LUSHNJE- Mes këngëve që e bënë të pavdekshme dhe kujtimeve të atyre që e njohen nga afer është përkujtuar në qytetin e saj të lindjes artistja Vacce Zela, në 87 vjetorin e lindjes.

Sheshi qendror i qytetit të Lushnjës u mbush me artdashës mbrëmjen e së martës, ndërsa ndoqën një koncert me këngët e Vaçe Zelës.

Këngëtarët lushnjarë të qendrës së artit që mban emrin “Vaçe Zela” kanë sjellë për publikun këngë nga repertori i divës së muzikës shqiptare.

Një prej artistëve që interpretoi, Elida Korreshi, bashkëudhëtare e Vaçe Zelës, fillimisht në valët e radio Tiranës e më pas në skena e festivale në mbarë vendin ndaj disa kutjime.

“Vaçja është e gjithë Shqipërisë, por në radhë të parë është lushnjarja jonë. Është lushnjarja jonë për të cilën ne krenohemi dhe unë krenohem që kam punuar me të. Kam punuar edhe gjatë periudhës që isha amatore, por dhe në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe valleve kam qenë një vit bashkë me të nëpërmjet këngës popullore”, tha Korreshi.

Artistja e madhe vijon të mbetet simbol i qytetit të Lushnjës. Qendra e artit mban emrin e saj, ashtu si dhe një shkollë. Busti në qendër të qytetit nderon figurën e saj, duke e radhitur krahas emrave të tjerë të njohur të artistëve nga Lushnja, si: Margarita Xhepa, Vath Korreshi, Faslli Haliti etj. Artistja lindi në vitin 1939 ndërsa është ndarë nga jeta në vitin 2014.