Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë propozimin e fundit të Iranit për t'i dhënë fund krizës në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar atë të papranueshëm.

Në tryezë ishte një propozim i Teheranit me 14 pika, që sipas burimeve të medias amerikane Axios, parashikonte një afat njëmujor negociatash për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, heqjen e bllokadës detare amerikane dhe përfundimin e luftës në Iran dhe Liban.

Sipas agjencisë iraniane Tasnim, plani përfshinte edhe “garanci për mossulmim”, “tërheqje të forcave ushtarake amerikane nga zonat përreth Iranit”, “lirim të aseteve të ngrira iraniane”, “pagesë kompensimi” dhe “heqje të sanksioneve”. Synimi i Teheranit ishte “t’i japte fund luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi se Irani mund të detyrohet shumë shpejt të mbyllë puset e naftës, ndërsa përballet me rënie të të ardhurave dhe mbushje të depozitave. Bessent deklaroi se kjo situatë mund të konkretizohet që në ditët në vijim.

Në të njëjtën kohë, tensioni është rritur edhe në planin politik dhe ushtarak. Garda Revolucionare iraniane ka deklaruar se Donald Trump është “me shpatulla pas muri” dhe duhet të zgjedhë mes dy opsioneve: një luftë që “nuk mund ta fitojë” ose një marrëveshje që “nuk i leverdis SHBA-së”.

Por tensioni mbetet i lartë edhe në terren. Një supercisternë iraniane që transportonte 1.9 milion fuçi naftë të papërpunuar, me një vlerë gati 200 milionë dollarë, raportohet se i ka shpëtuar bllokadës së marinës amerikane në Ngushticën e Hormuzit dhe ka arritur në Lindjen e Largët. Sipas faqes së specializuar TankerTrackers, anija “Huge” ndodhet aktualisht në tranzit në Ngushticën e Lombokut, në Indonezi, në drejtim të arkipelagut Riau.

Nga ana tjetër, retorika nga Teherani mbetet e ashpër. Kreu i Gjyqësorit iranian, Gholamhossein Mohseni Ejei, deklaroi se vendi do të luftojë nëse “dinjiteti” i tij kërcënohet, duke theksuar se “nuk e mirëpresim vazhdimin e luftës, por as nuk i frikësohemi asaj”.

Në këtë klimë tensioni, Trump ka paralajmëruar gjithashtu edhe tërheqjen e më shumë se 5 mijë trupave amerikane nga Gjermania

Përgatitje për luftë po bën dhe Izraeli. Benjamin Netanyahu pritet të mbledhë këtë të dielë kabinetin e tij të sigurisë, duke vendosur në axhendë ndërprerjen e mundshme të armëpushimit në Iran dhe në Gaza.

Times of Israel shkruan se takimi do të mbahet sot dhe vjen pas kërcënimeve të Donald Trump, për rifillim të sulmeve ndaj Iranit. Ndërsa sipas Televizionit Kan 11, takimi do të diskutojë gjithashtu një ndërprerje të mundshme të armëpushimit me Hamasin në Rripin e Gazës.

"Hamasi nuk po respekton marrëveshjen e çarmatimit", siç është rënë dakord në armëpushimin e tetorit të kaluar, citohet të ketë thënë një burim izraelit.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:05
Irani nuk po shet dot naftën, sekretari amerikan i Thesarit : Do t'i duhet të mbyllë puset shumë shpejt

Scott Bessent

Sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent ka deklaruar se Irani mund të detyrohet shumë shpejt të mbyllë puset e naftës. Në një intervistë për Fox News, ai tha se depozitat e naftës në Iran po mbushen me shpejtësi, çka mund ta detyrojë vendin të ndalojë prodhimin.

Sipas tij, kjo situatë mund të vijë që javën e ardhshme. Bessent shtoi gjithashtu se të ardhurat e Iranit nga tarifat e kalimit në Ngushticën e Hormuzit kanë qenë shumë të ulëta, rreth 1.3 milionë dollarë, shumë më pak krahasuar me fitimet e mëparshme nga nafta.

Ora 15:44
Donald Trump shënon rënie në sondazhe, 62% e amerikanëve janë kundër tij

Donald Trump është në vështirësi në sondazhe, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve të mesmandatit.

Sipas anketës së realizuar nga Washington Post, ABC News dhe Ipsos, 62% e amerikanëve nuk e aprovojnë punën që po bën ai. Ky është niveli më i lartë i pakënaqësisë gjatë mandateve të tij.

Në çështjen e Iranit, 66% e të pyeturve e kundërshtojnë mënyrën si ai po e menaxhon situatën, ndërsa vetëm 33% e mbështesin. Edhe ekonomia mbetet pikë e dobët teksa vetëm 34% e miratojnë, shifër kjo në rënie me 7 pikë. Për inflacionin, mbështetja zbret në 27%, ndërsa për koston e jetesës vetëm 23% e mbështesin, përballë 76% që janë kundër tij.

Në total, niveli i mbështetjes për Trump është 37%, në rënie krahasuar me muajin shkurt.

Ora 14:53
Izraeli sulmon Arabsalimin dhe Srifën në Liban, 1 i vdekur dhe 4 të plagosur

1777812873_yugtioo.jpg

Një person u vra dhe tetë u plagosën nga disa sulme izraelite në fshatrat libanezë Arabsalim dhe Srifa.

Sipas mediave të huaja, në Arabsalim, një burrë u vra dhe tre të tjerë u plagosën, përfshirë një fëmijë. Në Srifa, pesë persona u plagosën, përfshirë katër ndihmës të parë nga Komiteti Islamik i Shëndetit i lidhur me Hezbollahun.

Qeveria e Bejrutit dënoi sulmet ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor "dhe kujton dispozitat e Nenit 19 të Konventës së Gjenevës në lidhje me nevojën për të verifikuar sigurinë e tyre nga çdo rrezik".

Këtë mëngjes, ushtria izraelite lëshoi ​​paralajmërime të reja për evakuim për më shumë se 10 fshatra dhe qytete, duke përfshirë disa në distriktin Nabatieh, i vendosur në veri të lumit Litani, në jug të të cilit Izraeli ka stacionuar trupa.

Ora 13:40
Këshilltari i Khameneit kërcënon Amerikën: Do t’jua fundosim anijet luftarake

Mohsen Rezaei, këshilltar i udhëheqjes iraniane, ka kërcënuar drejtpërdrejt SHBA-në, duke deklaruar se Irani është në gjendje të fundosë anijet luftarake amerikane.

Në një reagim në rrjetin X, ai i cilësoi Shtetet e Bashkuara si “pirat”, ndërsa theksoi se Irani ka kapacitet të përballet me aeroplanmbajtëset amerikane.

“Përgatituni për një varrezë të aeroplanmbajtësve dhe forcave tuaja”, shkroi ai.

Ora 13:32
7 vende të OPEC+ rrisin prodhimin e naftës me 188 mijë fuçi në ditë

Shtatë vende të grupit OPEC+ kanë vendosur të rrisin prodhimin e naftës me 188 mijë fuçi në ditë, duke nisur nga qershori 2026.

Bëhet fjalë për Arabinë Saudite, Rusinë, Irakun, Kuvajtin, Kazakistanin, Algjerinë dhe Omanin.

Sipas deklaratës zyrtare, ky vendim synon të mbajë stabilitetin në tregun global të naftës. Vendet theksojnë se do të monitorojnë situatën dhe do të jenë fleksibël për të rritur, ndalur apo ndryshuar prodhimin në varësi të zhvillimeve në treg.

Ora 13:26
Ligj i ri në Iran për ngushticën e Hormuzit, ndalim për Izraelin, kufizime për të tjerët

Parlamenti iranian pritet të miratojë një ligj të ri që kufizon kalimin e anijeve në ngushticën strategjike të Ngushticës së Hormuzit

.Sipas Press TV, të cituar edhe nga CNN, drafti parashikon që anijeve izraelite t’u ndalohet plotësisht kalimi.

Zëvendëskryetari i parlamentit, Ali Nikzad, ka bërë të ditur se anijet nga “vende armiqësore”, që besohet se i referohen SHBA-së,  do të duhet të paguajnë dëmshpërblime lufte për të marrë leje kalimi.

Ndërsa të gjitha anijet e tjera do të duhet të kërkojnë autorizim nga Irani për të kaluar në këtë pikë kyçe për tregtinë globale të naftës.

Ora 13:13
Trump: Do të tërheqim më shumë se 5 mijë ushtarë nga Gjermania

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA do të tërheqë nga Gjermania më shumë se 5 mijë ushtarë, duke shkuar përtej planit fillestar të Pentagonit.

“Do ta ulim ndjeshëm numrin, dhe do të jetë shumë më tepër se 5 mijë”, deklaroi Trump para gazetarëve në Florida, pa dhënë detaje për arsyet e këtij vendimi.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, reagoi duke thënë se një tërheqje e tillë ishte e parashikuar prej kohësh dhe se vendet europiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre. Megjithatë, ai theksoi se prania e trupave amerikane në Europë, sidomos në Gjermani, është në interes të të dyja palëve.

Plani ka hasur kundërshtime në Uashington, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët, të cilët paralajmërojnë se një lëvizje e tillë mund të dërgojë “sinjal të gabuar” për presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa lufta në Ukrainë vijon.

Ora 13:04
Garda Revolucionare: Trump mes luftës dhe një marrëveshjeje që s’i leverdis

Garda revolucionare iraniane thonë se Donald Trump është me shpatulla pas muri dhe duhet të zgjedhë mes dy opsioneve të këqija: luftë me Iranin që sipas tyre nuk mund ta fitojë, ose një marrëveshje që nuk i leverdis SHBA-së.

Deklarata u publikua nga agjencia Tasnim. Sipas tyre, SHBA ka mbetur me pak hapësirë veprimi për shkak të zhvillimeve të fundit, si tensionet në Ngushticën e Hormuzit, qëndrimet e vendeve të tjera si Kina dhe Rusia dhe presioni për negociata. 

Ora 12:56
Ministri izraelit feston 50-vjetorin me tortën e dekoruar me simbolet e vdekjes

Një tortë me pistoleta dhe një lak, simbol i varjeve dhe dënimit me vdekje, ka hapur debat për ministrin izraelit Itamar Ben-Gvir, në festën e 50-vjetorit. Sipas The Times of Israel, dekorimet lidhen me qëndrimet e tij për rikthimin e dënimit me vdekje në Izrael, veçanërisht për palestinezët e akuzuar për terrorizëm.

Pamjet e tortës u publikuan nga partia e tij Otzma Yehudit. Në të shihej edhe një hartë me flamurin izraelit që përfshinte Gazën dhe Bregun Perëndimor. Festa u mbajt pranë qytetit Ashdod, me pjesëmarrjen e politikanëve dhe figurave të së djathtës.

Edhe bashkëshortja i dhuroi një tortë tjetër, sërish me simbolin e lakut, shoqëruar me mesazhin: “Ndonjëherë ëndrrat bëhen realitet.”

Ora 11:40
Mediat: Po transportonte 1.9 mln fuçi me naftë, cisterna iraniane i shmanget bllokadës amerikane në Hormuz

1776955952_ngushticaehormuzit.jpg

Një cisternë iraniane që transportonte 1.9 milion fuçi naftë, me vlerë 220 milion dollarë, i ka shmangur bllokadën detare amerikane dhe ka mbërritur në rajonin e Azi-Paqësorit. Sipas faqes së internetit Tanker Trackers, e cila gjurmon lëvizjet detare, supercisterna "Huge" - në pronësi të Kompanisë Kombëtare Iraniane të Cisternave në pronësi të shtetit - u zbulua në brigjet e Sri Lankës një javë më parë dhe tani ndodhet në Indonezi, duke u drejtuar për në arkipelagun Riau, në brigjet e Sumatrës. Lajmi u raportua nga Al Jazeera dhe stacioni televiziv iranian IRIB. Sipas Tanker Trackers, "Huge" ishte në ujërat iraniane më 13 prill, ditën kur Marina Amerikane njoftoi bllokadën e porteve të Republikës Islamike.

Ora 09:03
Ja çfarë përmban propozimi prej 14 pikash i Iranit për t'i dhënë fund luftës me SHBA-në

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, plani 14-pikësh u formulua në përgjigje të një plani nëntë-pikësh nga SHBA-të. Çfarë dihet deri më tani për planin e propozuar nga Irani:

Thuhet se SHBA-të kërkuan një armëpushim dy-mujor, por iranianët duan të përqendrohen në përfundimin e luftës në vend të zgjatjes së armëpushimit.

Irani dëshiron që të gjitha çështjet të zgjidhen brenda 30 ditëve.

Propozimi kërkon garanci kundër sulmeve të ardhshme, tërheqjen e forcave amerikane nga Irani, lirimin e aseteve të ngrira iraniane dhe heqjen e sanksioneve, dëmshpërblimet e luftës, përfundimin e të gjitha armiqësive, përfshirë në Liban, dhe "një mekanizëm të ri për Ngushticën e Hormuzit".

Agjencia amerikane e lajmeve Axios raportoi se propozimi iranian vendosi “një afat njëmujor për negociatat mbi një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përfundimin e bllokadës detare amerikane dhe përfundimin përfundimtar të luftës në Iran dhe në Liban”.

Ai citoi dy burime të kenë thënë se sapo të arrihet një marrëveshje, “do të nisë një muaj tjetër negociatash për të arritur një marrëveshje mbi programin bërthamor”.

Ora 08:55
Izraeli urdhëron evakuimin e 11 fshatrave në Libanin Jugor

Izraeli ka urdhëruar evakuimin e banorëve të 11 qyteteve dhe fshatrave në Libanin jugor në një mesazh urgjent të lëshuar këtë mëngjes nga Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF). Mesazhi u bën thirrje banorëve të braktisin shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen të paktën një kilometër larg në zonat e hapura. Zonat e prekura përfshijnë Jibchit, Sarafand, Kafra dhe Al-Sharqiyah.

IDF tha se po kryente operacione kundër Hezbollahut pas asaj që e quajti shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, duke paralajmëruar se kushdo që është pranë luftëtarëve ose objekteve të Hezbollahut mund të jetë në rrezik. Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme në të gjithë Libanin jugor, pavarësisht një armëpushimi në dukje efektiv.

Trupat izraelite kanë pushtuar një pjesë të territorit në jug të vendit pas një pushtimi tokësor në fillim të luftës, i cili shkatërroi shtëpi që besohet të jenë "infrastrukturë e përdorur nga Hezbollahu". Grupi i armatosur i mbështetur nga Irani vazhdoi sulmet e tij me dronë dhe raketa kundër trupave izraelite në Liban dhe Izraelin verior.

Ora 08:53
Izraeli blen sisteme anti-dronë me kosto të ulët nga SHBA

Izraeli po blen sisteme përgjimi me dronë me kosto të ulët nga Shtetet e Bashkuara , efektive kundër mjeteve ajrore pa pilot iraniane Shahed, por jo kundër atyre më të vogla të lëshuara nga Hezbollahu, të cilat janë bërë një kërcënim serioz për ushtarët e saj në Libanin jugor.

Kjo është sipas Haaretz , duke cituar një memo të Departamentit të Shtetit të SHBA-së në lidhje me një sërë marrëveshjesh armësh me shtetin hebraik. Sipas marrëveshjes prej 992.4 milionë dollarësh, Uashingtoni do t'i ofrojë Tel Avivit 10,000 komplete udhëzimi për APKWS (Sistemi i Armëve të Vrasjes me Precizion të Avancuar), të cilat shndërrojnë raketat ajër-tokë të paudhëzuara në municione të udhëhequra me precizion të afta për të goditur objektiva tokësore dhe, më e rëndësishmja, për të kapur dronë.