Lufta/ Rusia godet me 40 raketa Ukrainën, të paktën 36 të vdekur! Shkatërrohet spitali për fëmijë! Zelensky firmos me Tusk: Polonia mund të rrëzojë raketat ruse në qiellin e Kievit

Kievi u godit me më shumë se 40 raketa ruse duke shkaktuar të paktën 36 të vdekur, deri tani, ndërsa 50 të tjerë mbetën të plagosur, njoftuan zyrtarët ukrainas. Një raketë ruse goditi edhe një spital të madh të fëmijëve në Kiev.

Në rrjetet sociale qarkullon një video, e cila duket se tregon raketën që godet drejtpërdrejt spitalin “Okhmatdyt” në Kiev ku ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënojat e një pjesë të shembur të spitalit, njoftoi Presidentit Zelensky i cili më pas bëri thirrje për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

 “Është shumë e rëndësishme që bota të mos qëndrojë e heshtur tani dhe të gjithë ta shohin se kush është Rusia dhe çfarë po bën ajo.” tha presidenti Zelensky në rrjete sociale

Hetuesit e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, SBU thanë se kishin vërtetuar se Rusia goditi spitalin e fëmijëve me një raketë Kh-101.

"Tashmë janë gjetur prova përkatëse në vendin e tragjedisë: në veçanti fragmente të trupit të pjesës së pasme të raketës Kh-101 me një numër serial dhe një pjesë të timonit të së njëjtës raketë," tha SBU në Telegram.

Ndërkombëtarët dënuan sulmin. Ministri i Jashtëm italian Tajani e quajti 'krim lufte'  

Sulmi vjen në prag të takimit tre-ditor të NATO-s në Uashington, që do të shqyrtojë garancitë Ukrainës se si aleanca do të angazhohet për të vazhduar përkrahjen ndaj saj dhe t’u japë shpresë ukrainasve që vendi i tyre mund t’ia dalë në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndërkohë presidenti Zelensky udhëtoi sot në Varshavë ku firmosi një marrëveshje sigurie me kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk e cila i jep të drejtën Polonisë të godasë raketat dhe dronët rusë në qiellin e Ukrainës që qëllohen drejt Polonisë. 

Nga ana tjetër Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka deklaruar se presidenti rus i tregoi se nuk kishte pritshmëri pozitive për zbatimin e një marrëveshjeje armëpushimi me Ukrainën përpara se të fillonin bisedimet serioze të paqes. Sipas tij, Putin beson se Kievi do ta përdorte këtë pauzë kundër Rusisë.

Kryeministri hungarez Viktor Orban u takua me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin. Lajmi u raportua nga mediat kineze, të cilat e përkufizuan misionin e liderit të Budapestit si "të papritur", por "me rëndësi të madhe".

Që nga 1 korriku, Hungaria ka qenë presidentja e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Orban ka bërë tashmë vizita "të papritura" në Kiev dhe Moskë.

Nga ana e Brukselit u përsërit se kryeministri hungarez nuk përfaqëson Bashkimin Evropian por vetëm interesat e vendit të tij në këto udhëtime jashtë vendit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:12
Sulmi rus në spitalin e fëmijëve, kryebashkiaku i Kievit: Nesër ditë zie

Pas sulmit në spitalin për fëmijë, Kievi do të jetë nesër në ditë zie. Lajmi është bërë me dije nga kryebashkiaku Vitalii Klychko, i cili përmes Telegramit njoftoi se nesër është vendosur ditë zie.

Klychko dënoi sulmin duke e cilësuar si një "sulm terrorist nga Rusia kundër objektivave civile".

Ora 22:05
Sulmi rus në spitalin e fëmijëve në Kiev, SHBA: Barbare! Guterres: E papranueshme! Nesër mblidhet Këshilli i Sigurimit

Shtetet e Bashkuara dënuan sulmin e Rusisë në spitalin e fëmijëve në Kiev, duke e quajtur atë nëj sulm barbar, përmes një deklarate të lëshuar nga Departamenti i Shtetit.

Një reagim ka pasur edhe nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili thotë se sulmet ruse kundër civilëve janë të papranueshme

“Sulmet e drejtuara kundër civilëve dhe objekteve civile janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe duhet të ndërpritet menjëherë”, tha Guterres.

Ndërkohë, pas sulmit nesër në 16:00 do të mblidhet Këshilli i Sigurimit. Disa shtete si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Ekuadori, Sllovenia dhe Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

"Ne do të denoncojmë sulmin frikacak të Rusisë ndaj spitalit," tha ambasadorja britanike në OKB Barbara Woodward .

Ora 20:08
Zelensky firmos marrëveshje për sigurinë me Donald Tusk: Polonia mund të rrëzojë raketat ruse në qiellin ukrainas

1720462481_volodymyrzelenskydonaldtusk.JPG

Ukraina dhe Polonia firmosën sot një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes që parashikon dhe lejimin e Varshavës për të rrëzuar raketat dhe dronët rusë në qiejt e Ukrainës

Marrëveshja e sigurisë u firmos sot nga presidenti Volodymyr Zelensky që ndodhet në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë dhe kryeministri polak, Donald Tusk.

"Ky dokument i paprecedentë përfshin një dispozitë për rrëzimin e raketave dhe dronëve rusë në hapësirën ajrore të Ukrainës që qëllohen në drejtim të Polonisë. Ne jemi të përkushtuar për ta zbatuar atë në praktikë. Ne gjithashtu do të bashkëpunojmë për avionët luftarakë - si ato të transferuara tashmë nga Polonia, ashtu edhe mundësinë e transferimit të më shumë në të ardhmen,  shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në rrjetin social X.

Marrëveshja e sigurisë e nënshkruar midis Polonisë dhe Ukrainës parashikon dhe ngritjen e një legjioni ushtarak ukrainas në Poloni, njësie e re ushtarake me qytetarë ukrainas që jetojnë në Poloni dhe që do të donin vullnetarisht të bashkoheshin në mbrojtjen e vendit të tyre, shkroi më tej presidenti Zelensky.

Kjo njësi ushtarake do të trajnohej në Poloni dhe pajisej nga partnerët tanë me gjithçka të nevojshme nga pikëpamja ushtarake;

Çdo qytetar ukrainas që është pjesëtar i këtij legjioni do të mund të nënshkruajë kontratën me forcat ushtarake ukrainase, shpjegoi Zelensky.

Ndërkohë Polonia dhe Ukraina po punojnë për të formuar një "urë energjetike" midis dy vendeve, përmes së cilës, në rast nevoje, energjia elektrike e prodhuar në Poloni duke përdorur qymyr vendas mund të dërgohet në Ukrainë. Këtë e bëri të ditur kryeministri polak Donald Tusk gjatë konferencës për shtyp me presidentin Volodymyr Zelensky.

Për këtë qëllim, shpjegoi Tusk, Polonia do të donte të mos paguante kuotat e emetimit të CO2 të vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Në këtë mënyrë ne mund të mbështesim të paktën pjesërisht ukrainasit gjatë dimrit, të kërcënuar nga kriza energjetike për shkak të bombardimeve të vazhdueshme të infrastrukturës së tyre”, shpjegoi Tusk.

Ora 13:42
Ukrainë/ Të paktën 31 të vrarë! Sulmohet edhe spitali i fëmijëve në Kiev

1720439181_kiev.JPG

Autoritetet ukrainase thanë se të paktën 31 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi “masiv” me raketa të kryer nga Rusia në Kiev dhe qytete të tjera.

Gjatë sulmeve të sotme (8 korrik) u godit edhe spitali i fëmijëve në Kiev, si dhe ndërtesa banimi.

"Spitali i Fëmijëve Okhmatdyt në Kiev u godit nga një sulm me raketa ruse. Ligjet e luftës janë shkelur shumë herë nga Rusia, por synimi i një spitali për fëmijë është përtej mizore. Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e saj kundër popullit ukrainas", shkruan Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic në aplikacionin X.

Ora 11:36
Sulm raketor në Kiev, 5 të vdekur dhe 11 të plagosur! Zelensky: Më shumë se 40 raketa ruse të lëshuara

1720431610_ukraine.JPG

Mbi dhjetë shpërthime janë regjistruar mëngjesin e sotëm në Kiev, nga Rusia.

 Nga sulmi me raketa ruse në Kiev, 5 persona kanë humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur.

Shpërthime ka pasur në qendër të Kievit dhe më të forta kanë qenë pranë zonës së parkut Taras Shevchenko, ndërsa janë dëgjuar edhe në lagjet Podil dhe Nyvky.  

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko shpjegoi se mbrojtja ajrore u aktivizua në periferi të kryeqytetit dhe se një zjarr shpërtheu pas sulmit me raketa.

Ndërsa, presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi në Telegram se më shumë se 40 raketa të ndryshme sulmuan disa zona.

"Terroristët rusë sulmuan përsëri Ukrainën me raketa. Disa qytete: Kiev, Dnipro, Kryvyi Rih, Sloviansk, Kramatorsk. Më shumë se 40 raketa të llojeve të ndryshme. U dëmtuan ndërtesa banimi, infrastrukturë dhe një spital për fëmijë", shkruan ai.

S.B/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • jani: 09/07/2024 03:28

    Deri kur do luftoje ukraina deri sa te mos mbetet me ndertese ne kembe ne ukraine...kjo eshte nje gje e tmerrshme...gabimi i ukraines ishte dorezimi i armeve berthamore...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion