Nga fushat bujqësore, protesta e banorëve u zhvendos këtë të martë para komisariatit të Lushnjës. Rreth 70 banorë të fshatit Imshte, njësia administrative Bubullimë, kundërshtojnë ndërtimin e një parku me panele diellore në tokën që ata thonë se e përdorin prej më shumë se tre dekadash.
Përplasja nisi që të dielën, kur investitori tentoi të rrethonte zonën me struktura betoni, por hasi në rezistencën e banorëve. Pas incidentit, policia ka nisur hetim në gjendje të lirë për 6 protestues, ndërsa sot komuniteti u mblodh në mbështetje të tyre.
Banorët deklarojnë se toka është në përdorim të tyre që prej vitit 1994, me akt-përdorimi nga ish-Komuna Bubullimë. Bëhet fjalë për rreth 100 hektarë brenda basenit të lumit Seman, të cilën ata e konsiderojnë tokë shtetërore, të cilën e përdorin për të mbjellë misër, bostan dhe kultura foragjere.
Sipas tyre, pretendimi për pronësi ka ardhur fillimisht nga Bilbil Xhindoli, ndërsa më pas toka i është shitur biznesmenit Elton Çekrezit, i cili synon ndërtimin e parkut fotovoltaik. Sakaq, Report TV verifikoi në faqen zyrtare të AZHT, por nuk gjeti të publikuar një leje zhvillimi për park fotovoltaik në zonën e Imshtes të Lushnjës. Ndërsa me Xhindolin, banorët thane se janë në gjyq prej disa vitesh, pasi ai pretendon se e ka përfituar token si ish-pronar, përmes ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Ndërsa një shkresë zyrtare e Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), e datës 21.05.2024, drejtuar deputetit Erion Braçe, thotë se “nuk rezulton të ketë vendim për njohje, kthim apo kompensim prone në Imshte”.
Këtë rast, deputeti Erion Braçe, i cili mbështet banorët, e ka kallëzuar në Prokurorinë e Fierit prej 1 viti e gjysmë. Braçe, në rrjetet sociale, e ka cilësuar situatën si përpjekje për përvetësim të tokës publike nga një person, të cilit nuk ia përmend emrin, por e cilëson “Agai i ri”.
Komente











