Ushtria ukrainas goditi në detin Kaspik anije të cilat përdoreshin për të transportuar ngarkesa ushtarake me prejardhje nga Irani. Këtë e njoftoi presidenti ukrainas Volodymir Zelensky pas një bilanci të sulmeve të orëve të para të kësaj të shtune teksa konfirmoi se Kievi vijon lëshimin e raketave e dronëve me rreze të gjatë ndaj objektivave në brendësi të territorit rus.

“Goditëm anije që ishin të përfshira në transportin e ngarkesave ushtarake nga Irani, si dhe një anije luftarake”, tha presidenti ukrainas.

Sulmet me dronë ukrainas në Zaporizhia kanë lënë të vdekur 12 persona. Ukraina në valën e sulmeve të natës lëshoi drone me rreze të gjatë në Jekaterinburg, qytet që ndodhet rreth 1800 km larg pjesës më të afërt të kufirit ruso-ukrainas.

Gjatë natës, forcat ruse kanë kryer një sulm të ri i dyti brenda 24 orëve ndaj qytetit Sloviansk, në Donjetsk, duke plagosur të paktën 15 persona mes të cilëve edhe një 15-vjeçar. Ndërkohë në Summy, në verilindje të Ukrainës, bilanci i sulmeve ruse ndaj civilëve arriti në 3 të vdekur.

Mediat amerikane dhe ukrainase raportojnë se Donald Trump do të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington të martën, më 28 korrik. Një takim diplomatik, që siç konfirmojnë mediat do të jetë shumë i rëndësishëm, ku Zelensky shpreson ta kthejë çështjen ukrainase në listën e prioriteteve të presidentit Trump.