SHKUP - Zyrtarët e Bankës Botërore në Shkup kanë bërë të ditur se, me kërkesë të qeverisë së Maqedonisë, Banka Botërore po punon për projektin energjitik të “Fushë Lukovës”, por ska vendim.

Zyrtarët e Bankës Botërore në Shkup kanë bërë të ditur se, me kërkesë të qeverisë së Maqedonisë, Banka Botërore po punon për projektin energjitik të “Fushë Lukovës”, i cili synon përmirësimin e punës së hidrocentraleve që janë të ndërtuara dhe ndërtimi i një hidrocentrali të ri.
 
Banka Botërore është duke bërë ende vlerësime për projektin e paraqitur që prej vitit 2011, e sipas të cilit, sasia e ujrave që parashikohet të devijohen në kaskadën e Mavrovës do të jetë më e vogël se 2 metra kub për sekondë, që sipas burimeve të Bankës Botërore është më e ulët se sa parashikon marrëveshja për administrimin e ujrave midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, bën të ditur Zëri i Amerikës.
 
Por meqë ky devijim ujrash prek edhe vendet fqinje, si Shqipërinë, Kosovën dhe Greqinë, sipas rregullave të Bankës Botërore, këto vende duhet të vihen në dijeni.
 
Projekti, që ende nuk është miratuar nga Bordi i Drejtorëve, ka ndeshur në vështirësi për shkak të konsideratave mjedisore dhe kundërshtimeve nga banorët në Maqedoni, meqë ai pritet të ndërtohet në një park kombëtar.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)