Lufta Tatimet-Belle Air
për 6.4 mln euro taksa

TIRANE- Kompania e fluturimit “Belle Air” ka hyrë në procese gjyqësore kundër përmbarimit dhe drejtorisë së tatim paguesve të mëdhenj, si rezultat i mos ekzekutimit të një akti administrativ për shlyerjen e një detyrimi të mbartur tatimor që kap shifrën e 6.4 milion eurove. Një shifër e tillë vjen nga mospagesa e mbartuar nga ana kompanisë ajrore, lidhur me detyrimet financiare që kjo kompani duhet të kryejë për kalimin me avion të kufirit. Mësohet se Drejtoria e Tatimeve ka nxjerë aktin administrativ duke detyruar drejtuesit e kompanisë “Belle Air” që të paguajë shumën prej 890.134.000 Lekë.

Kjo shifër astronomike është kundërshtuar në gjykatën e Tiranës, por nga ana tjetër mësohet se Drejtoria e Tatim Paguasve të mëdhenj ka futur në lojë përmbarimin me qëllim ekzekutimin e menjëhershëm të aktit administrative. Nëse përmbarimi arrin të tërheqë nga llogaritë bankare të “Belle Air”, atëherë kompania ajrore ka shumë gjasa të shfaqë probleme serioze, deri në falimentim e plotë të saj. Tashmë drejtuesit e “Belle Air”, kanë hapur dy procese gjyqësore gjyqësore me qëllim kundërshtimin e këtij akti administrativ. Mirëpo në vendimin e 4 nëntorit, gjykata ka vendosur bashkimin në një çështje të vetme me dosjen civile me nr 18932 datë 31 tetor 2013, dosje e cila është pushuar si pasojë e mosparaqitjes në gjykatë të juristëve të kompanisë “Belle Air”.
 
Marëveshja për këstet
Në padinë e dorëzuar në gjykatë, kompania “Belle Air” kërkon që gjykata e Tiranës nëpërmjet një vendimi të detyrojë palën e paditur, drejtorinë e tatim paguesve të mëdhenj që të nënshkruajë një marrëveshje për shlyerjen me këste të pagesës së detyrimit tatimor të pranuar, në bazë të nenit 77 të Ligjit Nr. 9920 datë 19.05.2008. Ligjërimin e masës për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ objekt gjykimi. Më tej në padi, kërkohet dhe konstatim i pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ “Njoftim për të bërë pagesën e plotë të detyrimit tatimor”, me Nr. 16791 prot. datë 23.10.2013, për likuidimin e tarifës për kalimin me avion të kufirit, në shumën 890.134.000 Lekë.

Bashkimi i çështjeve
Pasi ka dëgjuar në seancën gjyqësore argumentat e palëve në proces gjykata e Tiranës në referim të përcaktimeve specifike të neneve 324 e vijues të Kodit të Procedurës Civile “Gjykimi i Mosmarrëveshjeve Administrative”, vihet re qartë se kërkimi i paraqitur prej palës paditëse në kërkesën e regjistruar si çështje më vete, përbën kërkim dytësor që lidhet drejtpërdrejtë me kërkimin kryesor të padisë. Në kushtet e nenit 55 të Kodit të Procedurës Civile, sipas të cilit: “Gjykata që gjykon padinë kryesore është kompetente për të shqyrtuar edhe kërkesat dytësore... Në këtë rast gjykata merr vendim për bashkimin e tyre në një çështje të vetme.”

Për pasojë gjyqtarja Blerina Muça ka vendosur të bashkojë çështjen në fjalë me çështjen e themelit me Nr. 18932 Akti datë 31.10.2013, dosje kjo për të cilën e njëjta gjyqtare ka vendosur ta pushojë, si rezultat i mosparaqitjes në sallën e gjyqit të juristit të kompanisë “Belle Air”. Nuk dihet se çfarë masa të tjera do të ndërmarë kompania “Belle Air” për rifillimin e procesit gjyqësor, por që tashmë drejtoria e tatim paguesve të medhenj ka kërkuar me insistim kryerjen e pagesës, pasi në rast të kundërt përbarimi do sekuestrojë llogaritë bankare të kësaj kompanie dhe bazën material të saj.

faksimile balle air
 
Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ Ekspozita ‘Tejdukshmëri ekzistenciale’ tek Kryeministria, aktiviteti ‘Janari në Festën e Filmit Shqiptar’ në Gjirokastër

Aktivitetet kulturore/ Ekspozita ‘Tejdukshmëri ekzistenciale’ tek Kryeministria, aktiviteti ‘Janari në Festën e Filmit Shqiptar’ në Gjirokastër