Lulzim Basha: Ka tre vite 
që e kërkoj Sokol Olldashin  VIDEO/Patozi këngë për Sokol Olldashin

Lulzim Basha: Ka tre vite <br />që e kërkoj Sokol Olldashin  VIDEO/Patozi këngë për Sokol Olldashin
Tre vjet më parë, u nda nga jeta Sokol Olldashi, një prej figurave më emblematike dhe përfaqësuese të Partisë Demokratike, duke lënë pas një enigmë të madhe. Olldashi humbi jetën në një aksident tragjik, ndërsa disa muaj para ngjarjes kishte denoncuar manipulimin e votave në garën për kreun e Partisë Demokratike, ku përballë kishte Lulzim Bashën, por edhe Sali Berishën, i cili mbështeste Bashën.

Në një hark të shkurtër kohor Olldashi u kthye rivali kryesor i Lulzim Bashës, por në të njëjtën kohë në shqetësim për Sali Berishës, sa i takon kontrollit të PD. Megjithatë, në tre vjetorin e ndarjes nga jeta të Olldashit, ka ardhur një reagim nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ky i fundit shkruan se e ka kërkuar shpesh Olldashin në kujtimet e tij, gjatë tre viteve të fundit. Kreu i opozitës thotë gjithashtu se vlerat e Olldashit janë të forta dhe të gjalla tek dëshira e vullneti i çdo demokrati për bashkim, për të ecur përpara.

Kujtoj sot bashkë me qindra e mijëra demokratë mikun, kolegun, njeriun e përkushtuar, demokratin Sokol Olldashi. Koha ka fluturuar. Por, në këto tre vite të vështira shpesh e kam kërkuar në kujtimet e mia dhe aty kam gjetur forcën dhe vendosmërinë për të vazhduar betejën që nisëm së bashku, për një PD të bashkuar, të hapur, të fortë, për t’u përballur dhe për të fituar përballë një klike të kriminalizuar e korruptuar deri në palcë. Sokoli na mungon të gjithëve. Por vlerat e tij janë të forta dhe të gjalla tek dëshira e vullneti i çdo demokrati për bashkim, për të ecur përpara dhe për të marrë përgjegjësitë e ndryshimit të madh që po vjen”, shkruan Basha.

Patozi i kushton një këngë
Tre vjet pa Kolin! Por i paharruar është ish-deputeti për miqtë e tij. Astrit Patozi ka kujtuar deputetin e ndjerë Sokol Olldashi me një video. Politikani këndon me kitarë këngën që iu kushtua Olldashit në 3-vjetorin e ndarjes nga jeta. Deputeti e ka publikuar në rrjetin social videon, ndërsa miq të rrjetit social shprehen se ndihen të emocionuar dhe të përlotur nga ky gjest i tij. “Për ty vëlla”, është kënga që këngëtari i njohur Aleksandër Gjoka përgatiti enkas për të ndjerin Sokol Olldashi me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij. Kënga u orkestrua nga Shpëtim Saraçi. Deputeti demokrat Sokol Olldashi humbi jetën në një aksident rrugor që ndodhi pasditen e 20 nëntorit të vitit 2013 në rrugën Elbasan-Tiranë pranë fshatit Kërrabë, në segmentin ekzistues të rrugës nacionale. Olldashi humbi jetën kur automjeti të cilin drejtonte, doli nga rruga dhe ra në greminë. Autoritetet hetimore thanë se vdekja e Olldashit ishte aksidentale.
 
Olldashi zëri ndryshe brenda PD
I ardhur nga gazetaria, Olldashi hyri që herët në politikë, përmes strukturave të PD, për të qenë një ndër zërat më të fuqishëm në këtë parti, një polemist shumë i zoti dhe një zë ndryshe dhe në Partinë Demokratike në të cilën ai u rrit si politikan. Me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, Sokol Olldashi emërohet Ministër i Brendshëm, post të cilin e mban deri në vitin 2007 për ta lënë për shkak të kandidimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, garë të cilën ai e humbi përballë Edi Ramës. Më pas Olldashi emërohet në krye të Ministrisë së Transporteve, ndërsa në 2009-ën ai zgjidhet deputet në qarkun e Fierit. Me humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore te 23 Qershorit dhe dorëheqjes së kryetarit Sali Berisha, Olldashi kandidon për postin e kryetarit të kësaj force politike, ndërsa e humb këtë garë përballë kandidati Lulzim Basha. Olldashi gjatë karrierës së tij politike në Partinë Demokratike ndër të tjera ka qenë kryetar i kësaj force politike për Tiranën, anëtar i kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.
 
Ja çfarë ka thënë Olldashi për Bashën dhe Berishën
 

1.  Akuzat për zgjedhjet
“Përzgjedhja e kryetarit të ri të PD-së u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD”.
 
2.  Njëanshmëria e Berishës
“Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je, u përjashtua – siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë – apo u pushua nga puna, – siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë. Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjetër, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm”.
 
3.  Avantazhet ndaj Bashës
“Pikërisht kjo, njohja kapilare që unë kam me strukturën e PD-së dhe fakti që unë e njoh jetën e opozitës. E di se si është opozita. Unë i njoh militantët e PD. I njoh personalisht pjesën më të madhe të strukturave të PD-së. Kam përjetuar me ta ditët e mira dhe të këqija. Unë besoj se di si ta ringre strukturën e PD dhe si ta çoj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.
 
4.  Për spastrimet në PD
"Kjo parti ka nevojë të rritet, sepse ka marrë një goditje dhe ka nevojë të rigjenerohet prapë me anë të një karte morale opozitare. Sali Berisha i fitoi zgjedhjet në vitin 2005 më një kartë të fortë morale. Sali Berisha u rikonfirmua në vitin 2009 më një kartë të fortë morale. Ne duhet domosdoshmërish të ndërtojmë një kartë të fortë morale mbi të cilën të ngremë gjithë aksionin opozitar, që të kthehemi në pushtet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dhe çdo njeri i arsyeshëm do të shkonte drejt unifikimit të partisë dhe jo drejt përçarjes së partisë. Në qoftë se anëtarësia e partisë do të më besojë drejtimin e PD-së, unë absolutisht do t’i ofroj të gjitha garancitë edhe statusore që askush në PD nuk mund të bëjë spastrime të funksionarëve”.
 
5. Për fraksionet
“Unë jam kundra fraksioneve sepse janë një derë për përçarjen e partisë. PD nuk është repart ushtarak, por parti e njerëzve të lirë. Kjo parti ka nevojë të rigjenerohet, sepse e ka marrë një goditje në këto zgjedhje. Ne duhet të rikthehemi në pushtet me një kartë të fortë morale. Çdo njeri do të shkonte drejt unifikimit dhe jo përçarjes. PD nuk e ka termin përjashtim, por PD ka nevojë të forcojë disa mekanizma për të mbrojtur. Duhet riorganizimi i partisë dhe thithja e të gjitha kontributeve opozitare në parti. Hapje e PD ndaj elementëve të rinj”.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Bebe Rexha reagon sërish pas incidentit në aeroport: Nuk do të mjaftoj falja

Bebe Rexha reagon sërish pas incidentit në aeroport: Nuk do të mjaftoj falja