MOSKË - Zyrtarë të lartë të sigurisë ruse kanë bërë të ditur se 438 ushtarë ukrainas kanë kaluar në territorin rus gjatë natës së mbrëmshme duke kërkuar azil në Rusinë fqinje.

Nga ana tjetër, ushtria ukrainase ka pranuar se disa ushtarë kanë kaluar në Rusi, por ka hedhur poshtë lajmin e mediave ruse se ushtarët kanë kërkuar statusin e refugjatit.

Ushtarët, për të cilët thuhet se kishin mbetur pa municion, kanë qenë të rrethuar nga rebelët pro-rusë. Raste të tilla janë regjistruar edhe më parë, por në numër më të vogël.

Ndërkohë, qeveria ukrainase deklaron se po fiton gjithnjë e më tepër terren ndaj separatistëve.

Sipas tyre, sot është marrë kontrolli i Jasinuvatas, një qytezë lindore, zonë e rëndësishme e hekurudhës ukrainase në veri të Donjeck-ut.
 
Sipas tyre, 5 ushtarë janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve të 24 orëve të fundit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)