Teksa Lulzim Basha i fliste sot demokratëve në Fier, Sali Berisha ishte në Shkodër, por që mbrëmë kishte menduar t'ia 'prishte festën fierake' pasardhësit të tij. Një grup prej disa dhjetëra mbështetësish të 'Foltores', të nxitur nga ish-Kryeministri, ishin mbledhur në protestë kundër ardhjes së Bashës në Fier pasi sipas tyre e kishin shpallur 'Non Grata'. Momente të vogla tensioni pati herë pas herë por policia ishte aty për të ruajtur qetësinë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu riktheu takimeve në bazë nga qyteti i Fierit, i shoqëruar nga kryetari i ri i grupit të tij Parlamentar, Enkelejd Alibeaj, i cili ka qenë drejtues politik i këtij qarku në zgjedhjet e 25 prillit.

Basha i kishte të qarta mesazhet për Berishën, kur tha se prej faktit se demokratët nuk e meritojnë një situatë të tillë i ka bërë shpesh thirrje paraardhësit të tij për t'i thirrur mendve të kokës, por ai e kaloi vijën e kuqe me sulmin në selinë e PD më 8 janar.

Basha tha se koha e 'dinozaurëve të tranzicionit' siç i quajti ai Berishën, Ramën dhe Metën ka marrë fund dhe se vettingu në politikë do t'i nxjerrë përfundimisht nga skena politike e shqiptarëve. Takimi i Bashës me demokratët e Fierit ishte i pari në bazë pas vendimeve për përjashtimin nga partia të Sali Berishës dhe mbështetësve të tij kryesorë.

 

 

Videoja e plotë e Bashës në Fier

 

 
 
 
 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:51
Basha i fton të gjithë në PD: Shqipëria nuk i takon më 3 dinozarëve të tranzicionit! Me vettingun e politikanëve i largojmë

 

Lulzim Basha tha sot se me vettigun e politikanëve do t'i jepet fund dominimit të asaj që ai e quajti ' 3 dinozaurët e tranzicionit', duke iu referuar Sali Berishës, Edi Ramës dhe Ilir Metës.  

"Zëri i tyre do të dëgjohet. Të hapim një faqe që duhet të ishte hapur dekada më parë, atë të pluralizmit të vërtetë. Shqipëria dhe politika e shqiptarëve nuk i takojnë më 3 dinozarëve të tranzicionit. Dhe për këtë duhet të bëjmë sa më parë vettingun e politikanëve. Secili prej brinjëve të trëkëndëshit të Bermudës ka arsyet e veta se pse nuk e do vettingun. Kjo do ta ndajë thashethemin nga e vërteta", tha Basha, duke thënë se në djall të shkojë e shkuara pasi shqiptarwt do tw ecin para.

Ora 12:38
Basha: Ia bëra shpesh thirrjen Berishës t'i thërriste mendve të kokës por më 8 janar kaloi vijën e kuqe

 

Lulzim Basha nga Fieri tha se fakti që i është borxhli gjithë demokratëve e bëri që shpesh t'i bënte thirrje Sali Berishës që 't'i thërriste mendve të kokës' por sipas tij ish-Kryeministri e kaloi vijën e kuqe më 8 janar.

"Ti thërriste mendve të kokës dhe të mos vendoste interesat e veta mbi interesat e demokratëve. Më 8 janar në kundërshtim me thirrjet tona u kalua një vijë e kuqe që na ndan dhe që duhet të na ndajë një herë e përgjithmonë. Dhuna nuk është mjet i demokratëve. Me dhunë as nuk shantazhohen dhe as nuk detyrohen demokratët dhe as institucionet e demokratëve. As kryetari, as këshilli, as vetë degët. Nuk i përgjigjet dhunës asnjë demokrat. Përgjigja jonë ndaj dhunës së qeverisë ka qenë dhe do të jetë e fuqishme, por brenda shtëpisë sonë, askush s’mund t’i vendoset tjetrit", tha Basha.

Ora 12:32
Protesta kundër vizitës së Bashës, Kapllanaj: 20 veta, janë detyruar nga telefonata e Berishës mbrëmë në orën 23:00

 

Kreu i PD në Fier, Agron Kapllanaj tregoi se sipas tij protesta jashtë takimit që po zhvillon Basha me demokratët në Fier janë të detyruar nga Sali Berisha. Sipas tij mbrëmë Berisha ka marrë në telefon ish-kreun e PD dhe e ka urdhëruar.

"Mbrëmë në orën 11 të natës, Berisha e ka marrë ish kryetarin e PD në Fier dhe i ka thënë do i nxjerrësh se s’bën. Ata që janë atje jashtë, ata 20 veta ishin të turpëruar sepse nuk duan të jenë aty por janë të detyruar. Por për mua, Berisha i përket të shkuarës dhe ne nuk duhet të flasim më për të. Unë kam vendosur të shoh para që PD të vijë në pushtet ndaj të vetmit armik të këtij vendi që është Edi Rama", tha Kapllanaj.

Ora 11:41
VIDEOLAJM/ Basha në Fier, forca të shumta policie për ndonjë situatë të mundshme me mbështetësit e Berishës

 

Teksa Lulzim Basha ka filluar takimin me demokratët në Fier, policia ka marrë mjasa për të ruajtur qetësinë pasi disa dhjetëra mbështetës të ish-Kryeministri Berisha janë mbledhur në protestë kundër vizitës së kryedemokratit.

Ora 11:17
‘Basha je non grata’, militantët berishistë me pankarta në Fier: Atë që na ka bërë ai s’na e ka bërë as Rama! Jemi të zhgënjyer

“Basha je non grata”, ka qenë kjo “motoja” në pankartat e duarve të mbështetësve të Sali Berishës në Fier, aty ku sot po zhvillon takimin e tij me demokratët kryedemokrati Lulzim Basha.

Duke folur për Report Tv, militantët berishistë janë shprehur të zhgënjyer nga Basha, ndërsa kanë kërkuar që demokratët të bashkojnë forcat, pasi sipas tyre vetëm kështu do të mund të mundin Edi Ramën.

“Të bashkohen për të mirën e demokratëve përndryshe nuk e mundin dot Edi Ramën. Atë që na ka bërë Lulzim Basha s’na e ka bërë as Rama. Kam menduar që ishte një parti e ndershme, të bashkohet PD. Na kanë zhgënjyer. Sa të jetë Basha nuk ka më votë. Basha largohu nga Fieri. Na ka prerë në besë”, tha njeri prej tyre.