"Lulebora e nji qyteti", disa të vërteta 
mbi gjykimin e jurisë së festivalit

mbi gjykimin e jurisë së festivalit">
Në qytetin e Shkodrës, më datat 26-28 u mbajt Festivali i kangës qytetare “Luleborë” – kuptohet si kanga e mirënjohun, me të njejtin titull, kompozue nga Simon Gjoni.

Ky Festival u mundsue me mbështetjen e Bashkisë Shkodër. Ndërsa juria ishte e përbame nga Genc Tukiçi (kryetar) Adrian Hila, Era Rusi, Valbona Karakaçi, Lisandri Kola (anëtarë). Pozicioni im si anëtar ishte me vlerësue kangën që ka tekstin ma të mirë. Çmim të cilin gjykova me ia dhanë z. Agim Doçi, me kangën “Për ty Shkodër më rreh zemra”. Vlerësim që gjeti miratim unamim, së pari nga znj.

Karakaçi e ma pas nga anëtarët e tjerë. Kjo kangë u këndue nga Rezarta Smaja nën kompozimin e Edmond Zhulalit. Personalisht e cilësova si tekstin ma të mirë në rrafsh poetik, në strukturë të kangës qytetare, në respektimin dhe konstantet metrike si edhe harmonizimin e duhun të strofave (dy oktava) dhe refrenit. Më duhet të tham, se pjesa tjetër e teksteve ishin mos me thanë nën nivelin përkatës të nji festivali, që rikthehej për ma tepër mbas pothuej 30 vjetësh.

Sigurisht që Festivali në fjalë e pati nji fitues, për të cilin votat nuk u banë kurrë publike edhe pse asht kërkue me kambëngulje nga ana ime qysh natën finale. Kanga “Nana” me kompozim të Zef Çobës dhe tekst të Alfred Çapalikut, u shpall fituese me katër vota pro dhe nji kundër. Vota kundër ishte e imja, sepse ky krijim ishte në kundërshti me shijet e mia estetike (të cilat janë relative në kangën qytetare). Plus që në tanësi kanga, më dukej si nji riciklim i veprave të mahershme kompozicionale (përfshi dhe tekstin), me suporte korale, e me pompozitete për figurën e nanës e cila në retrospektivë mund të ishte edhe asosacion me togfjalëshin e njohun “nana parti”. Në kohën e vendimit të jurisë, tue respektue vullnetin e anëtarëve veçmas profesionistëve të muzikës, u llogaritën edhe duertrokitjet e publikut, ku na paskish dalë që kanë rrahë shplakë ma shumë për këtë kangë se për asnji.

Edhe mundet (?). Si përfundim ngela veç unë pa ngritë dorën. Po e njejta ka ndodhë dhe për çmimin e tretë “Moj hylleshë”, këndue nga E. Palushaj (katër pro dhe nji kundër: po e imja). Unë personalisht isha që çmimi i parë me iu dhanë dyshes N. Mjeda-E. Luca që kënduen “Për herë të parë në Shkodër kush vjen”, që përfund zuni vendin e dytë, për shkak të elegancës profesionale e qytetare që paraqitën në ekzekutim dhe nji teksti të thjeshtë e të sinqertë për nga mënyra e ndërtimit, dhe sigurisht për merita të trajtës së kompozimit.

Motivi që më shtyu me e shkrue këtë artikull – në kundërshti me interesin parësor timin: letërsinë – asht thjesht për hir të transparencës, që në vendin tonë përgjithësisht humbë rrugës edhe në rastin kur premtohet se do të jetë. Më duhet të pohoj se juria ishte krejtsisht e lirë në qëndrimet e veta, por më duhet të theksoj se vullneti i anëtarëve nuk u çue deri në fund pasi nuk u pohue fillimisht nga kryetari Tukiçi sesi u votue, se kush ishte pro dhe kush kundër për çmimet. Jo domosdoshmërisht nji çmim shpreh unanimitet të krejt anëtarëve!

Në pritje, gjithmonë të kotë, se mos këtë fakt po e zbardhte Zyra e Kulturës së Bashkisë a instanca të tjera pranë këtij institucioni, tevona m’u kujtue shprehja krejt jopoetike “dy duer për nji krye” dhe vendosa me mbrojtë qëndrimin tim, me ba publike votën dhe tue folë për tre-katër elementë si anëtar, por edhe si impresione të nji spektatori në vetvete.

Teksteve të atyne rreth 20 kangëve, – në mbyllje, – sikundër iu përgjigja dhe njenit prej moderatorëve, z. Pandi Laço, kur m’u drejtue, u mungon tipologjia nëntekstuale e dikurshme, alegorike e luleve: pra e figurës së femrës – e idealit krahasimor me lulet e ndryshme, që ndeshen edhe në krijimet e tjera shqipe si leksemë simbolizuese. Prejse tash interesi natyrisht asht kah konsumizmi, banaliteti, kah përdhunimi tekstor i kangës shqipe në përgjithësi, dhe nuk asht çudi me gjetë vargje që ofrojnë nji komicitet vulgar.

Gjithsesi nji efekt e kanë! Mbase dhe na, tashma, duhet me u ndërgjegjësue për bjerrjen e luleve, emnave të shumtë të luleve, në kangën qytetare shkodrane, ku shpjegimi ma kuptimplotë asht pikërisht tek e shquemja e kangës, nëse e desemantizojmë dhe i japim nji semantizim të ri: Lule-bora (e kryemja e thjeshtë e foljes “me bjerrë”). 

lisander kola

lisander kola

lisander kola

lisander kola

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohen tre automjete në autostradën Rrogozhinë-Lushnje, Range Rover-i fluturon në karburant

Aksidentohen tre automjete në autostradën Rrogozhinë-Lushnje, Range Rover-i fluturon në karburant