Kisha e Shën Nikollit në Krutje të Sipërme, një nga objektet më të vjetra të kultit në Myzeqe, po shkon drejt degradimit të plotë. E ndërtuar rreth shekullit të 15-të dhe e shpallur monument kulture i kategorisë së parë që në vitin 1967, ajo mbetet ndër të paktat monumente të kësaj rëndësie që nuk ka përfituar restaurim prej dekadash.

Ndërhyrja e fundit në këtë kishë daton në vitin 1922, ndërsa sot dëmtimet janë të dukshme pothuajse në çdo pjesë të saj. Naosi, afresket murale të realizuara mes viteve 1804 dhe 1811, kolonat mbajtëse, harqet, çatia dhe ambientet e shërbesave janë dëmtuar rëndë nga pesha e kohës dhe mungesa e investimeve.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga besimtarët, shërbyesit e kishës dhe Mitropolia e Beratit, deri më tani nuk është zbatuar asnjë projekt restaurimi.

“Kisha e Shënkollit daton rreth vitit 1450. Është rindërtuar në vitin 1800 dhe afresket janë pikturuar nga viti 1806 deri në 1811. Këtu zhvillohen shërbesa çdo javë dhe besimtarët vazhdojnë ta frekuentojnë. Por gjendja është për të ardhur keq. Kisha ka nevojë urgjente për rikonstruksion. Kanë ardhur disa herë specialistët e monumenteve, madje u vendosën edhe sensorë për të monitoruar lëvizjet e objektit. Pas monitorimit na thanë se ndërhyrja duhet bërë sa më shpejt, por deri tani nuk është bërë asgjë.”, tha për “Report TV”, At Ilia, prift i kishës.

Ndërkohë, Ministria e Kulturës konfirmon se specialistët kanë kryer inspektimin e objektit dhe se është hartuar projekti. janë paraqitur kërkesat për financim dhe ndërhyrja do të nisë sapo të miratohet buxheti. Sipas tyre, financimi i monumenteve prioritare varet nga fondet buxhetore të miratuara çdo vit, të cilat shpesh nuk janë të mjaftueshme, ndaj kërkohen edhe donacione të huaja për të mbuluar nevojat e restaurimit.