Rreth 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut ndodhen në rajonin e Kurskut, në vijën e parë të frontit perëndimor të Rusisë dhe mund të angazhohen në luftime në "ditët e ardhshme", tha të hënën një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, mes shqetësimeve në rritje se përfshirja e tyre mund të zgjerojë luftën e Moskës në Ukrainë.

Ndërkohë, media amerikane New York Times shkruan se një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të Koresë së Veriut u vranë në luftime në Ukrainë.

“Trupat e Koresë së Veriut shkuan në luftë së bashku me Rusinë kundër Ukrainës dhe një numër i konsiderueshëm u vranë”, raportoi New York Times, duke cituar një zyrtar të lartë të Kievit dhe një zyrtar të lartë të SHBA.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se betejat e para midis ushtrisë ukrainase dhe trupave të Koresë së Veriut "hapin një faqe të re të paqëndrueshmërisë në botë".   Ai tha se Ukraina, duke vepruar me pjesën tjetër të botës, duhej "të bënte gjithçka që ky hap rus për të zgjeruar luftën me përshkallëzim të vërtetë të dështojë".

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha të martën se më shumë se 10,000 trupa të Koresë së Veriut kishin mbërritur në Rusi, me një "numër të konsiderueshëm" në zonat e vijës së frontit, duke përfshirë rajonin e Kurskut.