Parku Kombëtar i Lurës me pishë të zezë e bredh digjet prej ditësh, teksa ndërhyrjet me forca zjarrfikëse e avionë nuk po arrijnë dot t’i shuajnë flakët.

Deri më tani Policia e Shtetit ka arrestuar 21 autorë zjarresh dhe po heton 44 të tjerë lidhur me zjarret në vend, por për Lurën nuk ka ende një informacion zyrtar nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Nën hetim janë vendosur vetëm shefi i monitorimit dhe dy roje.

Mes aludimeve dhe pyetjeve që ende s’kanë përgjigje, eksperti Abdulla Diku analizon disa veçori.

Diku shkruan se kur ka disa vatra të ndara në të njëjtën kuotë ngre dyshime për një pikë ndezjeje dhe rrjedhimisht për zjarrvënie të qëllimshme. Megjithatë, ai thekson se kjo duhet verifikuar në terren, përmes analizave të kronologjisë së zjarrit dhe të dhënave të tabulateve të telefonave.

Reagimi:

A është ky zjarr i qëllimshëm në Lurë?!

Nga disa foto që qarkullojnë në media, për zjarret në Lurë, veçova këtë.

Modeli hapësinor i vatrave të dukshme në shpat ngre dyshime të arsyeshme për më shumë se një pikë origjine.

Nëse pikat e ndezjes ndjekin përafërsisht të njëjtën kuotë, kjo mund të përkojë me një linjë aksesi njerëzor si; shteg, rrugë, kalim blegtorie përgjatë shpatit. Në hetimin e zjarreve do të ishte me shumë interes të kontrollohej pikërisht nëse përgjatë këtij brezi ekziston një rrugë ose shteg i tillë.

Në fotografi dallohen disa zona aktive që prodhojnë kolona tymi relativisht të veçuara. Ato nuk paraqiten thjesht si një front i vazhdueshëm që ka avancuar në drejtimin e pjerrësisë, por si vatra të shpërndara përgjatë një brezi afërsisht transversal të shpatit.

Ky është një element me rëndësi në hetimin e origjinës së zjarrit. Nëse këto vatra kanë filluar pothuajse njëkohësisht dhe midis tyre fillimisht ka pasur biomasë të padjegur, atëherë kemi një konfigurim që kërkon shpjegim. Një zjarr i nisur nga një pikë e vetme zakonisht zhvillon një model përhapjeje të lidhur me pikën e origjinës, të modifikuar më pas nga pjerrësia, era dhe heterogjeniteti i vegjetacionit.

Ky dyshim përforcohet nëse konfirmohet se vatrat janë shfaqur në një interval të shkurtër kohor dhe se era frynte nga poshtë drejt lartësive (siç duket në foto).

Në këto kushte, si efekti i pjerrësisë ashtu edhe ai i erës do të favorizonin avancimin e zjarrit përpjetë, ndërsa do ta bënin më pak të pritshëm krijimin natyror të disa vatrave të ndara në të njëjtën kuotë ose në drejtim të kundërt me erën, dhe duke zbritur poshtë shpatit.

Megjithatë, përcaktimi i zjarrvënies së qëllimshme kërkon verifikimin në terren të pikave të origjinës, kronologjisë së ndezjes dhe përjashtimin e mekanizmave të tjerë të përhapjes, përfshirë krijimin e vatrave dytësore të zjarrit përpara ose larg frontit kryesor, pa qenë e nevojshme që flaka të ketë përshkuar fizikisht gjithë hapësirën ndërmjet tyre.

Sot mund të përftohen të dhënat meteorologjike për çdo pjesë të vendit, ndaj raste të tilla nuk është dhe aq e vështirë të përcaktohen si zjarre të qëllimshme apo jo.

Nëse kombinohet edhe me gjurmimin e numrave të telefonit që kanë qenë në zonë aty, përfundimi del akoma me i saktë.

P.J/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
3.7 / 5 (3 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 9 Gusht, 17:40

    A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve?