Në zemër të Alpeve Shqiptare, turistë të shumtë zgjedhin Valbonën për hiking dhe aventurë.
I nxehti i qershorit nuk ndihet në fshatin piktoresk që është ‘pushtuar’ nga turistë që vijnë nga mbarë bota, që nga Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Gjermania, etj.
Peizazhet alpine, shtigjet e famshme që lidhin Thethin me Valbonën si dhe Liqeni i Komanit, po e kthejnë në një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit malor.
“Jam nga Zelanda e Re. Po bëjmë hiking, më pas do të shkojmë në Liqenin e Komanit. Turizmi këtu është duke u zhvilluar shumë dhe na kanë pritur mjaft mirë.“
“Në rrjetet sociale pamë që këtu bëhet hiking dhe u nisëm nga Tirana, në Shkodër, në Theth dhe më pas këtu. Edhe ushqimi është i mrekullueshëm. Mbrëmë provuam qoftet.”
“Vij nga Gjermania. Gjithçka është në rregull, por për hiking duhet të kesh përgatitje të mirë sepse nuk është e lehtë të kalosh shtigjet. Valbona është përfekte”.
Disa turistë qëndrojnë për javë të tëra, duke eksploruar zona të ndryshme të Shqipërisë ku vlerësojnë mikpritjen dhe ushqimin tradicional.
“Kemi një muaj në Shqipëri dhe kemi provuar shumë ushqime tradicionale. Preferoj bukë me salcë kosi. Do të qëndrojmë edhe 10 ditë. Njerëzit janë shumë mikpritës. Infrastruktura s’është e mirë, por po ndërtohet vazhdimisht”.
“Hera e parë që vij në Valbonë dhe kaluam përmes shtigjeve të Thethit. Do të vizitojmë Kosovën dhe Malin e Zi, por për Valbonën nuk mund ta kuptosh sa bukur është po nuk qëndrove disa ditë këtu”.
“Jam nga Skocia dhe po kaloj shumë mirë. Malet janë fenomenale. Shqipëri të dua! Sot bëmë hiking nga Thethi për në Valbonë. U ngjitëm lart 1000 metër. Turizmi po zhvillohet ndaj do të kthehem sërish”.
“Jam nga Kalifornia dhe kam ardhur për hiking. Notuam në ujë të ftohtë në Valbonë. Më herët isha në Himarë dhe kudo është shumë bukur.
Valbona karakterizohet nga majat e larta që arrijnë mbi 2,500 metra, pyje të dendura, livadhe alpine. Lumi Valbona, me ujërat e kthjellëta, është një nga elementët më të veçantë të peizazhit. Në fshat gjenden rreth 100 bujtina, të cilat janë plotesisht të rezervuara për muajt e verës.
Komente




