Në ditën e 35-të të luftimeve, për herë të parë, Irani goditi dhe rrëzoi avionë luftarakë amerikanë. I pari ishte një F-15 që po fluturonte dhe sulmonte mbi territorin e tij.

Pas disa orëve kërkime, sipas raportimeve të faqes izraelite Ynet News, një prej pilotëve u shpëtua nga forcat ushtarake amerikane dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Aktualisht, mbetet i panjohur fati i pilotit të dytë të F-15 amerikane. SHBA-të vazhdojnë kërkimet dhe për këtë të fundit, por agjencia Tasnim raportoi më herët se një nga pilotët amerikan është kapur nga Garda Revolucionare (Pasdaranët), pretendim i cili ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga regjimi iranian. 

Po ashtu, edhe një helikopter amerikan që po kryente një mision kërkimi për pilotët e avionit të rrëzuar u godit në hapësirën ajrore të Iranit gjatë operacionit të shpëtimit

Sipas mediave shtetërore iraniane, helikopterë amerikanë po kryejnë fluturime zbulimi në jugperëndim të Iranit, veçanërisht në rajonin e Ahvaz (Khuzestan) dhe në provincat Chaharmahal dhe Bakhtiarim me qëllim gjetjen e pilotit.

Ndërsa avioni i dytë luftarak, një A-10, "është interceptuar dhe goditur nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit, në ujërat jugore dhe pranë Ngushticës së Hormuzit”. The New York Times raporton se piloti ka shpëtuar i padëmtuar.

Kjo ishte hera e parë që nga fillimi i luftës që avionë amerikanë shkatërrohen nga zjarri armik. Dy avionë të tjerë F-15 janë goditur nga zjarri miqësor, ashtu si edhe një avion cisternë KC-135 Stratotanker, i cili u rrëzua në Irak me 6 anëtarë ekuipazhi, të cilët përfunduan të vdekur.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump shprehet se “me pak më shumë kohë, mund ta marrim lehtësisht nën kontroll Ngushticën e Hormuzit, të sigurojmë naftën dhe të nxjerrim fitime të mëdha".

Sot sulmet amerikano-izraelite në urën B1 në qytetin Karaj në perëndim të Teheranit shkaktuan vdekjen e 8 personave dhe rreth 95 të tjerë mbetën të plagosur. Ura ishte në ndërtim e sipër dhe më e gjata në Lindjen e Mesme dhe ishte planifikuar të shërbente si rrugë furnizimi ushtarak që synonte të mbështeste raketat balistike dhe aftësitë e dronëve sulmues të Iranit.

Trump vijon me thirrjen për Iranin për të arritur një marrëveshje armëpushimi përpara se të jetë shumë vonë për ta. "Është koha që Irani të bëjë një marrëveshje para se të jetë tepër vonë dhe të mos mbetet asgjë nga ajo që mund të bëhet një vend i madh”, shkoi Trump në rrjete sociale.

Pas shkatërrimit të urës, Trump paralajmëron për sulme në termocentrale.

"Ushtria jonë, më e madhja dhe më e fuqishmja (deri tani!) në botë, as nuk ka filluar shkatërrimin e asaj që ka mbetur nga Irani. Urat janë të radhës, pastaj termocentralet! Udhëheqja e Regjimit të Ri e di se çfarë duhet bërë, dhe duhet bërë shpejt!", shkroi Trump.

Ushtria izraelite njoftoi eliminimin e Makram Atimi, komandant i Njësisë së Raketave Balistike në zonën e Kermanshah në Iranin perëndimor, përgjegjës për lëshimet në Izrael.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:51
Guvernatori iranian: Shpërblim për ata që kapin ose vrasin ekuipazhin e avionit amerikan

1774950376_iran.webp

Guvernatori i provincës Kohgiluyeh and Boyer-Ahmad në jugperëndim të Iranit, Yadollah Rahmani, ka nxitur banorët të ndjekin ekuipazhin e avionit luftarak amerikan të rrëzuar, duke deklaruar se ata që i kapin ose i vrasin do të marrin një shpërblim të veçantë, sipas agjencisë semi-zyrtare të lajmeve Isna.

“Banorët, veçanërisht në zonat fisnore, duhet të bëjnë çdo gjë të mundshme për të lokalizuar pilotët armikë, me prioritet të madh kapjen e tyre të gjallë,” tha guvernatori.

“Kushdo që arrin të kapë ose të vrasë forcat armike do të marrë një shpërblim të veçantë nga guvernatori,” shtoi ai.

Ora 16:48
Dyshohet se spiunonin për llogari të Izraelit, Irani arreston 5 persona

1775227756_fxdtuio.jpg

Autoritetet iraniane kanë arrestuar pesë persona të akuzuar për spiunazh për shërbimin e inteligjencës izraelite, Mossad.

Agjencia e lajmeve Tasnim raportoi lajmin, duke cituar një deklaratë nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Të pesë personat u arrestuan në provincën e Azerbajxhanit Perëndimor. Sipas IRGC-së, pesë spiunët e dyshuar "po i transmetonin armikut karakteristikat e vendeve të rëndësishme dhe të vendbanimeve, në mënyrë që ato të mund të bombardoheshin".

Ora 16:34
SHBA-të e konfirmojnë: Po zhvillojmë operacione për gjetjen e 2 pilotëve amerikanë në Iran

1775226944_69cfca540eef2.jpeg

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar se po zhvillohet një operacion për kërkimin e dy pilotëve të zhdukur në Iran, pas rrëzimit të një avioni luftarak amerikan F-15.

Ky është konfirmimi i parë zyrtar nga SHBA për operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa më parë raportimet për rrëzimin e avionit kanë qenë të paqarta.

Ora 15:48
Pasdaranët publikojnë foto të sediljes së pilotit amerikan të avionit F-15 që u rrëzua në Iran

 

Shërbimi i inteligjencës i Gardës Revolucionare të Iranit (Pasdaranët) ka publikuar imazhe të sediljes së pilotit të avionit luftarak amerikan që pretendojnë se është rrëzuar sot nga forcat iraniane.

“Fakti që sedilja ka mbetur e paprekur tregon se piloti është gjallë”, thuhet në postimin e tyre në rrjetin X. Mesazhi përfshinte gjithashtu hashtagun “Beteja e fundit”.

Ora 15:33
'Piloti amerikan i avionit luftarak që u rrëzua në Iran është kapur nga Garda Revolucionare'

1775223296_F15Eagle.webp

Një pilot amerikan raportohet se është kapur në Iran nga Garda Revolucionare (Pasdaranët), pasi është rrëzuar një avion luftarak amerikan – F-35 ose F-15, sipas burimeve të ndryshme.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia Tasnim, ndërsa më herët Axios kishte raportuar për rrëzimin e avionit dhe për operacionet e kërkimit për dy pilotët drejtues.

Televizioni shtetëror iranian kishte deklaruar se “kushdo që arrin të kapë të gjallë pilotin amerikan do të marrë një shpërblim të madh”.

Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane kanë publikuar pamje dhe video që pretendojnë se tregojnë mbetje të avionit të rrëzuar, si dhe një nga sediljet e katapultimit.

Ora 11:58
Forcat izraelite ‘të paafta’ për të çarmatosur Hezbollahun: Do të propozojmë krijimin e një zone sigurie në Liban

Zyrtarë të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë deklaruar se nuk janë në gjendje të çarmatosin Hezbollahun, pasi kjo do të kërkonte pushtimin e gjithë Libanit, duke shtuar se vetëm shteti libanez mund ta çarmatosë këtë grup. Kështu raporton Haaretz, duke shtuar se në ditët në vijim IDF synon t’i paraqesë udhëheqjes politike një propozim për krijimin e një “zone sigurie” në jug të Libanit, që do të shtrihej 2–3 kilometra nga kufiri izraelit.

Sipas planit, në këtë zonë nuk do të ndërtohen baza ushtarake dhe shumica e civilëve që jetojnë në fshatra do të evakuohen për të shmangur përplasjet mes trupave dhe popullsisë civile.

Zyrtarët shtuan se një armëpushim i mundshëm në Iran nuk duhet të lidhet me ndërprerjen e luftimeve në Liban, të cilat pritet të vazhdojnë.

Qëllimi i ushtrisë është të parandalojë kthimin e militantëve të Hezbollahut në fshatrat brenda zonës së sigurisë.

Ora 11:51
Mbi 100 ekspertë të së drejtës ndërkombëtare të shqetësuar për luftën në Lindjen e Mesme, Shtëpia e Bardhë: Trump po e bën rajonin më të sigurt

Një letër e hapur është nënshkruar nga më shumë se 100 ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, duke shprehur “shqetësim të thellë” për atë që ata e shohin si shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare nga SHBA-të, Izraeli dhe Irani në luftën në Lindjen e Mesme.

Akademikët dhe ish-zyrtarët qeveritarë thonë se, për shkak të lidhjes së tyre me Shtetet e Bashkuara, fokusi i tyre është te sjellja e SHBA-së.

Ekspertët e ligjit thonë se si veprimet ashtu edhe retorika e SHBA-ve në këtë luftë janë thellësisht shqetësuese dhe në disa raste përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ata thonë se sulmi ndaj Iranit ishte një shkelje e qartë e Kartës së Kombeve të Bashkuara, e cila ndalon përdorimin e forcës jashtë vetëmbrojtjes ose pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ekspertët përfshijnë ish-zyrtarë të qeverisë amerikane dhe profesorë të së drejtës ndërkombëtare. Ata theksojnë “retorikë shqetësuese” të përdorur nga zyrtarët amerikanë, përfshirë kërcënimet e presidentit Trump për të “shkatërruar” centralet energjetike të Iranit.

Gjithashtu vënë në dukje sulmin ndaj shkollës në Minab në ditën e parë të luftës, për të cilin provat sugjerojnë se ishte rezultat i një goditjeje amerikane, duke thënë se mund të përbëjë krim lufte nëse vërtetohet se përgjegjësit kanë vepruar me pakujdesi. Pentagoni ka deklaruar se po e heton këtë sulm.

Në përgjigje të letrës së hapur, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha për BBC se Trump po “e bën të gjithë rajonin më të sigurt dhe më të qëndrueshëm”. Zëdhënësi shtoi: “Presidenti nuk i merr këto vendime jashtëzakonisht të rëndësishme për sigurinë kombëtare bazuar në opinionet e këtyre të ashtuquajturve ‘ekspertë’, por në interesin më të mirë të popullit amerikan.”

Ora 11:41
Do të autorizonte shtetet anëtare për kalimin tranzit në Hormuz, OKB heq nga axhenda e ditës votimin për rezolutën

Votimi i Këshillit të Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbi një rezolutë për Ngushticën e Hormuzit, e cila ishte paraqitur nga Bahreini, duket se është hequr nga axhenda ditore.

Një axhendë e publikuar të enjten, më 2 prill, rendiste një votim për një rezolutë mbi Lindjen e Mesme të planifikuar më 3 prill.

Nuk është dhënë asnjë arsye për heqjen e mbledhjes nga rendi i ditës dhe OKB-ja nuk ka njoftuar një datë të re për votimin deri në momentin e publikimit të këtij informacioni.

Bahreini, shteti që aktualisht mban presidencën, paraqiti rezolutën, e cila autorizonte shtetet anëtare “të përdorin të gjitha mjetet mbrojtëse të nevojshme dhe në përpjesëtim me rrethanat”, për të siguruar kalimin tranzit në Ngushticën e Hormuzit për të paktën gjashtë muaj.

Fillimisht, rezoluta ishte nën Kapitullin 7 të Kartës së OKB-së që autorizon përdorimin e forcës ushtarake, por kjo u hoq për shkak të kundërshtimeve të Rusisë dhe Kinës gjatë negociatave.

Megjithatë, formulimi i rezolutës mund të shqetësojë ende Pekinin dhe Moskën aq sa të përdorin veton e tyre. Ato abstenuan në draftet e mëparshme që dënonin Iranin dhe përmendnin ngushticën.

 

Ora 10:06
Irani godet me raketa objektivat ushtarake amerikane dhe izraelite në Gjirin Persik

1773220976_raketa.webp

Garda Revolucionare njoftoi këtë mëngjes se forcat e tyre detare lëshuan raketa balistike si dhe dronë kundër objektivave ushtarake dhe infrastrukturore amerikane dhe izraelite në vendet e Gjirit Persik, duke përfshirë bazat në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat strehojnë inxhinierë dhe pilotë amerikanë, dhe bazën Ali Al Salem në Kuvajt, ku janë vendosur njësitë amerikane të dronëve MQ-1.

Grupi sulmues i transportuesve të avionëve amerikanë Abraham Lincoln, në Oqeanin Indian verior, u vu gjithashtu në shënjestër. Garda Revolucionare pretendoi gjithashtu se kishte rrëzuar "një avion armik mbi ishullin Qeshm në Gjirin Persik dhe një tjetër mbi qytetin Qazvin". 

Ora 09:04
Irani: Nëse SHBA-të sulmojnë termocentralet, ne do të synojmë centralet energjetike

Foto:Ebrahim Zolfaghari

Irani po kërcënon me sulme kundër kompanive rajonale të energjisë dhe telekomunikacionit nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë termocentralet e saj, siç kërcënoi mbrëmë Presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Transmetuesi iranian Press TV publikoi një video në të cilën zëdhënësi ushtarak Ebrahim Zolfaghari paralajmëron se nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kërcënojnë me sulme ndaj termocentraleve iraniane, Teherani do të synojë infrastrukturën rajonale të energjisë dhe kompanitë e telekomunikacionit dhe IT-së me aksionarë amerikanë.

Ora 07:57
Irani: Rrëzuam një avion F-35 amerikan, piloti nuk mbijetoi

Irani pretendon se ka rrëzuar një avion luftarak amerikan F-35 dhe piloti besohet se nuk i ka mbijetuar sulmit, sipas agjencisë së lajmeve Mehr.

Që prej fillimit të luftës, iranianët kanë marrë vazhdimisht përgjegjësinë për rrëzimin e avionëve amerikanë, por këto pretendime u mohuan më vonë.

Ora 07:23
Sulmohet me dronë rafineria e naftës në Kuvajt

Zjarr shpërtheu në rafinerinë Mina Al-Ahmadi në Kuvajt pas një sulmi me dron. Raportoi Sky Neës Arabia, duke cituar Korporatën e Naftës së Kuvajtit, e cila tha se ekipet po punonin për të kontrolluar zjarret në disa njësi operative dhe për të parandaluar përhapjen e tyre. Kompania konfirmoi se nuk u raportuan viktima.