Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zbuluar një nga propozimet më të ndjeshme që sipas tij, i është paraqitur Kievit nga Shtetet e Bashkuara në kuadër të negociatave për përfundimin e luftës me Rusinë: lëshimin e territoreve ukrainase në këmbim të anëtarësimit në NATO.

Deklarata vjen në një moment kur përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit mbeten në ngërç, pavarësisht kontakteve të fundit mes përfaqësuesve amerikanë, rusë dhe ukrainas. Sipas Corriere della Sera, Zelensky tha se propozimi parashikon tërheqjen e Ukrainës nga Donbasi në këmbim të garancive konkrete të sigurisë, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian.

Ndërkohë, presidenti ukrainas ka paralajmëruar se Moska po përgatitet të intensifikojë fushatën ushtarake gjatë muajve të dimrit, duke e cilësuar strategjinë e Vladimir Putinit si të rrezikshme për sigurinë e Europës.

"Është një situatë e rrezikshme sepse, sipas mendimit tim, pikërisht gjëra të tilla çojnë në luftëra ose në përshkallëzim", deklaroi Zelensky, duke shtuar se "siguria e vërtetë në Europë përfaqësohet nga BE-ja dhe NATO. Pikë. Nuk ekziston siguri tjetër në Europë"- tha Zelensky.

Në një tjetër zhvillim, kreu i shtetit ukrainas ka bërë të ditur se vendi i tij ka nevojë për dy herë e gjysmë më shumë avionë luftarakë F-16 sesa disponon aktualisht. Ai theksoi se një pjesë e avionëve janë vazhdimisht në mirëmbajtje për shkak të vjetërsisë së tyre, ndërsa kërkoi edhe më shumë municione për të përballuar sulmet me dronë rusë.

Në planin diplomatik, një tjetër zhvillim i rëndësishëm pritet të enjten e ardhshme, kur presidenti amerikan Donald Trump do të zhvillojë një takim trepalësh me presidentin kinez Xi Jinping dhe atë rus Vladimir Putin, në Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të APEC-ut.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, në fokus të diskutimeve do të jenë çështja e armëve bërthamore dhe Irani, ndërsa Uashingtoni ka bërë të ditur se Ukraina nuk pritet të jetë temë e bisedimeve trepalëshe.

Paralelisht, administrata amerikane po punon për një shkëmbim të madh të të burgosurve mes Kievit dhe Moskës, i cili mund të përfshijë më shumë se 1 mijë persona nga secila palë. Përfaqësuesit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë zhvilluar kontakte me të dyja palët, ndërsa Zelensky ka konfirmuar se po punohet për marrëveshjen.

Nga ana tjetër, Rusia ka vijuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase. Një impiant i kompanisë DTEK në rajonin e Odesës u godit nga forcat ruse, duke lënë rreth 50 mijë familje pa energji elektrike. Ndërsa në valën e fundit të sulmeve, sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 10 civilë u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën, mes tyre edhe fëmijë.

Në frontin diplomatik europian, është përcaktuar edhe formati E5 për përfaqësimin e Europës në negociatat e ardhshme të paqes. Ai përfshin Francën, Gjermaninë, Italinë, Poloninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilave do t'u bashkohen përfaqësues të Komisionit dhe Këshillit Europian.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar përfshirjen e një ekipi europian në procesin negociator, duke theksuar se Europa duhet të ruajë presionin ndaj Moskës. Ajo njoftoi gjithashtu se Komisioni po përgatit paketën e 22-të të sanksioneve kundër Rusisë.

Pavarësisht lëvizjeve diplomatike dhe përpjekjeve për një marrëveshje, qëndrimet e Moskës dhe Kievit mbeten larg njëra-tjetrës, ndërsa çështja e territoreve dhe garancive të sigurisë vazhdon të jetë pengesa kryesore për përfundimin e luftës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:57
Macron: Nëse Rusia triumfon, Evropa do të dobësohet

Foto: Volodymyr Zelensky dhe Emmanuel Macron

Agresioni rus kundër Ukrainës shqetëson drejtpërdrejt Evropën. Kështu shkroi Presidenti francez Emmanuel Macron në X pas samitit evropian në Dublin, në të cilin mori pjesë edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

"Ajo që është në rrezik në Ukrainë na shqetëson drejtpërdrejt. Ka të bëjë me sigurinë e të gjithëve ne. Të ndihmosh Ukrainën të mbrohet do të thotë të mbrosh Francën dhe francezët.Nëse Rusia i imponon vullnetin e saj një vendi evropian përmes brutalitetit, e gjithë Evropa do të dalë e dobësuar. Kjo është arsyeja pse Ukraina ishte përsëri në qendër të diskutimeve tona, të enjten dhe të premten në Dublin, me rastin e samitit të nëntë të Komunitetit Politik Evropian dhe Këshillit informal Evropian", Macron.

I pari nga prioritetet që dolën "është ndihma ndaj Ukrainës për të përballuar dimrin. Ukrainasit vazhdojnë të rezistojnë me një guxim që frymëzon admirim. Shkëmbimet e fundit me emisarë amerikanë e kanë konfirmuar këtë: Vladimir Putin nuk dëshiron të negociojë. Ushtria e tij nuk po përparon; përkundrazi, po tërhiqet dhe po pëson humbje të konsiderueshme.

Megjithatë, është e qartë se ai synon ta nënshtrojë Ukrainën duke intensifikuar sulmet kundër civilëve dhe duke u përpjekur ta zhytë vendin në errësirë ​​gjatë dimrit. Detyra jonë është ta pengojmë këtë plan.

"Kjo do të thotë të ruajmë mbështetjen tonë financiare dhe të ndihmojmë Ukrainën të mbrojë popullsinë, termocentralet dhe rrjetet e saj elektrike. Le të jemi të qartë: ata që synojnë të kufizojnë burimet e Ukrainës në thelb po përpiqen ta detyrojnë atë të pranojë një paqe të padrejtë dhe një cenueshmëri të qëndrueshme, gjë që do të kompromentonte gjithashtu sigurinë e Evropës. Është një mentalitet disfatist. Është një recetë për luftën e ardhshme. Ky nuk mund të jetë qëndrimi i Francë", tha ai.

Ora 22:37
Kushner: NATO do të mbetet shtylla kryesore e sigurisë evropiane

1794317810_jaredkushner.JPG

NATO do të mbetet një shtyllë “themelore” e sigurisë evropiane, e mbështetur nga mekanizma më të fuqishëm në fushën ushtarake, të komunikimit, parandalimit të konflikteve dhe uljes së ndërsjellë të tensioneve, si dhe nga instrumente konkrete për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përpara se ato të përshkallëzohen në kriza.

Kështu shkruan në një postim në rrjetin social ‘X’, Jared Kushner, i dërguari dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun me Rusinë, duke shtuar se “pas takimeve tona trepalëshe dhe diskutimeve të mëvonshme me presidentët Putin dhe Zelensky, unë dhe ekipi i misioneve të paqes kemi mbajtur kontakte të ngushta me Rusinë, Ukrainën dhe partnerët tanë evropianë për të përcaktuar hapat e mëtejshëm”.

“Pikërisht për këtë arsye po punojmë për të përfshirë drejtpërdrejt partnerët tanë evropianë në këto diskutime. Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të pranohet nga palët e interesuara. Presidenti Trump do të mbështesë vetëm marrëveshje që forcojnë sigurinë e Ukrainës dhe Evropës, duke e bërë më pak të mundshëm shpërthimin e konflikteve të ardhshme”, shton Kushner.

Ai thekson se “objektivi ynë aktual është të nxisim një dialog të drejtpërdrejtë mes Moskës dhe partnerëve evropianë, ndërkohë që përgatisim axhendën për raundin e ardhshëm të bisedimeve trepalëshe”.

Nga diskutimet e zhvilluara, sipas tij, “kanë dalë disa ide të reja, të cilat aktualisht po shqyrtohen. Disa prej tyre mund të sjellin përparim të menjëhershëm, ndërsa të tjerat mund të shndërrohen në propozime që do të ndihmonin në kapërcimin e dallimeve që ende ekzistojnë mes palëve”.

“Siç ka theksuar presidenti Trump, një paqe e qëndrueshme kërkon garanci të besueshme sigurie për Ukrainën, si dhe marrëveshje të detajuara dhe konkrete për periudhën pas luftës, me qëllim uljen e rrezikut të një konflikti të ri”, deklaroi Kushner.

Në fund, Kushner vëren se mediat u kanë kushtuar vëmendje “disa qëndrimeve maksimaliste të shprehura nga të dyja palët, të shoqëruara me një retorikë politike mjaft të ashpër. Megjithatë, në bisedimet tona konfidenciale, palët pranojnë se për t'i dhënë fund kësaj lufte do të nevojiten kompromise pragmatike”.

Për këtë qëllim, “të gjithë ata që janë të angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje po vijojnë një punë serioze dhe konstruktive. Kostoja njerëzore e këtij konflikti është shkatërrimtare dhe çështjet në diskutim mbeten jashtëzakonisht komplekse. Jemi të vendosur ta vijojmë këtë përpjekje të vështirë, duke ruajtur konfidencialitetin e nevojshëm për negociata kaq delikate, me synimin për të gjetur një rrugë që do t'i japë fund kësaj lufte të tmerrshme dhe do të vendosë një paqe të qëndrueshme”.

Ora 17:51
Kievi: Sulmuam rafinerinë ruse të naftës në Samara

1794675137_tuydti.JPG

Forcat ukrainase kanë goditur një rafineri nafte në Oblastin Samara të Rusisë, një qendër e rëndësishme për eksportin e naftës bruto Ural, dhe aeroportin ushtarak Lipetsk-2 në Oblastin Lipetsk.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se disa rezervuarë magazinimi në strukturë ishin në flakë, shkruajnë mediat e huaja.

Rafineria është një nga qendrat më të rëndësishme në sistemin rus të eksportit të energjisë, duke marrë naftë nëpërmjet tubacioneve nga Tatarstani, Siberia Perëndimore dhe rajone të tjera ruse.

Nafta përzihet në vend për të prodhuar naftë bruto Ural, e cila përbën deri në gjysmën e eksporteve të naftës së Rusisë.

Objekti është shënjestruar vazhdimisht gjatë fushatës së fundit të Ukrainës për sulme në det kundër infrastrukturës ruse të naftës.

Shtabi i Përgjithshëm konfirmoi gjithashtu një sulm në aeroportin Lipetsk-2 në Oblastin Lipetsk, i cili ndodhet më shumë se 340 kilometra në lindje të kufirit ukrainas. Një hangar që strehon pajisje të specializuara për mirëmbajtjen e avionëve, një rezervuar karburanti për aviacion dhe zyrat qendore të komandës dhe kontrollit të aeroportit u raportuan se u goditën.

Ora 12:56
Zelensky akuzon SpaceX për kufizimet në Starlink: Dronët ukrainas nuk mund të fluturojnë mbi 161 km/orë

1793652225_volodymyrzelensky.JPG

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar SpaceX se nuk po tregon të vërtetën lidhur me kufizimet në sistemin satelitor Starlink, duke deklaruar se vendimi për kufizimin e shpejtësisë së dronëve ukrainas duket politik dhe jo teknik.

Sipas Zelenskyt, kufizimet janë në fuqi prej pesë ditësh. Dronët ukrainas nuk mund të fluturojnë me shpejtësi mbi 161 km/orë, ndërsa lidhjet me shpejtësi më të lartë po ndërpriten. Si pasojë, sipas tij, është vështirësuar interceptimi i dronëve rusë Shahed, si dhe operacionet ukrainase kundër objektivave ushtarake në territoret e pushtuara nga Rusia.

Duke folur me gazetarët në Kiev, presidenti ukrainas tha se u ka kërkuar drejtuesve ushtarakë ta ngrenë çështjen me SpaceX, kompaninë e Elon Musk, si dhe me Pentagonin dhe Departamentin Amerikan të Shtetit.

Zelensky pretendon se SpaceX i ka komunikuar Kievit se nuk ka vendosur kufizime, por ai e kundërshton këtë deklaratë, duke thënë se problemet janë konstatuar përgjatë gjithë vijës së frontit. Sipas tij, ende nuk ka një shpjegim të qartë për arsyet e këtyre kufizimeve.