Radhë kilometrike automjetesh janë krijuar pranë mbikalimit të Rrëshenit, në një prej pikave më problematike të qarkullimit në Rrugën e Kombit. Trafiku rëndohet në momentin kur rruga ngushtohet nga katër në dy korsi, duke krijuar vonesa të gjata për drejtuesit e mjeteve.

Situata rëndohet edhe nga fakti se segmenti Rrëshen–Milot është i ndërtuar me vetëm dy korsi lëvizjeje, me kahe të kundërta, ndërsa pjesa tjetër e Rrugës së Kombit, nga Rrësheni drejt Morinës, është me katër korsi.

Fluksi më i madh i automjeteve është evidentuar në drejtim të Tiranës. Trafiku i rënduar lidhet edhe me lëvizjet e shumta të diasporës, e cila pas qëndrimit në vendet e rajonit po rikthehet drejt vendeve europiane ku jeton dhe punon.

Pavarësisht fluksit të lartë të automjeteve, në këtë nyje të rëndësishme rrugore nuk është konstatuar prani e patrullave të Policisë Rrugore për menaxhimin e trafikut dhe lehtësimin e qarkullimit.

Kjo situatë sjell vonesa të konsiderueshme për drejtuesit e automjeteve dhe tregon edhe një herë problematikën e krijuar në këtë segment, veçanërisht në ditët kur fluksi i lëvizjeve është i lartë.