Aktualisht në qarkun e Fierit reshjet e shiut kanë ndaluar ndërsa nuk raportohet për akse të bllokuara.

Lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati. Situata më kritike është në fshatin Thanasaj ku janë përmbytur rreth 30 banesa, por uji nuk ka depërtuar brenda tyre dhe ka shkaktuar dëme në blegtori. 

“E kam nxjerrë lopën. Pulën e ka marrë uji,  nuk kanë ardhur, s’ka komuna e Dushkut hiç fare. Pardje erdhi uji prapë”, thotë një banor.

“Është mbushur me ujë të shtëpia, tani s’kanë ardhur akoma Emergjencat. Nuk dal dot nga uji”,  vijon një tjetër.

Banorët shprehen se mbyten sa herë del Shkumbini sepse nuk janë marrë masa për të bërë 500 metra argjinaturë për të mbrojtur fshatin. Qindra hektarë tokë bujqësore janë të përmbytura.

Për të parë nga afër situatën, ka qenë edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu i cili u shpreh se është situatë dinamike dhe po e ndjekin hap pas hapi me Shtabin e Emergjencave. Momentalisht nuk ka evakuim të banorëve dhe do të jepet ndihmë për blegtorinë në bashkëpunim me pushtetin vendor.

Në orët e para të mëngjesit kemi pasur një nivel prurjesh në të gjithë elementët që krijojnë kaskadë në Shkumbin. Ujërat janë ende brenda argjinaturave, argjinaturat janë të qëndrueshme nga njëra anë dhe hidrovoret po vazhdojnë të bëjnë tërheqjen poshtë dhe janë në kapacitet të plotë. Fatmirësisht nuk kemi urdhra evakuimi për momentin, nuk na rezulton e nevojshme. Situata është dinamike, ka një stabilitet të niveleve dhe të kuotave duke ditur që është kuota më e ulët nga pikëpamja gjeografike në gjithë rrjedhën e Shkumbinit prandaj ka edhe këtë nivel rrezikshmërie specifike. Shqetësim përbën qoftë për pushtetin vendor, qoftë për drejtoritë rajonale këtu, tokat bujqësore. Disa stane në nivel bashkie na është dashur që të evakuohen dhe na duhet që patjetër tani të gjendemi pranë blegtorëve me gjithë nevojat që kanë, ushqimin koncentrat që kemi filluar ta dislokojmë në ditët e kaluara në Vlorë e Fier, do ta bëjmë edhe në bashkinë e Lushnjes sipas nevojave që do të na përcillen nga bashkia, tha Vengu.

Ndërkohë prurjet në lumin e Semanit janë në kuota të larta. Semani ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz e rrjedhimisht ka prezencë të ujit në oborret e banesave. Lumi Seman ka përmbytur me qindra hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave në Roskovec–Patos dhe Fier.


Lajmi kryesor:

Moti i keq në Shqipëri/ Lumenjtë dalin përsëri nga shtrati, hidrocentrali i Fierzës nis shkarkimet! Bllokohet aksi Krujë-Qafështamë dhe Fushë-Arrëz-Iballë nga dëbora


K.B/P.J/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 7 Janar, 22:17

    Si po e menaxhon qeveria situatën e përmbytjeve?