hezbollahu në Liban.

Kreu i këtij grupi, Abdul-Malik al Houthi tha se "gishtat e tyre janë te këmbëza".

Pse ka rëndësi kjo?

Jemeni ndodhet në bregdetin jugor të Gadishullit Arabik, pranë Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit, dy rrugë ujore kyçe thelbësore për transportin detar global.

Hyrja e mundshme e Houthëve në konflikt mund të nënkuptojë që të dy rrugët ujore të preken rëndë ose të mbyllen në një mënyrë të ngjashme me Ngushticën e Hormuzit, e cila ka shkaktuar kaos në tregjet e naftës.

Ora 21:45
Zyrtari i SHBA-së, Witkoff: Nuk mund të kemi një tjetër Kore të Veriut në Lindjen e Mesme

1774644443_ugfvyofvdf.jpg

I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff ka folur më shumë rreth përpjekjeve të Uashingtonit për të arritur një marrëveshje paqeje në luftën e Iranit.

"Mendoj se presidenti dëshiron një marrëveshje paqeje, por ai gjithashtu beson në të - dhe unë besoj në të - paqen përmes forcës", tha Witkoff.

"Pa presion, nuk e ul kurrë askënd në tavolinë", shtoi ai.

SHBA-të janë të përgatitura ta zgjidhin konfliktin me një zgjidhje diplomatike, por kjo zgjidhje duhet të përfshijë që Irani të mos ketë "pasurim uraniumi", tha Witkoff.

Ai shtoi: "Nuk mund të lejojmë një ardhje të Koresë së Veriut në Lindjen e Mesme. Është totalisht destabilizuese për atë rajon dhe për botën."

Ora 21:05
Agjencia bërthamore e OKB-së: Irani ka raportuar sulm ndaj objektit të përpunimit të uraniumit, por nuk ka pasur rritje të rrezatimit

1774642016_fyoufyuofu.jpg

Irani ka raportuar zyrtarisht një sulm ndaj një objekti përpunimi të uraniumit, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Agjencia bërthamore e OKB-së thotë se është informuar nga Irani se u sulmua sot objekti i prodhimit të ‘tortës së verdhë’ Shahid Rezayee Nejad në provincën Yazd (e njohur edhe si Ardakan).

"Nuk është raportuar asnjë rritje e niveleve të rrezatimit jashtë vendit", tha Agjencia Bërthamore e OKB-së. IAEA po shqyrton raportin e dërguar nga Irani.

Rafael Grossi, drejtori i IAEA-s, ka përsëritur thirrjen për përmbajtje ushtarake për të shmangur çdo rrezik të një aksidenti bërthamor.

Kujtojmë se ‘torta e verdhë’ është forma e ngurtë e oksidit të uraniumit të përzier, që përdoret zakonisht si lëndë e parë në termocentralet bërthamore. Pasi pasurohet shumë, mund të përdoret për armë bërthamore.

Ora 20:11
Raporti: Më shumë se 850 raketa Tomahawk të SHBA-së janë përdorur deri më tani kundër Iranit

1774638793_dtyuis.jpg

Më shumë se 850 raketa Tomahawk janë qëlluar nga SHBA-të në luftën e Iranit deri më tani, raportoi Washington Post.

Sipas raportit, i cili citon njerëz të njohur me çështjen, shkalla me të cilën ushtria po i përdor raketat ka alarmuar disa zyrtarë të Pentagonit, duke çuar në diskutime të brendshme se si të vihen në dispozicion më shumë raketa.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ushtria amerikane kishte rezerva armësh "më se të mjaftueshme" për të arritur qëllimet e saj ushtarake në Iran "dhe më gjerë".

"Megjithatë, Presidenti Trump ka qenë gjithmonë i përqendruar intensivisht në (forcimin) e forcave tona të armatosura dhe ai do të vazhdojë t'u bëjë thirrje kontraktorëve të mbrojtjes që të ndërtojnë më shpejt armë të prodhuara në Amerikë, të cilat janë më të mirat në botë", tha Leavitt.

 

Ora 18:44
Sekretari amerikan Rubio: Lufta do të mbyllet brenda pak javësh, SHBA-të mund të arrijnë objektivat pa asnjë trupë tokësore

1774633529_Rubioo.jpg

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha sot se SHBA-të mund të arrijnë objektivat e tyre në luftën e Iranit "pa asnjë trupë tokësore".

Sipas mediave të huaja, deklaratat e tij vijnë pasi më shumë se 1000 ushtarë shtesë janë urdhëruar të vendosen në rajon.

“Ne do ta shkatërrojmë marinën e tyre, do ta shkatërrojmë forcën e tyre ajrore dhe do t’i shkatërrojmë ndjeshëm lëshuesit e raketave të tyre, në mënyrë që ata të mos fshihen kurrë pas këtyre gjërave për të pasur një armë bërthamore”, tha Rubio.

“Ne po i arrijmë të gjitha këto objektiva, jemi përpara afatit për shumicën e tyre dhe mund t’i arrijmë ato pa asnjë trupë tokësore, pa asnjë”, vijoi më tej Rubio.

Sa i përket arsyes pse po dërgohen më shumë anëtarë të shërbimit në Lindjen e Mesme, ai tha se Presidenti Donald Trump "duhet të jetë i përgatitur për shumë raste të papritura", pa dhënë detaje se çfarë përfshijnë këto raste të papritura.

Rubio tha gjithashtu se lufta do të mbarojë brenda javësh, jo muajsh.

“Siç e ka theksuar vazhdimisht Departamenti i Luftës, ne jemi brenda ose përpara afatit në atë operacion dhe presim ta përfundojmë atë në kohën e duhur këtu, brenda pak javësh, jo muajsh”, tha Rubio.

Ai shtoi se “nuk ka asgjë që Rusia po bën për Iranin që pengon ose ndikon në ndonjë mënyrë në operacionin tonë ose në efektivitetin e tij”. CNN ka raportuar se Rusia po i ofron Iranit informacione në lidhje me vendndodhjet dhe lëvizjet e trupave, anijeve dhe avionëve amerikanë, sipas shumë personave të njohur me raportimet e inteligjencës amerikane mbi këtë çështje.

Ora 16:52
Grupi iranian hakeron emailin e drejtorit të FBI-së

1774626900_kashpatel.JPG

Një grup hakerësh të lidhur me Iranin ka pretenduar se ka depërtuar në emailin personal të drejtorit të FBI-së, Kash Patel, dhe ka publikuar materiale online, përfshirë foto dhe dokumente personale. Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë së SHBA konfirmoi se emaili është komprometuar dhe se materialet e publikuara duken autentike, megjithëse verifikimi i plotë i përmbajtjes nuk është bërë ende.

Grupi i hakerëve, i quajtur “Handala Hack Team”, paraqitet si një grup pro-palestinez, por ekspertët perëndimorë besojnë se është i lidhur me shërbimet e inteligjencës kibernetike iraniane. Materialet e publikuara përfshijnë komunikime personale dhe profesionale që datojnë nga vitet 2010–2019.

Ngjarja ngre shqetësime serioze për sigurinë kibernetike në nivelet më të larta të qeverisë amerikane dhe vjen në një moment  kur konflikti mund të përshkallëzohet në rast të mos arritjes së një dakordësie pë nisjen e bisedimeve SHBA-Iran. 

//Reuters

Ora 16:46
Vendet e G7-ës kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj civilëve në luftën me Iranin

1774626445_lcimg086d200b33d349b1a95296856ae9f227.jpeg

Ministrat e Jashtëm të G7 kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në luftën me Iranin.

Në deklaratën e përbashkët, ata theksojnë qartë: “Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile”.

Gjatë takimit, fokusi ishte edhe te ndikimi global i konfliktit.

“Po punojmë për iniciativa që zbusin goditjet ekonomike globale”, thuhet në deklaratë.

Ministrat rikthyen në vëmendje edhe rëndësinë e garantimit të lirisë së sigurt dhe pa tarifa të lundrimit në Ngushtica e Hormuzit.

Pjesë e G7 janë SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia, së bashku me Bashkimin Evropian.

 

Ora 15:41
Rebelët Huthi paralajmërojnë: Mund t'i bashkohemi luftës me Iranin nëse SHBA dhe Izraeli përshkallëzojnë sulmet

1773905996_luftaniran.jpg

Rebelët Huthi të Jemenit, janë të përgatitur t'i bashkohen luftës në mbështetje të Iranit nëse SHBA-të dhe Izraeli përshkallëzojnë sulmet e tyre, tha një zyrtar i qeverisë Huthi për CNN.

“Jemeni, nën udhëheqjen e Ansaruallah (duke iu referuar Houthi-ve), do të bashkohet në mbështetjen e Iranit. Ne kemi një përgjegjësi fetare, morale dhe humanitare për ta bërë këtë”, tha nënsekretari i ministrisë së informacionit, Mohammed Mansour.

Ai shtoi se koha varet nga “vlerësimet e forcave të armatosura”, si dhe nga konsultimet me Teheranin dhe përfaqësuesit e tij.

“Nëse Uashingtoni dhe aleatët e tij nxitojnë të përshkallëzojnë situatën kundër Iranit, Jemeni do t’i parandalojë duke ndërhyrë”, tha Mansour, duke vënë në dukje se mbyllja e Ngushticës Bab al-Mandab në brigjet e Jemenit – pika e pengimit që lidh Detin e Kuq me korridoret globale të transportit detar – është një “opsion i zbatueshëm”.

Ora 15:05
Zyrtari iranian: Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur në publik për arsye sigurie

1774021120_IMG3313.png

Foto: Mojtaba Khamenei

Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, gëzon shëndet të plotë dhe po udhëheq vendin, tha sot një zyrtar iranian.

Sipas tij Khamenei nuk është shfaqur ‘në skenë’ për arsye sigurie.

"Arsyeja e mungesës së tij në publik është siguria për shkak të rrethanave aktuale", tha Ali Bahraini, përfaqësuesi i Iranit në zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

Khamnei nuk është shfaqur në publik që kur babai i tij dhe ish-udhëheqësi suprem, Ali Khamenei, u vra muajin e kaluar në sulme të përbashkëta SHBA-Izrael.

Ora 14:59
SHBA mendon dërgimin e trupave tokësore në Lindjen e Mesme, paralajmërimi i kryeparlamentarit iranian: Si mund t’i mbrojë në tokën tonë?

1774620060_1774464569mohammadbagherghalibaf.jpg

Kryetari i parlamentit iranian ka dhënë një paralajmërim të tërthortë ndaj Shteteve të Bashkuara, ndërsa anije luftarake amfibe dhe mijëra marinsa dhe marinarë amerikanë po dislokohen në rajon.

Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili është shfaqur si një ndërmjetës i mundshëm me administratën Trump, tha në një postim në X: “Si mundet SHBA, që nuk arrin të mbrojë as ushtarët e saj në bazat në rajon dhe në vend të kësaj i mban të strehuar në hotele dhe parqe, t’i mbrojë ata në territorin tonë?”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha në një deklaratë se presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se aktualisht nuk planifikon të dërgojë trupa tokësore askund. Por CNN ka raportuar se zyrtarë të Pentagonit, të cilët po përgatiten për një fazë të ardhshme të luftës, kanë hartuar skenarë për dislokimin e trupave për të marrë nën kontroll objektiva të ndryshëm brenda Iranit, sipas më shumë se gjysmë duzine personash të njohur me diskutimet.

Ora 14:06
Tregjet botërore mosbesuese tek Trump, nafta rritet për të tretën ditë radhazi


1774617221_cmimiinaftesnebote.JPG

Çmimet e naftës në botë qëndruan të larta në tregje edhe këtë të premte duke u rritur për të tretën ditë radhazi, me gjasat që ato të jenë të larta edhe në pikat e furnizimit në javët në vijim. Nafta Brent u rrit me 2.5%, duke arritur në 110.68 dollarë për fuçi, çka tregon se tregjet e energjisë nuk janë qetësuar nga premtimi i Donald Trump për të ndalur goditjet e objektivave energjetikë të Iranit edhe për 10 ditë të tjera.

The Guardian shpjegon se tregjet duket se kanë arritur në përfundimin se kjo periudhë shtesë 10-ditore zgjat kohën gjatë së cilës pak naftë do të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke kufizuar furnizimet. Trump e shtyu afatin ndaj Iranit deri më 6 prill, por megjithëse kjo ul rrezikun e një përshkallëzimi të menjëhershëm, nuk tregon një rrugë të qartë drejt zgjidhjes.

 

Ora 13:18
Kuvajti raporton sulme me raketa dhe dronë në dy porte

Kuvajti ka raportuar sulme të mëtejshme në portet e tij, disa orë pasi deklaroi se porti i tij kryesor tregtar në Shuwaikh u sulmua nga dronë.

Ministria e Punëve Publike e Kuvajtit thotë në një deklaratë se porti Mubarak Al-Kabeer u godit nga një "sulm i dyfishtë" nga "dronë armiqësorë dhe raketa".

Si pasojë e sulmeve nuk raportohet për viktima por vetëm dëme materiale.

Ora 08:29
Izraeli nis valë të re sulmesh ndaj Iranit: Po godasim objektiva në zemër të Teheranit

Izraeli ka nisur një valë sulmesh ndaj Iranit herët këtë mëngjes.

Sipas Izraelit, po goditen objektiva “në zemër të Teheranit”, pa dhënë menjëherë detaje të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë natës ka pasur sulme në disa vende. Mbi Bejrut është parë të ngrihet tym, por Izraeli s’ka konfirmuar ende nëse ka kryer sulme.

Izraeli ndezi sirenat e alarmit ajror, por tha se ushtria ka shkatërruar raketat iraniane. Në postin Shuëaikh në Kuvajt kanë rënë dronë, por nuk pati të lënduar apo viktima.

Ora 08:28
Ministri i Jashtëm gjerman: SHBA e Irani po përgatiten për takim të drejtpërdrejtë në Pakistan

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se përfaqësues nga SHBA dhe Irani po planifikojnë të takohen për bisedime në Pakistan, raporton Reuters.

Duke folur për radion Deutschlandfunk, Wadephul tha se ka pasur “kontakte indirekte” mes dy vendeve dhe se “janë bërë përgatitje për t’u takuar drejtpërdrejt”, gjë që ai beson se do të ndodhë “shumë shpejt në Pakistan”.

Ora 08:02
‘Përmbahuni’, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike paralajmëron aksidentin bërthamor

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) po bën thirrje për “përmbajtje maksimale” për të shmangur një aksident bërthamor në Iran.

Paralajmërimi vjen pas një sulmi të raportuar pranë centralit bërthamor në Bushehr në jugperëndim të Iranit të martën.

“Duke qenë se është një central bërthamor në funksion me një sasi të madhe materiali bërthamor, Drejtori i Përgjithshëm Rafael Mariano Grossi paralajmëron se dëmtimi i objektit mund të rezultojë në një aksident të madh radiologjik që do të prekë një zonë të gjerë në Iran dhe më gjerë,” thuhet në deklaratën e agjencisë së OKB-së.

Ora 07:47
Më shumë përforcime, Pentagoni konsideron të dërgojë 10 mijë trupa amerikane në Lindjen e Mesme

The Wall Street Journal raporton se Pentagoni po shqyrton dërgimin e 10,000 trupave shtesë tokësore në Lindjen e Mesme.

Sipas raportit, dërgesa e mundshme synon t’i japë Trumpit “më shumë opsione ushtarake ndërsa ai peshon bisedimet e paqes me Teheranin”.

Trupat kanë të ngjarë të përfshijnë këmbësorë dhe mjete të blinduara, dhe do t’u shtohej rreth 5,000 marinsave amerikanë që tashmë janë zhvendosur në rajon.

Nuk është e qartë se ku do të vendosen trupat e reja.