Nuk është më koha për triumfalizëm. Përkthimi fjalë për fjalë i titullit me të cilin e përditshmja ruse Izvestia komentoi largimin e ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, mund të përfaqësojë më së miri një pjesë të tërësisë. Natyrisht, narrativa dhe zhurma propagandistike mbeten të njëjtat. Siç shkruan agjencia shtetërore RIA Novosti, «regjimi i Kievit nuk ka rezistuar dhe përçarja është shndërruar në një rebelim kundër Zelenskyt. Ndërkohë, drejtuesit e tij e ndiejnë se fundi është i pashmangshëm dhe gjithnjë e më afër; prandaj po zgjasin duart me dëshpërim për të marrë gjithçka që mund të grabisin».

Por, duke hyrë më thellë në atë pjesë të opinionit publik rus që kohët e fundit përpiqet të analizojë realitetin pa iu përmbajtur plotësisht vijës së Kremlinit, dalin në pah dyshime dhe pasiguri. Le të marrim si shembull Moskovsky Komsomolets, një gazetë besnike ndaj linjës zyrtare, e cila kësaj here nuk fshihet pas stereotipeve të zakonshme të propagandës. Pyetjes nëse duhet gëzuar për largimin e Fedorovit, ajo i përgjigjet kështu:

«Në përgjithësi, në disa aspekte duhet patjetër t’i kemi zili armiqtë tanë, madje në disa raste edhe t’i marrim shembull. Shikoni Fedorovin. Ai është vetëm 35 vjeç dhe nuk është rastësi që u përplas me gardën e vjetër. Nuk mund të mohohet se ka arritur suksese.»

Vetëm pak muaj më parë, një vlerësim i tillë për një përfaqësues të autoriteteve ukrainase nuk do të ishte botuar kurrë.

Kjo nuk është një pikëpamje e izoluar. Edhe Aleksander Kots, një nga blogerët më të njohur pro luftës, tashmë komentator i gazetës Komsomolskaya Pravda, e ka të vështirë të shpallë fitore.

«Pas protestave të papritura, si brenda vendit ashtu edhe nga Perëndimi, Zelensky nxori nga "kapelja" Yevhen Khmarën, kreun e përkohshëm të SBU-së, gjeneral dhe komandant i njësisë Alfa. Njësia e tij është përgjegjëse për "operacionet speciale" më të përgjakshme të regjimit të Kievit kundër civilëve. Masakra e spektatorëve në Crocus më 22 mars 2024. Vrasja e Darya Duginës pranë Moskës. Shpërthimet në urën e Krimesë. Organizimi i operacionit "Rrjeta e Merimangës", sulmet me dronë ndaj aeroporteve tona strategjike më 1 qershor 2025. Publikisht, Khmara flet vetëm një gjuhë: "pushtues", "agresion rus", "operacionet tona speciale po rishkruajnë manualet e shërbimeve sekrete në mbarë botën". Ai është një oficer që as nuk i konsideron negociatat si objekt studimi, ndërsa viktimat civile për të janë vetëm një efekt anësor... Çfarë do të thotë kjo për ne? Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës nuk do të drejtohet nga një reformator, por nga dikush që ka për profesion kryerjen e atentateve terroriste dhe vrasjen e civilëve në territorin tonë.»

Prania gjithnjë e më e dukshme e dyshimeve mbi ecurinë e luftës është një zhvillim i ri. Ajo tregon diçka për gjendjen shpirtërore të një pjese të opinionit publik rus në këtë periudhë.

Roman Aliokhin, një nga blogerët patriotë më racionalë, i cili për këtë arsye është shpallur nga autoritetet si "agjent i huaj", shkon edhe më tej, duke shprehur hapur mosbesim ndaj aftësive të aparatit ushtarak rus.

«Kush dhe çfarë na leverdis që të jetë në krye të vendit që është në luftë me ne? A nuk do të ishte më keq nëse Fedorovi do ta rrëzonte Zelenskyn, të cilin të paktën e njohim mirë? Në çdo rast, ky është pikërisht momenti kur mund dhe duhet të fusim një pykë në çarjen që po hapet në Ukrainë. Pikërisht kështu do të vepronte një ekspert i luftës hibride. Do të ishte një dhuratë për ne. Sikur të dinim si të zhvillonim një luftë hibride.»

Është sikur tashmë të ekzistojnë dy linja të dallueshme mendimi. Njëra është ajo e diktuar nga autoritetet, e përfaqësuar më së miri nga RIA Novosti, zëdhënëse e drejtpërdrejtë e pushtetit:

«Rrethi i atyre që lejohen të ushqehen në "grazhdin ukrainas" po ngushtohet gjithnjë e më shumë. Kur kafshët mbeten në një gropë, ato fillojnë shumë shpejt të shqyejnë njëra-tjetrën. Ju bëftë mirë! Së shpejti do t'ju dërgojmë Geranët tanë» (Geran është një dron i rëndë rus).

Nga ana tjetër janë ata që po përpiqen të shohin përtej propagandës dhe, brenda kufijve që u lejohen, përpiqen të përballen me realitetin./ Corriere della Sera