Banorët e fshatit Jazexhiaj në Lushnje përballen prej dekadash me mungesë të ujit të pijshëm, rrugë të amortizuara dhe probleme me dritat. Ata thanë se prej 30 vitesh nuk është kryer asnjë investim nga bashkia.
Në zonën kodrinore të Lushnjes ndodhet fshati Jazexhiaj, pjesë e njësisë vendore Ballagat.
Banorët atje merren me pemtari, blegtori dhe bujqësi. Prodhimet e kanë të vështirë t’i nxjerrin në treg, edhe pse qyteti i Lushnjes ndodhet vetëm 13 km larg. Shkak është rruga, e cila është krejtësisht e amortizuar, me gropa të thella. Në verë kalimi bëhet me vështirësi, ndërsa në dimër fshati izolohet.
“S’kemi ujë të pijshëm as rrugë. Problemi është ngritur çdo kohë, në çdo moment… 30 vite pa rrugë dhe pa ujë të pijshëm. Premtime janë bërë, por deri tani asgjë nuk është bërë”, është shprehur një prej banorëve.
“Rruga ja siç e shihni… është shumë keq. Kjo rrugë për fshatin… kanë ardhur disa herë, e kanë parë, por nuk është bërë asgjë. Vetëm premtime”, ka thënë një banor i zonës.
“Kam qenë në bashki për ujin. Kryetarja ka ardhur këtu, e ka parë fshatin, por nuk është bërë as rruga, as uji, asgjë. Këtu s’ka bujqësi si duhet, s’ka treg, s’ka asgjë”, shprehet banori.
Natyra është treguar bujare me kete fshat te pasur me burime ujore, por banorët nuk kanë ujë të pijshëm në çezma, pasi nuk është investuar asnjëherë në ujësjellës. Ata detyrohen të mbushin me bidona, ndërsa për larje përdorin puse.
“S’ka ujë të pijshëm. E kemi zgjidhur vetë me puse, me depozita, me shpenzimet tona. Shteti nuk ka bërë asgjë”, thotë banori.
“Këtu dikur ka pasur ujë, por u prish tubacioni dhe nuk u rregullua më. Tani secili familje ka hapur pus vetë”, shton banori.
“Disa herë kemi ngritur shqetësimin, por nuk ka ardhur zgjidhje. Jemi detyruar ta bëjmë vetë investimin për ujë”, tha mes të tjerash Banori.
Përveç ujit dhe rrugës, banorët thonë se kanë nderprerje te energjise elektrike pasi rrjeti eshte i amortizuar.
“Këtu s’ka as ujë, as drita, as rrugë. Prej shumë vitesh nuk është bërë asnjë investim”, shtoi banori.
"Rrjeti elektrik është i vjetër, shtyllat janë të dëmtuara”, vijoi më tej banori.
Ata thonë se janë ankuar disa herë në bashkinë e Lushnjes dhe kanë marrë premtime si për ujësjellësin ashtu edhe për asfaltimin e rrugës, por deri më sot nuk është kryer asnjë investim.
Komente











