Avionët luftarakë izraelitë sulmuan "një seri objektivash të organizatës terroriste Hezbollah në të gjithë Libanin" gjatë natës. Kjo u konfirmua nga Forcat e Armatosura të Izraelit (IDF), në një postim në X ku shpjegohet se mes objektivave të sulmuara në Liban janë infrastrukturat terroriste në zonën Shabriha, Burj a-Shamali, Bakàa, Kfar Kila, Rab a-Taltin, al-Khyam e Tir Harfa.

Ndërkohë Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu u largua gjatë natës, në orën 02:00 (me orën tonë), nga baza ajrore Andreës në Uashington për t'u kthyer në Izrael. Kthimi ishte i papritur por i ardhur pas sulmit me raketë që goditi një fushë futbolli në fshatin Druze të qytetit Majdal Shams, - në Lartësitë e Golanit të kontrolluara nga Izraeli - duke shkaktuar vdekjen e 12 personave, përfshirë fëmijë dhe adoleshentë, dhe dhjetëra të plagosur, raportojnë mediat amerikane.

Ushtria izraelite tha se raketa u hodh nga grupi militant libanez Hezbollah. Grupi i mbështetur nga Irani mohoi çdo përfshirje në sulm, i cili duket se do të marrë një përgjigje të ashpër nga Izraeli.

 Ky është incidenti më i rëndë përgjatë muajve të fundit të shkëmbimeve të zjarrit mes Izraelit dhe grupeve të armatosura në Liban.

Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit nga Siria gjatë luftës në Lindjen e Mesme në 1967 dhe i aneksoi ato në 1981. Që nga nisja e luftës në Gazë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë kryer sulme të ndërsjella të përditshme. Nga fillimi i tetorit 2023, sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë më shumë se 450 vetë, shumica anëtarë të Hebzbollahut, por po ashtu rreth 90 civilë dhe jo luftëtarë. Nga pala izraelite janë vrarë 21 ushtarë dhe 13 civilë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:55
Shtëpia e Bardhë fajëson Hezbollahun për sulmin 'e tmerrshëm' në Golan

1718863913_shtepiaebardhe.JPG

Hezbollahu i Libanit kreu sulmin e tmerrshëm në Lartësitë e Golanit që vrau 12 fëmijë dhe adoleshentë, u shpreh sot Shtëpia e Bardhë.

SHBA-të fajësojnë grupin e Hezbollahur të Libanit të mbështetur nga Irani për sulmin me raketa.

‘Ky sulm u krye nga Hezbollahu i Libanit. Ishte raketa e tyre dhe u lëshua në një zonë që ata kontrollojnë’, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë, Adrienne Watson.

‘Shtetet e Bashkuara po punojnë gjithashtu drejt një zgjidhjeje diplomatke përgjatë këtij kufiri mes Izraelit dhe Libanit’, shtoi ajo.

Këshilli i Sigurisë i Zëvendës Presidentes, Kamala Harris tha në një mesazh se Harris ‘dënon sulmin e tmerrshëm nga Hezbollah’.

Ora 21:46
Macron bisedë telefonike me Netanyahun: Dënon sulmin në Lartësitë e Golanit, por i kërkon të mos ketë përshkallëzim

1720640912_emmanuelmacron.JPG

Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Macron sipas presidencës franceze dënoi në mënyrë kategorike sulmin në Lartësitë e Golanit, megjithatë i kërkoi kryeministrit izraelit që të mos kishte përshkallëzim të mëtejshëm.

Macron theksoi se Franca është plotësisht e angazhuar për të bërë gjithçka që është e mundur për të shmangur një përshkallëzim të ri në rajon, duke dërguar një mesazh për të gjitha palët në konflikt.

Ora 09:59
Njerëzit e tmerruar, pamjet pasi Hezbollahu lëshoi raketën në fushën e futbollit në Golan

Në Izrael, një raketë e lëshuar nga Hezbollahu nga Libani ra në një fushë futbolli në Majdal Shams, në veri, në lartësitë e Golanit. Të paktën 11 të vdekur dhe mbi 30 të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, mes të cilëve edhe fëmijë që luanin.

Në rrjet po qarkullojnë pamjet pas sulmit, ndërsa njerëzit janë të tmerruar dhe dëgjohen teksa bërtasin.

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz thotë  : " Hezbollahu i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe, ne po përballemi me një luftë të gjithanshme. Bota nuk mund të heshtë derisa Hezbollahu vret fëmijët që luajnë futboll”.