Lushnjë, zhduket “Djali mbi
Buallicë”, simboli i qytetit myzeqa

Lushnjë, zhduket “Djali mbi<br />Buallicë”, simboli i qytetit myzeqa
LUSHNJE-  Edhe pse ajo është një vepër arti e derdhur në bronz prej më shumë se 30 vjetësh, një buallicë mund ta ndërrojë vendqëndrimin e saj sa herë të duan drejtuesit e një bashkie..! E thënë kështu duket për të qeshur, por për autorin e veprës është një tragjikomedi.

Skulptori i njohur Maksim Bushi ndihet i shqetësuar për fatin e veprës së tij, një nga skulpturat më popullore të parkut në qytetin e Lushnjës, e cila është lëvizur disa herë nga vendi dhe tashmë është lënë në gjendje të mjerë.


Vepra e njohur “Djali mbi buallicë”, që jo rrallë shërbente si një hartë orientuese kur hyje në qytetin e Lushnjës nuk është më në parkun e këtij qyteti. Autori Maksim Bushi në intervistën për “Shqiptarja.com” shprehet i prekur për fatin e veprës, duke iu druajtur të keqes më të madhe se mos përfundojë si shumë vepra të tjera kombëtare që vidhen për skrap. Dikur në fillim të viteve ’90, thotë se kanë tentuar ta vjedhin dhe ta shesin, por atëherë shpëtoi mirë. Ndërsa sot e shkulur nga drejtuesit e qytetit vepra është katandisur në gjendje të mjerë, duke “i bërë shoqëri” rojës së ngrehinës së ish Komunales.
 
Të gjithë e mbajmë mend “Djaloshin mbi buallicë”, kur kemi kaluar pranë qytetit të Lushnjës. Madje dukej sikur ishte kthyer në një hartë simbolike për qytetin e Lushnjës, por pak e dinë se ju, skulptori Maksim Bushi, jeni autori. Si është historia e saj?

-Kjo vepër aty nga viti 1983 u vendos që të vihej në krahun e majtë të lulishtes së qytetit. Prej 30 vjetësh vërtetë ashtu siç thoni ju ajo u bë një simbol i qytetit, sepse kur i pyesje lushnjarët nga ishe, ata të përgjigjeshin se: “Pimë një kafe andej nga Buallica”. Edhe tani që është hequr t’i tregojnë gjërat, ose rrugët duke u shprehur: “Andej more nga Buallica kalo”, e “buallica” nuk është aty. Kjo është tragjikomedi.
 
 
Është ngritur ndonjë objekt në lulishten ku ishte vendosur “Djali mbi buallicë”?
 -Jo, në fillim u bënë ca kioska, pastaj u bënë ndërtesa dykatëshe a trekatëshe, etj. Lulishtja është akoma. shatrivani është akoma, dhe uji i këtij shatrivani rreh mbi pllakën që nuk ka më “Djaloshin mbi buallicë”. Kjo është gjendja, unë si autor ndihem keq, edhe pse tani kjo vepër është pronë e bashkisë së Lushnjës. Ndihem keq sepse si lushnjar unë aty jam rritur, aty jam thinjur e jam plakur dhe kjo vepër ka një lidhje të fortë me lushnjarët e mi dhe me mua. Më vjen keq që nuk është aty.
 
 Si u morr vendimi që vepra juaj të vendosej në hyrje të qytetit të Lushnjës, sepse në thelb nuk është tipike e soc-realizmit, ka një natyrë moderne?
 
-Unë kam pasur një ekspozitë në 40-vjetorin e Çlirimit në vitin 1981. Atje unë kisha dy vepra, ku njëra kishte një motiv myzeqar, ku buallica leroset me baltë dhe sipër argëtohet një fëmijë. Ky është në të vërtetë është një motiv i Myzeqesë dhe ai djali i hipur sipër saj krijon edhe një situatë entuziazmi dhe humori. U pëlqye shumë, çuditërisht dhe unë isha skulptor i ri në atë kohë, por galeria kombëtare nuk e mori, edhe pse u vlerësua me çmim kombëtar. Kështu unë këtë vepër e pata në Galerinë e Lushnjës dhe doli varianti më i mirë për mua, ku i mbështetur nga artdashësit në Komitetin e Lushnjës, unë vetë propozova për ta pasur atje si përfaqësim tipik të një elementi të rrallë Myzeqesë. Nuk pata asnjë pengesë dhe bocetin që e bëra në vitin 1983 e derdha në bronz dhe në 1984 vendoset në lulishten në dalje të qytetit të Lushnjës. Më vonë, me marrjen e pronave e mori dikushi atë lulishten, por në vitin ‘92-‘93 ishte prapë aty. Madje në ato vite keqbërësit donin ta merrnin ndoshta për ta shitur për skrap, ndoshta për ta shitur diku, se thashethemet dolën se e kishte pëlqyer një dikush që vinte nga Greqia...
 
 Tani nuk është më në asnjë vend të Lushnjës kjo vepër, ku ndodhet?
-
Çuditërisht vazhdon akoma historia se ku do ta vënë. Në bashki në parim janë dakord. Kanë vendosur me ata të urbanistikës ta rivendosin po aty në këtë lulishte, por “pak më tej”, por deri tani akoma nuk është vendosur. Vepra qëndron ende në oborrin e ish komunales së vjetër. Ajo duhet punuar, duhet pastruar dhe ka nevojë për fonde dhe duhet të vendoset atje ku ishte. Shumë vetë në Lushnje që janë mësuar me imazhin e saj po më pyesin “Ku është Buallica”.
 
Zoti Maksim, kolegët e tu, por edhe nga kritikë të artit kam lexuar se ju fare mirë mund të cilësoheni si një ndër skulptorët e rrallë të humorit, një përcaktim i veçantë ky mes të tjerëve?
-Ndonjëherë kur është fjala për të përcaktuar stilin e një artisti, ka ca gjëra që i di dhe ca gjëra që nuk i di as vetë artisti, sepse të dhënat kryesore të stilit burojnë natyrshëm. Mua nga natyra më pëlqen humori, por miqtë e mi më stimulonin pikërisht për karakterin humoristik që iu jepja veprave në skulpturë. I pëlqenin si të ishin më të veçantat. Si të thuash, unë implementova edhe në format skulpturale këtë lloj humori, për të cilin foli edhe kritika e kohës. Por në përgjithësi unë i jap një lloj lirshmërie në shprehje edhe skulpturave serioze. Që kur kishim profesor Kristaq Ramën, unë bëra gati për temë diplome një bocet humoristik. Ishin dy pleq që loznin domino. E trajtova këtë temë me fantazi dhe ai e pëlqeu shumë. Si bocet ai u çmua shumë. Dhe unë të them të drejtën meqë mora kaq shumë vlerësime mendova ta paraqisja këtë projekt për diplomë. Por ndërhyri dikush dhe tha që diploma duhet më serioze dhe unë u influencova dhe bëra një punë tjetër. Ishte një reliev që më pas u vendos në kinoteatrin “Josif Pashko”.
 
Nuk mendoni si shumë të tjerë në atë kohë se kështu ju bëtë vepra serioze i detyruar nga metoda e realizmit socialist?
-Nuk mendoj se është taman kështu, sepse çfarëdo që të jepej tema, kur dëshiron të shprehësh art me të, ajo qëndron si vepër arti në çfarëdo rrethane, ose trysnie që të bëhet. Unë kam bërë vepra me motive nga realizmi socialist si “Drapëri i parë”, ku ka qenë skulptura “Vallja dyshe e Myzeqesë”. Tema qe vërtetë “Drapri i parë”, por unë e pashë këtë vepër vetëm si lidhej me tematikën për sa i përket anës festive. Kështu që unë futa në skulpturë një motiv tjetër. Ky motiv më frymëzoi mua që më pas të bëja një skulpturë me një orkestër popullore që u quajta “Kabaja”, ku futa shuam nota humori. Atë e ka Galeria Kombëtare. Kjo ishte një vepër që u fol shumë në atë kohë. U shkrua në gazetën “Zëri i Popullit”, në gazetën letrare “Drita” dhe në një revistë që dilte jashtë, në “New Albania”.
 
Ka qenë një sukses i madh mes hierarkisë së artistëve të kohës. Si jeni ndjerë?
-Kjo më jepte nxitje të shprehja më mirë artin tim. Pastaj unë u nxita dhe u mora me karaktere të tjera myzeqare, siç është rasti edhe me motivin e buallicës dhe djaloshit të hipur mbi të. Boceti të cilin e kisha vendosur mbi një xham krijonte një efekt shumë të mirë. Sigurisht kjo vepër ka pak humor, nuk është aq sarkastike si vepra “Kabaja”, por çdo gjë e kësaj vepre u vlerësua dhe kjo u pëlqye shumë edhe nga myzeqarët, të cilët gëzoheshin shumë që kjo kafshë karakteristike që rritej në zonën e tyre, kishte marrë një karakter artistik dhe simbolik. Buallica ka qenë para se mekanizohej Myzeqeja, traktori i Myzeqesë. Por edhe një kafshë interesante shumë e bukur dhe që e pëlqente shumë ujin, sidomos kënetat, sepse kjo kafshë në origjinë është kafshë tropikale. Pra është një pasuri e rrallë e vendit tonë. Është kafshë me shumë huqe, duket “buall” siç ironizojmë ne, por është kafshë shumë sensibël. Kur punoja njëherë për ta pikturuar, bariu më tha se duhet të kisha kujdes, sepse nëse nuk të njeh, ajo bëhet e rrezikshme. Unë po vizatoja një kokë bualli mashkulli që ishte shumë i bukur dhe ai më vështronte me shumë këmbëngulje: bariu më thotë: Mos u afro shumë. Nëse nuk të njeh, reagon. Unë e vizatova bukur dhe kam vajtur me vrap në studio dhe e kam modeluar vetëm në një seancë atë kokën e buallit dhe ashtu është modeli akoma në studio.
 
Meqë ra fjala për buajt. Di gjë çfarë po ndodh me këtë pasuri të rrallë të faunës së Myzeqesë?
-Unë jam interesuar dhe kam mësuar se aty nga fundi i viteve të socializmit vazhdoi interesimi që këto kafshë të mbaheshin dhe të trajtoheshin, por fshatarët nuk po i mbanin më se u futën lopët laramane që jepnin shumë qumësht. Ato donin edhe të hanin shumë dhe kështu kooperativa i mbajti, duke u lënë një bari që t’i ruante. Mbas ‘90-s i morën fshatarët nëpër shtëpia dhe unë me dhimbje e ndiqja fatin e tyre sepse nisën të rralloheshin. Më vonë kam dëgjuara se një biznesmen tek Tre Urat mori një kompleks lopësh ka marrë edhe disa buallica për të mbajtur e trajtuar. Por buajt duan edhe ambientin e tyre, preferojnë moçalishtet me ujë. Kështu ata jetojnë kryesisht në Divjakë. Gjithashtu buallica jep pak qumësht, por kosi i saj është një gjë e rrallë. Ajo ka qumësht sa për viçin e saj, që quhet kotorri. Unë jam nostalgjik për gjërat ekzotike dhe interesi për to më bëri që të jem edhe i vërtetë në modelimin e buallicës në këtë vepër, që u bë i pëlqyeshëm dhe ndaj sot pyesin: “Ku është Buallica”. Jam përpjekur që të mos jem skematik në punët e mia.
 
Shkrimi u publikua sot (19.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024