Bashkimi Evropian do të krijojë një platformë për të koordinuar rindërtimin e Ukrainës pas luftës së saj me Rusinë, tha të hënën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Platforma do të përdoret për të hartuar nevojat për investime, për të koordinuar veprimet dhe kanalizuar burimet, tha ajo.
"Që nga fillimi i luftës, Bashkimi Evropian ka mobilizuar rreth 6.2 miliardë euro (6.48 miliardë dollarë) në mbështetje financiare", tha von der Leyen. "Dhe... më shumë do të vijnë. Ne do të angazhohemi në mënyrë thelbësore në rindërtimin afatmesëm dhe afatgjatë”.
Platforma do të bashkojë vendet, institucionet, sektorin privat dhe shoqërinë civile. Do të përfshijë gjithashtu organizata ndërkombëtare, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve.
Banka Evropiane e Investimeve, krahu huadhënës i Bashkimit Evropian, po propozon një strukturë financimi të përdorur më parë gjatë pandemisë COVID-19 për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës me deri në 100 miliardë euro (104.3 miliardë dollarë) investime, raportoi Reuters të hënën.
"Përmes platformës së rindërtimit, Komisioni Evropian mund të ofrojë ekspertizën e tij të gjerë në drejtimin e programeve që kombinojnë reformën dhe investimet", tha von der Leyen.
"Përveç kësaj, ne kemi punuar ngushtë me Ukrainën për një kohë të gjatë. Dhe kjo do të intensifikohet vetëm tani që Ukraina është bërë zyrtarisht kandidate për t'u bashkuar në union".
Evropa ka një përgjegjësi të veçantë dhe një interes strategjik për të qenë në anën e Ukrainës, shtoi ajo.
“Qëllimi i Kremlinit është shkatërrimi ushtarak, politik dhe ekonomik i Ukrainës”, tha ajo. "Ata duan të minojnë vetë ekzistencën e Ukrainës si shtet. Ne nuk mund dhe nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë".
Liderët nga dhjetëra shtete dhe organizata ndërkombëtare do të takohen më 4 korrik në Lugano të Zvicrës, në takimin që ka për qëllim të hartojë një udhërrëfyes për rindërtimin e Ukrainës, teksa Rusia po intensifikon sulmet e saj.
Në takimin dyditor në Lugano pritet të marrë pjesë edhe kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Lajmi kryesor: