Luigj Mjeda/Shpirti dhe diapazoni
i gjerë artistik i një aktori 

Luigj Mjeda/Shpirti dhe diapazoni<br />i gjerë artistik i një aktori 
Luigj Mjeda
I dënuar nga qeveria e Zogut dhe regjimi i Hoxhës
Kur ishte redaktor i gazetës “Ora e Maleve”, Qeveria e Zogut do ta dënojë me 9 muaj burg për dramën “I padituni për gjakësi” dhe herën e dytë për artikullin “Një gjamë vorresh prej Himaret”. Kurse regjimi komunist do ta arrestojë, më 03.07.1946. Do ta dënojë me 10 vjet burg…
 
 Por Shkodra prap andrron
E zemra nuk e lshon.
Dhe mue m’dridhet nji shpresë
Si n’zemrën t’ande.
Kshtu mjes mjerimi na buron andrrimi
Pse ty e mue, Shkodër, me andrrue na kande.
-Bisedë me qytetin tim, Gaspër Pali-
 
1.Në vend të hyrjes…
Luigj Mjeda është njëri nga themeluesit e Shoqërisë Bogdani. Aktiviteti i tij teatror shtrihet nga viti 1904 deri në vitin 1944. Ka interpretuar në 51 shfaqje. Shquhet, veçanërisht në rolin e Oso Kukës në dramën Oso Kuka i Zef M. Harapit, e cila u shfaq në fillim më 28.08.1927, si dhe në rolin e Skënderbeut në dramën Deka e Skënderbeut shkruar nga Kolë Mirdita, e cila u shfaq në vitin 1917.
2.Impresione të paharruara
-Sipas rrëfimit të shkrimtarit Luigj Martini-
“… që në moshën 8 vjeçare u njoha, fillimisht në distancë, me Luigj Mjedën. Aso kohe isha nxënës në shkollën “Ndoc Mazi”. Ndërsa Ai ishte në burg për faje që nuk i dinin as njerëzit e tij, aq më pak ai vetë.
Ishte një përkëdhelje fati për familjen tonë, në atë kohë shumë të vështirë të strehoheshim si qiraxhinj dhe të jetonim si të barabartë në atë familje, së cilës i dedikojmë shumë gjëra. Së pari, respekt e mirënjohje!

Po kush ishte në të vërtetë Luigj Mjeda? Një njeri me zemër të madhe, i drejtë, me mendje përherë të qartë, me karakter të fortë dhe cilësi të shquara. Nuk dinte se ç’është shmangia kur ishte fjala për të drejtën, të vërtetën, dhe për atë që vlente më shumë njerëzve në nevojë.

Luigji i përkiste asaj shtrese të artë të zanatlijve qytetarë shkodranë të shkolluar dhe të mirëkulturuar që jetonin harmonishëm në mes fshatit dhe qytetit. Nga profesioni ishte rrobaqepës. Kishte trashëguar kulturën e përpunimit industrial të mëndafshit natyral. Njihte shumë mirë ekonominë, financën, gazetarinë, publicistikën dhe kinemanë.

Kishte lind artist i skenës. Teatri ishte debulesa e tij. “Skena, - thoshte Luigji, - është vendi që i jep zjarr emocioneve”.

Ndoshta afeksioni im për teatrin më lidhi në mënyrë të pazgjidhshme me Luigj Mjedën, që u bë më vonë më shumë se një baba i dytë. E gjeja sa herë që kthehesha nga shkolla duke më pritur galuc te dera për të mësuar diçka që ta gëzonte nga rezultatet e mia të ditës. Dhe unë asnjëherë nuk e gënjeja, ndërsa babës tim edhe i dredhoja ndonjëherë.

Kështu Luigj Mjeda me përkujdesjen e tij të përditshme u bë gradualisht mik e shok  shumë i dashur për mua. Ishte i pajisur nga natyra me intuitën e vëzhguesit të hollë sa ishte e pamundur të mos i tregoja të vërtetën. (Mirë thonë se, përngjasimi në mes njerëzve me individualitet të spikatur, nuk mund të quhet ndikim, por është më shumë se kaq).

Ai nuk ishte kujdestar për mua, por përkrahës për gjithçka, por ama me kusht, që për mësime të mos diskutonim. Kishte një marrëveshje të heshtur, që të isha më i mirë, së paku në mes atyre të lagjes.
Isha futbollist. Shkoja në stërvitje. Ai e dinte kur do të shkoja, dhe gjëja e parë që gjeja në tavolinë të korridorit ishte kostumi sportiv, ku ishte e pamundur të mos dallohej dora e mjeshtërore e rrobaqepësit pasionant e ëndërrimtar.

Ishte Luigj Mjeda ai, që bindi prindërit e mi që unë të vazhdoja studimet e larta dhe të mos bëhesha shegert i një teneqexhiu të nderuar. Dhe kjo nuk ishte e lehtë. Pa ndihmën konkrete të familjes Mjeda, pranë së cilës u rritëm pesë fëmijë pa shkuar as edhe një ditë në ndonjë çerdhe apo kopsht, nuk do ishte e mundur.

Në qoftë se unë sot jam dikushi, dhe në qoftë se Klubi shumësportesh “Vllaznia” për 40 vjet ka pasë një sportist me mbiemrin Martini, natyrshëm  s’ka si të mos i dedikohet edhe familjes së Luigj Mjedës, ku u lindëm dhe u rritëm.
Luigj Mjeda për mua qe edukatori, mësuesi, intelektuali dhe modeli i njeriut të lakmuar. Nuk e di se deri në ç’masë ia arrita,  por ju siguroj edhe sot, pas shumë vitesh, i kam parasysh këshillat e tij, sepse akoma janë aktuale, sidomos në aspektin e pavarësisë së mendimit në familje dhe në shoqëri, - kurdoherë siç thoshte ai, - brenda  caqeve të dlirësisë së plotë.

Kontributi i Luigj Mjedës në artin skenik, në krijimin e Shoqërisë “Bogdani”, në drejtimin e gazetës “Ora e maleve”, dhe së fundi në krye të zyrës së tatimeve në Bashkinë e Shkodrës, është sa i larmishëm po aq mbresëlënës.
Personaliteti individual, thjeshtësia, mirëkuptimi dhe dashamirësia pa asnjë dallin, janë disa cilësi të veçanta që bashkëkohësit i vlerësonin si virtyte me intonim personal, që jo rrallë kujtohen edhe sot nga ato që e njohën.

Ai kishte shumë miq anë e mbanë Shqipërisë, dhe nga të gjitha shtresat, dhe nga të gjitha besimet. Miqësinë e konsideronte dhuratë, shenjë dalluese e njerëzve të zgjuar që dinë të sakrifikojnë. Gëzohej, kur tek unë gjente shumë shokë dhe menjëherë mbushte tavolinën e pingpongut me fruta nga të gjitha llojet që gjendeshin në bahçe, ku kalonte shumicën e kohës.

Luigj Mjeda ishte një prind i përkryer. Model në të gjitha drejtimet. Pati katër djem dhe dy vajza, që ditën të transmetojnë në breza virtytet e gjyshit të tyre, duke ruajtur me kujdes traditat më të mira të sojit të tyre të mrekullueshëm… siç ishte familja Mjeda.”
 
3. Pak histori nga lëvizja tearore e Shoqërive paraprofesioniste…
Në lëvizjen teatrore Shkodra ka një traditë të pasur, të lakmueshme e rrezatuese. Kështu, në hapësirën kohore, deri në themelimin e teatrit profesionist lindën dhe shfaqën portretin e tyre artistik amator shumë shoqëri, si: Shkolla Fretnore (1861), Kolegji Saverian (1905) me grupet deputuese: Seminari Papnuer, Kongregacioni i Zonjës Nunciatë, Oratoria e Zemrës së Krishtit, Rrethi Bamirës i Sh’Jozefit, Orfanotrofi i Zemrës së Krishtit; e më vonë Shoqëritë: Leka, Iliria (1931); Shkolla e Motrave Stigmatine (1878), Shoqëria Rozafat (18.02.1918), Shoqëritë Mustafa Pasha me kryetar Ibrahim Gjyrezin e Vaso Pasha me kryetar Hil Mosin, të cilat u shkrinë dhe morën emrin Vllaznia (1919 – 1935), Gëzimorja (Shirokë, 1922), ku populli më vonë e quajti Shkodra (1923), Grupi i Gjon Krajnit (1923), Atmja e Lirë (1932), Djelmnia Antoniane (1933) ku në përbërje të cilës më vonë ishin Rrethi i Don Boskos e Scuola Cantorum (1935), Malet tona (1934), Grupi Shkodranë (1936), Besa (1937), Komuniteti Bamirës Mysliman (1938), Karnavalet (1861 ndoshta edhe më pare si vit), si dhe shoqëritë ndihmëtare e punëtore, etj.
Ky aktivitet i gjerë u zhvillua ndër shtatë lokalet teatrore që u ngritën herë pas here në vite, si: Saloni i Kolegjit Saverian që kishte 450 vende, i Shkollës së Françeskanëve që kishte 300 vende, i Shkollës Stigmatine që kishte 250 vende, Saloni i Parrucës (ndërtuar për kinema – teatër nga ushtritë austro – hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore) që kishte 400 vende, Saloni i Shoqërisë Bogdani që kishte 350 vende, Saloni i Shoqërisë Vllaznia që kishte 400 vende.

4.   Shoqëria “Bogdani”
Më 23 nëntor 19191 u krijua Shoqëria Bogdani. Për 20 vjet u bë feneri i lëvizjes teatrore në Shkodër. (Bënte pjesë edhe Grupi i Oratorios së Jezuitëve, të cilët u përjashtuan për shkak të melodramës Ora e Shqypnisë). Ajo ishte bërthama e parë e aktorëve profesionistë të Teatrit Migjeni të qytetit të Shkodrës.

U formua me nismën e një grupi rinie, punëtorësh, zejtarësh e pak intelektualësh. Deviza e saj ishte: Për Atdheun punojmë! Aktivitetin e vet e zhvilloi në një lokal që e kishte marrë me qira në bodrumet e shtëpisë së romancierit Ndoc Nikaj te Ara e Pashës siç quhej aso kohe. Ndër themeluesit e kësaj Shoqërie ishte dhe Luigj Pashko Mjeda. Lindi më 29 qershor të vitit 1890 në Shkodër, në një shtëpi dykatëshe me tre dhoma, një ahur, atje në lagjen Perash. Në oborrin e asaj shtëpi me pus e jerevi do të nisnin trillet e para të fantazisë fëmijërore e magjia e artit për t’u bërë aktor, ndonëse nuk kishte më shumë se shtatë klasë, të cilat i kreu në Shkollën e Jezuitëve.

Që i vogël hyri në punë për të ndihmuar familjen dhe trashëgoi zanatin e babës së tij, Pashkos – rrobaqepës. Por edhe pasionin për teatrin nuk e harroi. Kështu për herë të parë, më 1904, mori pjesë në shfaqjen teatrore Furrtari i Venedikut punuar dhe vënë në skenë nga Shtjefën Zadrima. Gjithashtu po nga Rrethi Bamirës i Kolegjit Saverian kjo trupë aktorësh e përbërë prej Kolë C. Dema, Luigj Topçija, Tefë Çefa, Kolë L. Dema, Kolë Mirashi; dhanë më 07.02.1904 lojën e gazit me titull Kasneci i Dardhës.

Në vitin 1914 e shohim në Durrës, vullnetar për të luftuar kundër Esad Pashë Toptanit. Një vit më vonë së bashku me Kel Marubin e Luigj Gurakuqin, etj.,  formojnë grupin Djelmnia Shkodrane. Në vitin 1925 merr pjesë në luftën e Koplikut së bashku me Kolë Lacën, Kolë Krajnin, Gaspër Alimhillin, Nush Pacin, Kel Marubin dhe Kolë Mirditën.
Më 23 nëntor 1919 themelon Shoqërinë Bogdani me Luigj Thaçin, Nush Pacin, Shtjefën Çefën, Ndoc Vasinë, Rrok Zadejën, Kolë Harapin, Kolë Gugën, Kolë Mirashin (Shirokën), etj., dhe më në këtë Shoqëri do të hyjnë: Zef M. Harapi, Cin Çapeli, Kolë Dema, Zef Kovaçi, Ndoc Prendushi, Ndoc K. Nushi, Loro Kovaçi, etj.
Në ditarin e kësaj Shoqërie, Luigj Mjeda zë një vend të veçantë për personalitetin e tij interesant dhe për gjurmët artistike që la e që duhen studiuar në aspektin e interpretimit në raport me kohën që u shfaq si Artist.

5.   Gjurmë interpretimesh…
*Rrethi Bamirës i Kolegjit Saverian, më 05.02.1909 shfaq dramën “Sh’Eustaku” përkthyer nga italishtja prej Kolë Thaçit. Kjo dramë u përsërit më 10.02.1922 me këta aktorë: Luigj Lacaj, Luigj Mjeda, Zef Përjaku, Mark Beni, Zef Hilgega, Çesk Luli, Gjon Krajni, Zef Kovaçi, Matish Prendushi. Nga ky Kolegj…, po nga kjo trupë me datat 15, 18, 20.02.1912 jepet pjesa “I biri i Nastradinit në shkollë”.
*Kolegji Saverian së bashku me amatorët e Shoqërisë “Bogdani” që ishte themeluar në gjirin e Oratores, me datën 20.03.1919 dha melodramën “Ora e Shqypnisë” e Ndre Zadejës. Interpretuan: Luigj Mjeda, Kolë Mirashi, Gjush Sheldia.
*Në vitin 1921 Shoqëria “Bogdani” shkëputet nga Oratorja dhe del më vete. Nis aktivitetin me melodramën “Hijet e zeza” e Ndre Zadejës, ku subjekti është me përmbajtje kombëtare. Interpretojnë: Luigj Mjeda, Shuk Radoja, Kolë Mirashi.
*Tek Oratorja, aktorin Mjeda e shohim të interpretojë: -në dramën “Artakserksi” (20.02.1912, përkthyer nga Kolë Thaçi), -në pjesën “Kumbonët e mbramjes” (14.02.1915, përkthyer nga mësuesi Kolë P. Laca, regjisor: Gjon Pentalia), -në pjesën “Jetimi i Zvicrës” (28.11.1918, punuar në shqip nga Tefë Çefa, regjisor mësuesi Zef Harapi).
*Luigj Mjeda, githashtu, ka interpretuar në dramat: “I ati i ruajtur në burg”, “Moisi Golemi”, “Ngadhnjimi i besnikëve” (10.06.1922, jo vetëm interpreton, por së bashku me shokët e tij rrobaqepës: Rrok Zadeja e Shtjefën Çefa punojnë kostumet e dramës, gratis).
*Vite më vonë, me rastin e inagurimit të teatrit të ri të Shkodrës, grupi i veteranëve – aktorë shfaqi gjysmën e aktit të tretë dhe krejt aktin e katërt të komedisë “Dy gungaçët” (përpunuar e përshtatur nga Ndoc Vasija, dhe ka këto data shfaqjeje, më 06.02.1921, 1927, 1936, 1939, 1942, gjithsej 11 herë). Trupa kësaj radhe përbëhet nga: Ndoc Radoja, Rrok Sheldia, Kolë Lush Dema, Engjëll Ljarja, Kolë Simoni, Ndoc Harapi, Gjush Sheldia, Luigj Mjeda, Brahim Duka.

6.   Më gjerë për dy drama…
Drama “Andrra e 500-vjetëve” u shfaq nga amatorët e Shoqërisë “Vllaznia”, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare. Luigj Mjeda interpretonte rolin kryesor. (Që nga viti 1914 deri në këtë premierë të re, Luigj Mjeda kishte interpretuar pa ndërprerë në më shumë se 40 premiera ndër shoqëri e organizata të ndryshme, dhe vazhdimisht në Shoqërinë “Bogdani”).

Me zërin e tij të ëmbël e të plotë, me diksionin e përsosur, me interpretimin bindës, Luigj Mjeda realizoi artistikisht rolin që i besoi regjisori Andrea Skanjeti, si dhe fitoi duartrokitjet e spektatorit shkodranë.
Ajo figurë e interpretuar me ngrohtësi, që nga forca e komunikimit emocionoi spektatorin, nuk u harrua. Gjithashtu edhe drama. Regjisori Skanjeti e vë përsëri në skenë. Është viti 1959. Më mirë le “të flasë” ditari i tij: “… kur dramën e vura në skenë përsëri me amatorët e vjetër dhe rolin kryesor do ta interpretonte gjithnjë Luigj Mjeda, ai pas 20 e ca vjetësh, tani i moshuar, e mbante në mendje mjaft mirë pjesën dhe nuk hoqa keq aspak ndër prova me të. Qe i përpiktë dhe i aftë si përherë, dhe rolin e interpretoi më së miri”.

“Nuk e kam harruar kurrë këtë rol, - thoshte Luigji, - i cili më ka pasë pëlqyer jashtëzakonisht, sepse qiste në shesh aq mirë ndjenjat tona të shqiptarit. Gjatë këtyre viteve e kam kujtuar sa herë me një kënaqësi të madhe. Nuk them gjë, por në rolet që kam luajtur gjatë gjithë jetës sime, - dhe nuk janë pak, - simpati e kënaqësi të fortë gjithmonë kam ndjerë kur kam luajtur rolin e Skënderbeut, të Oso Kukës dhe të Sokol Mirajt te “Andrra e 500-vjetëve” (Nga kujtimet e të birit, Zefit).

Në figurën e Sokol Mirajt, aktori Mjeda mishëroi atdhetarin e vërtetë e fisnik, me dimensione lirie. E paraqiti me ngjyrat më të gjalla. Theksi emocional gjatë gjithë veprimit dramatik krijon hapësirë, aq më shumë në pasazhin: “Kur flet për Shqipërinë e për shqiptarin, lëshon zjarrin e zemrës së vet!”

Gjithnjë për këtë dramë në gazetën “Festivali”, 04.08.1959, në mes të tjerave lexojmë: “30 veteranët e skenës, më i riu i të cilëve është 45 vjeç dhe më i vjetri 75, punojnë për të dalë para publikut me një pjesë të re teatrale të shkruar nga regjisori Andrea Skanjeti. Pjesa ka titullin “Andrra e 500-vjetëve” dhe ka tre akte. Në këtë dramë zhvillohen ngjarje që dëshmojnë për luftën e popullit tonë trim dhe liridashës kundër pushtuesit. Rolin e Sokolit, të patriotit të papërkulur po përgatitet ta interpretojë rrobaqepësi plak Luigj Mjeda, atë të Skënderbeut, pensionisti 65-vjeçar Ndoc Prendushi”.

Pikën kulmore të interpretimit teatror, Luigj Mjeda e pati në dramat “Oso Kuka” e “Deka e Skënderbeut”. Figurave të Oso Kukës e të Skënderbeut u dha jetë interpretimi plot mjeshtri, vullnet e këmbëngulje, i aktorit pasionant Luigj Mjeda. Veçanërisht për këto dy figura shkroi dhe shtypi i kohës. “Për aktorët më të mirë shtypi fliste me simpati për Luigj Mjedën, Zef Hilgegën…”[1]
Më vonë këtë dramë e vunë në skenë Ndoc Vasija dhe të tjerë. “Rolet kryesore, - kujton veteran i skenës Cin Çapeli, - i ka luajtur Luigj Mjeda, aktori më i dëgjuar në atë kohë, në rolin e Oso Kukës…”.

7. Hijet e Zeza
Së bashku me afishen e dramës “Hijet e Zeza” të D. Ndre Zadejës, po japim dhe zhvillimin e përmbajtjes së kësaj drame. Është më interes të shikohet koncepti dramaturgjik dhe estetik i zbërthimit të përmbajtjes, mesazhi, kultura dhe informacioni dituror; dhe në fund si përmbledhje e si konkluzion deviza: Dashuria për Atdheun e shtrenjtë!

Zhvillim
Qellimi i këti dramit asht fjesht patriotik për të zgjuemt e njaj dashtënis vllaznore ndër Toskë e Gegë.
Auktori paraqet n’Aktin I. nen allegori të njij grigjes s’shkapërdame gjejen e përvajshme e të deritashme të popullit shqyptar, i cilli i marrun nepër kamë prej hijeve të zeza, due me thanë prej njij politikës trathtare e mizore qi s’e la kurr me çue krye as me marrë frymë, s’e shef maje vedit për posë të njij bashkim vllaznuer të Toskë me Gëgë. Ky bashkim ndollë në të ndeshun t’Ademit, bari prej Tosknijet me Leken, bari prej Gegënije ndër male të thepisuna të Gegënis.  E në sa përpiqen ndër mjerime të veta bashkimi i mendimevet njallë në zemer të tyne guximin e madh me e zblue çedhen e hijeve.
E qe, n’Aktin II, ndeshen në nji shqyptar të verbët, i cilli tue mos kenë i zoti me i a u ndalë hovin, nepër terr të historis s’lumnueshme të kombit t’onë, ku si në vegim zgjohen eshtnat e të Parve, i çon deri tu fundi i shpellës ku vlon gjaku i flivet. Këtu hijet e kanë zakon me i sajue këshillet gjakbase, këshille qi shpejt do t’u dalin të tharbta. Në mjes t’asajë poterë Ademi e Leka topiten, por nji rrasë e bardhë, sheji i zgjimit t’Atdhedashtnis e çmimi i guximit të drejtë do të jet pështimi i tyne, tue i çue me pa dritë edhe nji herë në fushë të Dodonës ku motit Orakli i a çili fatin shqypnis mretnore. Prej atyne rrenimeve shperthen n’Aktë III gjama e Shqypes s’moçme: Post fata resurgam, rishtas do të njallem! Aty nen hije të njaj pemës s’vjetrueme, me degë të këputuna (qytetet e zaptueme) i merr gjumi i amel. Asht hija e Atdheut! Por edhe aj pushim i shkurtë asht i trazuem prej hijeve të zeza, qi u rrasen trathtisht, me i qitë fare.  A thue kësaj herë do t’u dalë me e shqimë kombin shqyptar? Pse Xheni (Ora) i Shqypnis, tue qitë poshtë guximin e hijeve, do të lidhin Toskë e Gegë me nji bashkim qi do të jet pështimi i Atdheut t’onë. Pse ku a bashkimi a forca e qindresa e kombit.
8.    Roli i aktorit Mjeda në Shoqërinë “Bogdani”

“Për të shpëtuar Shoqërinë “Bogdani” nga rënia, lindi ideja që ajo të bashkohej me Shoqërinë “Rozafat”, e cila aso kohe ishte e pavarur. Për të vendosur këtë bashkim u organizua një mbledhje e anëtarëve… …pas fjalës që hodhi arqipeshkvi (Lazër Mjeda), më pas ai doli. U largua nga mbledhja. Në sallë ra heshtja e rëndë. Pas pak u ngrit nënkryetari Luigj Mjeda, i cili pa marrë parasysh rrjedhojat, propozoi të vihet në votë Bashkimi i Shoqërisë “Bogdani”.[2]  
Fragmenti i cituar më lart, evidenton element të karakterit të aktorit Mjeda: vendosmërinë e urtinë. Cilësi këto, që e udhëhoqën tërë jetën.
Optika e karakterit të Mjedës pasurohet me elemente të reja, kur është fjala, e cila është e përgjegjëshme në lloj situate a rrethane. Ajo (fjala) e ka një kufi për të sotmen, por e ka edhe një kufi edhe për të ardhmen. Paraqet interes fjalimi i tij, të cilin e mbajti para se Shoqëria “Bogdani” të mbyllte kapitullin e vet teatror. Artisti Luigj Mjeda, në mes të tjerave, do të thoshte kështu: “… një vepër që nisi në heshtje, vazhdoi në heshtje për të bërë atë që ju dini më mirë, për Shkodrën tonë, për Shqipërinë tonë, po merr fund. Për 20 vjet kemi bërë çka nuk ka bërë askush, ndër 20 vjet u flijuam si mos kush, ndër 20 vjet vjelëm një fryt që s’u pa ndër të tjerë, e këtë pse deshët ju, se zemra s’iu tha kurrë jo, se vullneti s’iu mungoi kurrë…”.
 
9. Portret i papërfunduar…

Për aktorin Luigj Mjeda do të ketë edhe ditë tragjike. Kur ishte redaktor i gazetës “Ora e Maleve”, Qeveria e Zogut do ta dënojë me 9 muaj burg për dramën “I padituni për gjakësi” dhe herën e dytë për artikullin “Një gjamë vorresh prej Himaret”. Kurse regjimi komunist do ta arrestojë, më 03.07.1946. Do ta dënojë me 10 vjet burg.
Luigj Mjeda vdiq më 20.01.1962, në moshën 72 vjeçare, duke lënë pas 51 interpretime.
Ata që e kanë njohur do ta kujtojnë Luigj Mjedën me atë ecjen e ngadaltë, me fjalën e matur e të qeshur, me atë fytyrën e hollë e ballin pak të dalë, me flokët e sytë e zëz, sy që ishin përherë të lëvizshëm e gjallërues.
Dhe kjo gjallëri të mos vyshket nëpër mote, po e gjallëroj përmes këtij kujtimi të studiuesit Gjon Karma, i cili thotë: “Fillova të njihem e të interpretoj së bashku me aktorët-veteranë të teatrit amator për të cilët ushqeja një admirim të thellë që kur fillova të ndjek shfaqjet e tyre, si Luigj Mjeda me zërin melodioz e lojën e bukur në rolet pozitive…”[3]

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët, qeveria italiane synon nga janari 2025 transferimin e tyre në Gjadër

Marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët, qeveria italiane synon nga janari 2025 transferimin e tyre në Gjadër