Prej 5 vitesh, fermerët e fushës së Tërbufit në Lushnje po përballen me një problem të përsëritur që shkakton humbje ekonomike. Kolonitë e karkalecave kanë pushtuar tokat bujqësore, në fshatrat Pluk, Ferras, Spolatë dhe Grabjan.
Sipas fermerëve, rreth 600 hektarë të mbjella kryesisht me jonxhë por dhe me misër, fasule, shalqi po shkatërrohen nga ky insekt.
Fillimisht shfaqet në sipërfaqet me jonxhë dhe më pas përhapet në kulturat e tjera.
“Ja shikojeni si k shkuar jonxha e farës, ka mbetur vetëm kërcelli. Të gjitha gjethet lulet dhe farat”, tha fermeri.
Fermerët thonë se lufta ndaj karkalecave është bërë gjithnjë e më e vështirë. Kostot e spërkatjeve janë të larta, preparatet janë të shtrenjta dhe shpesh nuk japin rezultate.
“Jo vetëm jonxha, por te gjithë bimët, karkaleci e dëmton se është si murtaja. Është e shkatërruar gjithçka. Thjeshtë vetëm fermerët çfarë kanë mundur ta luftojnë vet karkalecin, por ka kosto shumë të madhe”, tha ai.
Në vitet e kaluara, Autoriteti Kombeter i Veterinarise dhe Mbrojtjes se Bimeve ka ofruar ndihmë për fermerët e zonës, si me mbështetje logjistike dhe mekanike por këtë vit nuk ka pasur asnjë lloj mbështetjeje.
“Shteti nuk vjen te interesohet, s’më ka ardhur asnjë njeri. E bëra me helm ja e ka ngrënë, s’kam çfarë të bëj më”, tha ai.
Fermerët paralajmërojnë se mungesa e jonxhës për kafshët mund të krijojë vështirësi gjatë muajve të ardhshëm për stallat blegtorale.
Komente







