Të mërkurën Qeveria do të vendosë rritjen e pagave dhe pensioneve. Do të jetë një vendim i vështirë dhe një mbledhje spektakolare. Kryeministri dhe ministri i Fincancave kanë patur disa debate në mbledhjet e qeverisë. Kanë patur luksin t'i bëjnë edhe në praninë e medias. Por, nëse debatet e mëparshme kanë patur më shumë efekt elektoral, këtë herë nuk është kështu. Të enjten, ministri i Financave paralajmëroi një periudhë të vështirë për Shqipërinë. Pas dy vjetësh përpjekjeje për të fshehur efektet e krizës globale, Bode më në fund e pranoi që po hyjmë në një periudhë të vështirë, më të vështirë se tranzicioni. " Tranzicioni për vendet e rajonit tonë nuk ishte aq i dhimbshëm ekonomikisht, pasi baza e nisjes ishte shumë më e dhimbshme, por kriza aktuale dhe marrja e masave për kapërcimin e saj, realisht i ngjan Luginës së Ferrit", ishin fjalët e tij.
Nëse nuk do ta mbështeste Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, nuk do ta besonte njeri atë që dëgjoi nga goja e Ministrit. Deri një ditë më parë fliste për Shqipërinë e paprekur nga kriza, për pasoja të ndjeshme, por jo të rrezikshme. Dhe, kur gdhiu e enjtja e 14 qershorit, paralajmëroi për një situatë më të dhimbshme se Tranzicioni. Por Fullani e konfirmoi. Kërkoi konsensus politik në kryerjen e reformave që kërkon BE që të kalojmë krizën. Berisha dje ua hodhi poshtë të gjitha. Duke paralajmëruar rritjen e pagave dhe pensioneve, Kryeministri tha se modeli i zgjedhur nga qeveria shqiptare për zhvillimin e vendit, arriti t'i qëndrojë krizës multidimensionale që pllakosi mbarë Europën.
Bode dhe Fullani duket sikur qeverisin financat e një vendi kur nuk ka shkuar akoma Berisha. Ai është një vend që ka nevojë për reforma të rëndësishme politike dhe ekonomike. Për plotësimin sa më shpejt të kushteve për marrjen e statusit të vendit kandidat që fondet e Bashkimit Europian të rriten ndjeshëm dhe të përdoren për kapërcimin e krizës. Nga ana tjetër ata shohin të domosdoshme reformat strukturore në ekonomi, orientimin e biznesit drejt tregjeve të tjera, kryesisht rajonale. Kjo për shkak se fuqia blerëse brenda kufijve nuk mjafton madje ka rënë aq sa të shkaktojë falimentimin e bizneseve. Kriza që ka mbërthyer Greqinë ku janë shumica e emigrantëve shqiptarë, por edhe Italinë dhe vendet e tjera të Europës ku gjenden shumica e shqiptarëve të larguar, ka sjellë uljen e atyre që ekomistët i quajnë remitanca, që në praktikë ishin paratë e mbijetesës për qindra mijë njerëz pa të ardhura apo me të ardhura shumë të ulëta. Rreth 600 milionë euro hidheshin në treg nga emigrantët shqiptarë që jetojnë në vendet e Eurozonës dhe që nuk mund ta përballojnë më këtë nivel prurjesh. Fuqia blerëse ra, biznesi filloi të ndiente krizën, masa e parë ishte shkurtimi i vendeve të punës. Papunësia u rrit, fuqia blerëse ra akoma më shumë.
Ky proçes rënieje që ka filluar prej më shumë se 2 vjetësh, vetëm para 5 ditësh u pranua nga drejtuesit e financave të vendit. Por ata nuk janë të fundit. Kryeministri ka një teori tjetër. Si mund të bjerë fuqia blerëse kur rriten pagat dhe pensionet? Kjo ishte pyetja çarmatosëse që bëri dje. Me aq sa i takon, qeveria rriti pagën minimale me 5 për qind. Punonjësit e kompanive private duhet të marrin 21 mijë lekë të reja minimumi nga 1 korriku. Pagat dhe pensionet që dalin nga buxheti do të rriten gjithashtu, rrjedhimisht fuqia blerëse duhet të rritet. Të paktën me atë 5 për qindësh që garanton qeveria.
Kryeministri do të kishte të drejtë nëse do të kishte edhe faktet me vete. Por në një kronikë të Top Channel të dielën, tregtarët e vegjël ankoheshin në mënyrë të organizuar për rënie të ndjeshme të fuqisë blerëse. Në tregun ushqimor dhe tregun elektrik. Industria e Ndërtimit është në kolaps të pranuar tashmë nga ndërtuesit dhe nga taksambledhësit, sepse fuqia blerëse ka rënë. Madje Qeveria u ka dhënë një dorë të fortë drejt falimentimit, duke mos u paguar qindra milionë euro që u detyrohet për rrugët e ndërtuara me tendera pa lekë. Borxhet e Qeverisë ndaj privatëve janë miliona euro edhe në sektorë të tjerë. Kryeministri është fuqia blerëse që ka rënë më shumë këto 2 vjet, pavarësisht se Qeveria shet ç'të mundet për të mbushur gropat e buxhetit. Kur nuk ka blerës të jashtëm ia shet vetes, siç bëri me Hotel Dajtin dhe Hidrocentralin e Lanabregasit.
Bashkimi Europian, në raportin e majit, tregoi shqetësim për për situatën ekonomike. Kërkoi nga Qeveria të ulë borxhin në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto, të përmirësojë klimën për investime, të përmirësojë infrastrukturën, të luftojë papunësinë dhe të rrisë kualifikimin e fuqisë punëtore, të luftojë korrupsionin dhe ekonominë informale, të shtjellojë më shumë buxhetin dhe të sigurojë të dhëna statistikore ekonomike me cilësi të lartë (pavarësia profesionale e INSTAT zë vend të veçantë këtu). Pronat dhe rritja e kapaciteteve administrative janë dhe dy pikat që BE i kërkon prej vitesh me pesimizëm.
Kështu e shihte situatën Brukseli një muaj përpara, kështu e shihnin Fullani dhe Bode 5 ditë përpara. Të kundërtën shihte Kryeministri dje. Nesër është mbledhja e Qeverisë, rasti më i mirë që Berisha dhe Bode të sqarojnë për çfarë e kanë fjalën. "Lugina e Ferrit" është në mes.
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com