Luftë më zjarret, 600 vatra në 
tre javë, 125 ndërhyrje nga ajri

Situata me zjarret në vend vijon të jetë shumë problematike.

Vetëm në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë shënuar 10 vatra zjarri, në Vlorë, Elbasan, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Tepelenë. Ndërkohë që pasditen e kësaj të hëne u riaktivizua vatra e zjarrit në Njësinë Administrative Ulëz të Matit. 

Mësohet se zjarri u është afruar shtëpive çka ka bërë që banorët të alarmohen dhe të ndërkojnë ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës. 

Pavarësisht nga përpjekja e zjarrfikësve, era dhe terreni i vështirë malor, favorizon përhapjen e flakëve. Kujtojmë që këtë mëngjes zjarri u vu në kontroll pas ndërhyrjes nga ajri me helikopter. 

Për shuarjen e zjarreve janë angazhuar punonjës zjarrfikës, automjete zjarrfikëse, Forcat të Armatosura të Ushtrisë, punonjës vullnetarë, të Pyjores dhe nga Drejtoria e Zonave të Mbrojtura, etj, të mbështetur dhe nga helikopterë.
 
Emergjencat njoftojnë se ka vazhduar operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Dukat pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë.
 
Sipas tyre, zjarri u vendos nën kontroll pasi në ndihmë kanë ardhur 2 avionë nga Greqia, që kanë kryer 2 hedhje me ujë në vatrat e zjarrit që ishin shumë problematike.
 
 Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.

Del jashtë kontrollit vatra e zjarrit në Ulëz, rrezikohen disa banesa
Riaktivizohet vatra e zjarrit në Ulëz të Matit, e cila brenda pak minutave ka dalë jashtë kontrollit. 

Edhe pse në mëngjes u raportua se kishte ndërhyrë një helikopter për neutralizimin e flakëve, zjarri tashmë rrezikon banesat në fshatin Trodhen, Njësia Administrative Ulëz.

Banorët kanë kërkuar ndihmë pasi prej tre ditësh po përballen me flakët.

Emergjencat Civile bën me dije gjatë paradites është luftuar me flakët nga ajri i cili ka vënë në kontroll vatrat e zjarrit. Por gjatë pasdites zjarri ka rinisur dhe për rrjedhojë ka dalë jashtë kontrollit. 

Si pasojë e zjarrit i cili vijon prej disa ditësh në Ulëz, janë djegur një sipërfaqe prej rreth 6 dynym me dushk të ulët dhe pemë lisi.

Ndërhyrja nga toka është e vështirë për shkak të terrenit të thyer, ndërkohë që banorët bëjnë apel që të dërgohen helikopterë për të shuar zjarrin.

Zjarr masiv në Tepelenë, digjen dru frutore dhe kullotë
Një tjetër vatër e madhe zjarri është regjistruar ditën e sotme në fshatin Zharë pranë Turanit në Tepelenë.
 
Sipas raportimeve nga gazetari Piro Nase, po digjen dru frutore dhe kullotë, ndërsa dy zjarrfikëse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur operacionin.
 
Në të gjithë vendin janë regjistruar disa vatra zjarri, ndërsa dy helikopterë nga Greqia kanë vendosur në kontroll flakët në Dukat.

Mimi Kodheli: Operacionet kushtojnë 30 mln lekë
Në lidhje me situatën e zjarreve në vend, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli bëri një bilanc ku theksoi faktin se operacionet për shuarjen e zjarreve kanë kushtuar 30 milion lekë: 

"Aksioni për shuarjen e zjarreve ka kushtuar mbi 30 mln lekë të reja, lekë të taksapaguesve. Duhet ti ruajmë pemët kullotat bimët, sepse janë pasuri e jona. Ndaj duhet të tregojmë kujdes edhe me një bisht cigare të hedhur jashtë”, u shpreh Kodheli.

Gjithashtu Ministrja e Mbrojtjes u shpreh se bashkëpunimi me partnerët ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve që kërkonin ndërhyrje nga ajri.

“Avionët ushtarakë italianë e grek na janë bashkuar në ndihmë. Falënderoj homologen italiane për ndihmën, si dhe Ministrin Bushatin për ndërhyrjen dhe sjelljen nga Greqia për fikjen e zjarreve”, tha Kodheli.

Prençi: Shuam 640 vatra, 125 nga ajri
Kreu i emergjencave civile, Shemsi Prençi u shpreh se prej 3 javësh Shqipëria është përballur me 300 vatra zjarri aktive nga të cilat 125 janë shuar me ndërhyrje nga ajri.

“Në të gjithë vendin janë regjistruar 640 vatra gjithsej, 125 prej të cilave kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri. Zjarret problematike thuajse janë shuar, aktualisht ka një vatër zjarri në Skrapar, dhe një në rajonin e tunelit në Kërrabë", u shpreh Prençi.
Situata me zjarret

Situata sipas qarqeve:

Qarku Dibër
Në vendin e quajtur “Gurra e Sllatinës” në fshatin Sllatinë, Njësia Administrative Sllovë, bashkia Dibër, u krye operacione nga ajri për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u përshkrua një sipërfaqe rreth 20 ha me pemë pishe.
 
Nje tjeter operacion me helikopter u krye ne Ulëz të Burrelit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 6 dynym me dushk të ulët dhe pemë lisi.
 
Qarku Vlorë
Ka vazhduar operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Dukat të bashkisë Vlorë, pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë. Shërbimi i MZSH Vlorë së bashku me forca ushtarake dhe forca nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura kanë punuar gjatë gjithë ditës së djeshme dhe kanë shuar plotësisht zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 60 ha me shkurre.
 
Zjarri i rënë disa ditë më parë, në një sipërfaqe me shkurre, në fshatin Tragjas, Njësia Administartive Orikum, bashkia Vlorë ka vazhduar edhe ditën e djeshme. Shërbimi i MZSH Vlorë nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të vështirë. Zjarri u vu nën kontroll pasi në ndihmë kanë ardhur 2 avionë nga Greqia të cilët sipas komunikimeve të bëra në QKOEC, kanë kryer 2 hedhje me ujë në vatrat e zjarrit që ishin shumë problematike. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.
 
Qarku Elbasan
Në Liqenin e Dushkut, Njësia Administrative Lenie, bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Gramsh, ka shkuar në vendngjarje, por e ka pasur të pamundur për të vepruar me automjet zjarrfikës për shkak të terrenit të thyer malor. Forcat ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por nuk kanë arritur të shuajnë zjarrin. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e kosiderueshme me shkurre dhe pisha.
 
Qarku Berat
Tek Parku i Rezervatit të Bogovës, Njësia Administrative Bogovë, bashkia Skrapar, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Skrapar nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.
 
Qarku Durrës
Në fshatin Zgërdhesh, Njësia Administrative Fushë-Krujë, bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Krujë ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 200 rrënjë ullinj.
 
Qarku Tiranë
Në afërsi të tunelit të aksit nacional Tiranë-Elbasan, Njësia Administrative Krrabë, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Tiranë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues. Forcat ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por nuk kanë arritur të shuajnë zjarrin. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e kosiderueshme me shkurre.
 
Në afërsi të Repartit të Gardës, në Malin e Dajtit, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Tiranë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.

Redaksia Online
E.S/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Mars, 08:44

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti