LONDËR - Nelson Hysa siguroi të shtunën fitoren numër 25 në karrierë, 23 nga të cilat me knockout (K.O). Boksieri shkodran i peshave të rënda ka mbrojtur titullin WBO ndërsa hodhi në tapet me K.O pas dy raundeve rivalin nga Norvegjia, Thomas Narmo, me këtë të fundit që 'shijon' humbjen e parë në karrierë. Pas fitores, Hysa ka kërkuar një rival të denjë duke i hedhur dorezën e sfidës gjermanit Agit Kabayel, me të cilin shkëmbeu edhe disa fjalë të ashpra jashtë ringut.

Përballja - Hysa u fut në ring me dëshirën për të bërë mirë, kontrolloi raundin e parë dhe nuk i la rivalit asnjë mundësi për goditje. 36 sekonda pasi kambana e nisjes së raundit të dytë ra, Nelson Hysa lëshoi një grusht të fortë duke 'fikur' Thomas Narmon dhe duke e plasur në tapet. Norvegjezi u përmend, por nuk ishte më i gatshëm për të vijuar duelin dhe fitorja i buzëqeshi Hysës, i cili nuk ka asnjë humbje apo barazim në karrierë.

Aq i fortë ishte grushti i shkodranit sa Thomas Narmo u pa të dilte nga ringu duke përdorur oksigjenin.

Pas ndeshjes Hysa kërkoi një rival më të fortë, teksa u përplas me fjalë edhe me boksierin gjerman Agit Kabayel, duke e sfiduar për një përballje në Gjermani, diçka që Agit Kabayel duket se e ka pranuar.

"Çfarë është kjo?! Unë dua të ndeshem me ndonjë boksier të fortë, me ndonjë kampion. Unë kam një rekord prej 25-0, duhet të luftoj për një titull. Xhaxha Frank, Xhorxh, më jep një boksier të shkëlqyer, çfarë është kjo?! Kërkova Agit Kabayel sepse të gjithë po largohen. Ata nuk po duan të afrohen, të garojnë, po ikin. Ju lutem më sillni ndonjë ish-kampion, sepse kampion jam unë", tha Hysa për DAZN.

Ndërkohë që edhe Agit Kabayel iu përgjigj shqiptarit duke pranuar sfidën dhe mesa duket ndeshja e radhës do të jetë mes tyre.

"Nuk e di çfarë po ndodh, ai po thotë se është një superyll. Ai bëri një performancë me një rival, ne nuk e njihnim. Por tani ai po thotë se do të ndeshet me mua. Eja në Gjermani atëherë, jam gati. Janë para të lehta dhe është një luftë e lehtë kundër tij. Nuk mund të më gjuash fare, jam gati për të gjithë. Dua emra të mëdhenj. Por nëse nuk është askush përreth, ndoshta mund të luftoj me të këtë vit apo tjetrin", tha Agit Kabayel.