Dje u zhvillua face-off-i i parë mes kampionit të botës Agit Kabayel dhe sfidantit kryesor Nelson Hysa, në prag të përballjes së madhe për titullin WBC në peshat e rënda.

Bëhet fjalë për një nga titujt më prestigjiozë në historinë e boksit botëror, një brez kampionësh të të cilit i kanë mbajtur emrat më të mëdhenj të këtij sporti: Muhammad Ali, Mike Tyson, Lennox Lewis, Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk. Tashmë, emri i radhës që kërkon të shkruajë historinë është Agit Kabayel, i cili do të mbrojë titullin e botës përballë sfidantit shqiptar Nelson Hysa.

Një përballje e veçantë edhe për faktin se të dy boksierët vijnë të pamposhtur në karrierat e tyre profesionale. Nelson Hysa: 25 fitore, 23 me nokaut. Agit Kabayel: 27 fitore, 19 me nokaut.

“Unë kam ardhur këtu për titullin. E respektoj Kabayel, por më 28 nëntor do të bëj gjithçka për ta marrë titullin dhe për ta çuar në Shqipëri. Dua që shqiptarët të jenë aty dhe ta bëjmë atë natë të paharrueshme,”-u shpreh bosksier shqiptar Nelson Hysa.

“Kjo është një ndeshje e madhe për mua dhe mezi pres të luftoj para tifozëve të mi. Hysa mund të flasë më mirë se unë, por në ring do të shohim kush është boksieri më i mire,”-tha boksieri gjerman Agit Kabayel.

Dy kampionë, dy rekorde perfekte dhe vetëm njëri prej tyre do të largohet nga ringun si kampion bote.

Ndeshja do të zhvillohet më 28 nëntor, në stadiumin e Düsseldorf-it, në një event madhështor që pritet të mbledhë mbi 64 mijë spektatorë.

Interesi për këtë përballje është i jashtëzakonshëm. Vetëm në tre ditët e para janë shitur rreth 36 mijë bileta, një tregues i qartë i pritshmërisë së madhe që ka krijuar kjo sfidë.

Më 28 nëntor, në ditën e Flamurit për shqiptarët, Nelson Hysa do të kërkojë të shkruajë emrin e tij në historinë e boksit botëror dhe të bëhet kampioni i parë shqiptar i botës në peshat e rënda.

Agit Kabayel kundër Nelson Hysa. Një titull. Një ring. Një kampion bote.