Në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin Pediatrik, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, vizitoi Onkohematologjinë Pediatrike, shërbimin e QSUT ku trajtohen fëmijët me kancer dhe sëmundje të gjakut.

Gjatë vizitës, ministrja u njoh me punën e ekipit të mjekëve dhe infermierëve, si edhe me kujdesin që u ofrohet pacientëve të vegjël. Ajo falënderoi stafin për përkushtimin e treguar ndaj fëmijëve dhe familjeve të tyre, duke vlerësuar punën që kryhet çdo ditë në këtë shërbim.

Sipas Spahiut, përmirësimi i kushteve të trajtimit ka vijuar edhe përmes investimeve në pajisje moderne, krijimit të një salle të dedikuar për sedacionin dhe ambienteve mësimore për fëmijët që qëndrojnë të shtruar në spital.

Shërbimi i Onkohematologjisë Pediatrike në QSUT është qendra kombëtare e referimit për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me patologji onkohematologjike. Ministrja theksoi se synimi është që fëmijët të marrin kujdes sa më të specializuar dhe në kushte sa më të mira gjatë trajtimit.