Izraeli nisi një valë të re sulmesh ndaj Iranit, që synojnë infrastrukturën ushtarake të regjimit. Në ditën e nëntë të luftës, IDF kreu bombardime të reja në periferitë jugore të Bejrutit, bastion i Hezbollahut, kundër infrastrukturës së grupit, duke vrarë katër persona.

“IDF ka nisur një valë sulmesh që synojnë infrastrukturën ushtarake të regjimit terrorist iranian në të gjithë Iranin”, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit në një deklaratë.

Forcat izraelite dhe amerikane goditën gjithashtu katër depo karburanti dhe një qendër transporti të produkteve të naftës në provincat Teheran dhe Alborz gjatë natës, raportoi Keramat Veyskarami, drejtor ekzekutiv i Kompanisë Kombëtare Iraniane të Shpërndarjes së Produkteve të Naftës.

Objektet "u dëmtuan", por "zjarri është vënë nën kontroll", tha Veyskarami.

Të paktën katër shoferë kamionësh u vranë në sulme, raporton agjencia e lajmeve Fars. Pavarësisht bastisjeve, "nuk ka mungesë të shpërndarjes së karburantit" dhe forcat e sigurisë "janë aktualisht të angazhuara në operacione zjarrfikëse", shtoi Fars.

Nga ana tjetër Kuvajti është përballur me një sulm të ri me raketa dhe dronë iranianë, pas një sulmi që goditi një depo karburanti në aeroportin ndërkombëtar të Emirateve.

 "Mbrojtja ajrore e Kuvajtit aktualisht po i përgjigjet sulmeve armiqësore me raketa dhe dronë", shkroi ushtria në X.

 Ndërkohë një shpërthim i fuqishëm u regjistrua pranë Ambasadës Amerikane në Oslo, Norvegji. Policia norvegjeze deklaroi se nuk ishte e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin ose kush ishte pas tij.

"Jemi në kontakt me ambasadën dhe nuk ka raportime për të lënduar", shtoi policia.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:40
Izraeli godet disa avionë luftarakë F-14 në aeroportin e Isfahanit në Iran

Disa avionë luftarakë iranianë F-14 u shkatërruan gjatë sulmeve në aeroportin e Isfahanit, tha IDF. F-14-at e prodhuar në SHBA iu furnizuan Iranit para Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Ushtria izraelite shtoi se u goditën edhe sistemet e zbulimit dhe mbrojtjes "që përbënin rrezik për avionët e Forcave Ajrore Izraelite".

Ushtria thotë se shkatërrimi i F-14-ave, së bashku me sulmet e së premtes që shkatërruan 16 avionë të operuar nga Forca Quds e IRGC-së në Aeroportin Ndërkombëtar Mehrabad të Teheranit, janë pjesë e përpjekjeve për të forcuar kontrollin e Izraelit mbi qiellin iranian. Të paktën 11 persona u vranë në sulmet e Isfahanit.