Florian Marku bën që Air Albania të shpërthejë. Boksieri kuqezi ka mundur me vendim unanim te të arbitrave meksikanin Miguel Parra, duke fituar për rrjedhojë titullin WBC, ndërsa është mbajtës edhe e titullit IBF.

Pas 10 raundeve shumë të luftuara, në spektaklin e kësaj nate boksi ndërkombëtar në “Air Albania”, boksieri shqiptar Florian Marku konfirmoi formën e tij duke siguruar fitoren e radhës ndaj meksikanit i cili në disa momente edhe e vuri në vështirësi Markun.

Por në fund, gjyqtarët i dhanë të drejtë grushteve të Markut, i cili kishte lëshuar shumë të tillë në shënjestër, duke i dhënë fitoren me vendim unanim. Pas 13 ndeshjesh në karrierë si boksier profesionistë Marku numëron 12 fitore dhe 1 barazim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:01
Nga babai i Dua Lipës, te reperët e njohur e politikanët shqiptarë, tifozët VIP që ndoqën ndeshjen e Florian Markut

Ndeshja e Florian Markut, mblodhi në 'Air Albania' tifozë të shumtë të boksierit shqiptar, por të pranishëm kanë qenë edhe figura të showbizit, sportistë e politikanë. 

Në mesin e VIP-ave që shikuan ndeshjen është vënë re babai i Dua Lipës, Dukagjin Lipa, sëbashku me djalin e tij, reperi Noizy, si edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, ministrja e Sportit, Evis Kushi, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, e ish-presidenti Bamir Topi.

Ora 22:55
Florian Marku flet pas fitores: S’jam supermen, por jap shpirtin

1661461401_1661459957Screenshot2.jpg

Boksieri shqiptar Florian Marku ka qenë mjaft i emocionuar pas fitores me meksikanin Miguel Parra.

“I them faleminderit të gjithëve që erdhët sot. Kushdo që stërvitet jep shpirtin. Meksikanët janë të fortë. Një duartrokitje për meksikanin që erdhi këtu. Kam kaluar një jetë jo të lehtë si të gjithë shqiptarët. Ju falenderoj ju që keni ardhur ketu. Nuk jam as Superman as njeri që nuk goditet, edhe unë kam shpirt, por vetëm diçka ju premtoj. Do jap shpirtin derisa të bie dhe të mos çohem më. Ju premtoj se do jap shpirt”, u shpreh Marku.

Marku ka bërë një ndeshje të madhe dhe mjaft emocionuese në “Air Albania”, duke mos zhgënjyer asnjë nga të pranishmit.

Ora 22:47
Fitorja e Florian Markut, Rama publikon foton e kampionit me ‘plis’ në kokë

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur fitoren e boksierit Florian Marku. Kreu i qeverisë ka publikuar një foto, ku shihet kampioni Florian Marku me plis në kokë.

Ora 22:41
Florian Marku fiton ndeshjen në ‘Air Albania’, 'mposht' meksikanin, fiton titullin 'WBC'

 

Florian Marku është shpallur fitues i ndeshjes  në ‘Air Albania’ përball kundërshtarit meksikanit  Miguel Parra Ramirez.

Ora 22:34
Ndeshja në ‘Air Albania’, Florian Marku gjakos kundërshtarin

Vijon ndeshja në stadiumin “Air Albania” ndërmjet boksierit shqiptar Florian Marku dhe meksikanit Miguel Parra Ramirez. Boksieri meksikan shfaqet i gjakosur gjatë ndeshjes.

 

Ora 21:12
VIDEO/ Momente paniku në ‘Air Albania’, boksieri shqiptar përfundon pa ndjenja në mes të ringut

Momenti paniku kanë përfshirë për disa sekonda ringun e boksit të improvizuar të stadiumin Air Albania.

Boksieri shqiptar Amarildo Vraja ka pësuar një dëmtim të rëndë pas përballjes me kundërshtarin bullgar Borislav Volev.

Ai ka përfunduar në mes të ringut pa ndjenja, ndërsa është përmendur pak çaste me vonë.

Ora 19:56
Ndeshja e boksit në ‘Air Albania’, Lorik Cana dhe Igli Tare zënë vendet pranë Ringut (VIDEO)

Ish kapiteni i kombëtares Lorik Cana dhe ish sulmuesi Igli Tare janë ulur në rreshtin e parë pranë Ringut në ndeshjen e boksit mes Florian Markut dhe meksikanit  Miguel Parra Ramirez.

 

Ora 19:31
FOTO/ Mbërrin në ‘Air Albania’ Florian Marku, pritet me entuziazëm nga tifozët

 

Boksieri Florian Marku ka mbërritur në stadiumin ‘Air Albania’, ku do të zhvillojë përballjen e shumë pritur në boks para shqiptarëve. Ai është pritur me eufori nga tifozët.

 

Ora 18:30
Në pritje të ‘duelit’ të Florian Markut! Në ‘Air Albania’ zhvillohen ndeshjet për të rinjtë, më shumë se gjysma e stadiumit ende bosh

 

Gati 3 orë para ndeshjes së Florian Markut, në stadiumin “Air Albania” vijojnë ndeshjet për të rinjtë, ndërkohë që në stadium ende nuk janë mbushur as gjysma e vendeve.

Ora 17:11
‘Ndizen’ dorezat e boksit në Air Albania, zhvillohet ndeshja e parë! Ja kur pritet të jetë ‘dueli’ i Florian Markut (VIDEO)

 

Ka nisur aktiviteti i boksit në Air Albania prej disa minutash. Është duke u zhvilluar ndeshja e parë, ndërsa në total janë 10 të parashikuara.

Florian Marku është ndeshja e fundit dhe pritet të nisë rreth orës 21:30

  • 1-     Marinela Cani-Gulaj Bazdogan
  • 2-     Gelian Rojku-Sinan Gungor
  • 3-     Mateo Çelo – Radoslav Mitev
  • 4-     Leandro Xhelili – Viktor Lukas
  • 5-     Patricio Santini – Danier Ibarguen
  • 6-     Muhamet Qamili – Jin Kaisedo
  • 7-     Spiridhon Ymeri – Dmitro Berezni
  • 8-     Stiven Leoneti Dredhaj – Aleksandar Petroviç
  • 9-     Amarildo Vraja – Borislav Velev
  • 10-   Florian Marku – Miguel Parra Ramirez