Lufta vijon ta rrisë çmimin e naftës në tregun shqiptar. Në pikat kryesore nafta po tregtohet me 198 lekë litri, duke u shtrenjtuar me 25 lekë që prej 4 marsit kur u rrit për herë të parë, rreth 5 ditë pasi nisi lufta në Lindjen e Mesme.

Për të menaxhuar situatën qeveria shqiptare ka vendosur të ngrejë një Task-Forcë për kontrollin e sektorit të hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë në mënyrë që të mos lejohen rritjet abuzive të çmimit, si dhe do të monitorohen edhe marzhet e fitimit të kompanive për të garantuar që me çmimet nuk abuzohet. Kjo Task-Forcë që do të ngrihet nga Ministria e Financave do të zbatohet nga administrata tatimore dhe doganore.

Ndërsa Ministria e Ekonomisë do të marrë masat për të ngritur një mekanizëm të përditshëm për monitorimin e çmimeve të hidrokarbureve në tregun vendas, duke i krahasuar ato edhe me luhatjet në bursë.

Këto vendime janë marrë pas një takimi që patën tre ministrat, Delina Ibrahimaj Petrit Malaj dhe Enea Karakaci, me kompanitë kryesore të sektorit të hidrokarbureve dhe drejtuesit e Shoqatës së Hidrokarbureve, ku u analizua ecuria e çmimeve në bursën Platts të Mesdheut, si referencë për gazoilin dhe benzinën, si dhe raporti ndërmjet çmimeve të importit, çmimeve të shitjes me shumicë dhe çmimeve të shitjes me pakicë në tregun vendas.

Masat e marra nga qeveria i ngjajnë atyre të vitit 2022, kur u ngrit Bordi i Transparencës nisjes së luftës në Ukrainë, por ai ndryshe nga task-forca, kishte si detyrë edhe të caktonte çmimin dhe fitimin e kompanive.

Nga 70 dollarë fuçia më 27 shkurt, një ditë para sulmit të SHBA-ve dhe Izraelit mbi Iran, çmimi ka arriti në 9 mars në 119 dollarë fuçia, ndërsa këtë të martë menjëherë pas deklaratës së Donald Trump që lufta është drejt fundit ka zbritur në 87 dollarë për fuçia e naftës bruto.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ndërmarrë këto masa
•ngritjen e një mekanizmi të përditshëm monitorimi të çmimeve të hidrokarbureve në tregun vendas;
• analizimin periodik të raportit mes çmimeve të bursës Platts, çmimeve të importit dhe çmimeve të shitjes në treg;
• koordinimin e vazhdueshëm me operatorët e tregut dhe Shoqatën e Hidrokarbureve për të garantuar transparencë dhe stabilitet në treg;
• informimin periodik të publikut mbi zhvillimet e çmimeve dhe faktorët që ndikojnë në to

 

Ministria e Financave do të ndërmarrë këto masa
-Do të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes administratës tatimore dhe doganore, e cila do të ketë për detyrë:
- rritjen e kontrollit dhe efikasitetit tatimor dhe doganor në sektorin e hidrokarbureve, në tregtimin me shumicë dhe me pakicë, në mënyrë që të shmangen rritjet abuzive të çmimit të tregtimit të karburanteve;
- monitorimin e marzheve të fitimit në gjithë zinxhirin e tregtimit të hidrokarbureve, nga momenti i importit deri te shitja me pakicë, për të garantuar që çdo ndryshim çmimi të reflektojë zhvillimet reale të tregut ndërkombëtar;
-garantimin që aktiviteti i subjekteve të zhvillohet në përputhje me ligjin, që çdo shitje të jetë e regjistruar fiskalisht dhe gjithashtu karburanti i tregtuar të përmbushë të gjitha detyrimet doganore dhe tatimore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:20
Lufta në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës arrin 198 lekë/litër! Ministrja e Ekonomisë takon kompanitë, sekuestro e gjoba kush abuzon

1773155761_nafta.jpg

Çmimi i naftës në tregun shqiptar është rritur përsëri këtë të martë. Në pikat kryesore po tregtohet me 198 lekë litri, duke u shtrenjtuar me 25 lekë që prej 4 marsit kur u bë rritja e parë e çmimit.

Teksa qeveritë e rajonit kanë marrë masa për të menaxhuar situatën e shtrenjtimit të karburantit, në Shqipëri ende nuk ka një vendimmarrje.

Ministria e Ekonomisë mblodhi përsëri në një takim kompanitë e hidrokarbureve këtë të martë, për situatën e krijuar në furnizimin me karburant dhe shtrenjtimin e naftës.

Në takim është diskutuar vetëm për kontrollin e kompanive. Sipas informacioneve do të shtohen kontrollet nga ministria e Financave dhe e Energjisë, për çdo ditë, dhe nëse do të konstatohen abuzime, do të ketë masa ndëshkuese nga sekuestro deri tek gjoba 10 fish më të larta sa tani.

Gjithashtu Ministria e Financave ka përgatitur një plan masash për të mbajtur në kontroll situatën, por që nuk pritet as ngritje e bordi të transparencës dhe as rishikim taksash.

Ndërkohë Konfindustria i bën thirrje qeverisë të ndërtojë impiantin e përpunimit të naftës shqiptare, ndryshe çmimi i naftës në treg shumë shpejt mund të arrijë në 250 lekë për litër, siç ndodhi kur filloi lufta në Ukrainë.

"Konfindustria i kërkon qeverisë të fillojë sa më shpejt projektin e ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare, si mënyra më efektive për përballimin e pasojave të paparashikuara ekonomike dhe sigurisë kombëtare nga lufta në Gjirin Persik. Në këtë rast kërkohet, që të ndryshojë Buxheti 2026, me qëllim përfshirjen e shpejtë të ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare në vend si investim shtetëror. Gjithashtu, kërkohet të përmirësohet thelbësisht organizimi i prodhimit, tregëtimit, ngarkesës fiskale dhe monopolizimit të sotëm të gjithë tregut të hidrokarbureve. Është krejtësisht e papranueshme, që Shqipëria si vend zotërues i rezervave të mëdha të naftës, të jetë në varësi të plotë të importeve dhe lëvizjeve të cmimeve të tregjeve botërore. Çmimi i naftës në tregun shqiptar po arrin në kufirin e 200 lekë/litër dhe parashikohet, që shpejt të rrezikojë tejkalojë kufirin e 250 lekë/litër të vendosur në vitin 2022 në rastin e fillimit të luftës në Ukrahinë. Ndërtimi i impiantit shqiptar të përpunimit të naftës vendore është mjeti më efektiv i përhershëm për të lehtësuar pasojat shkatërruese ekonomike dhe financiare nga furnizimet dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. karburanteve", thuhet në reagim.