Lutfi Dervishi: Rezistencë civile apo partiake?

Lutfi Dervishi: Rezistencë civile apo partiake?

Protestues para Kryeministrisë, 7 tetor 2024

Opozita mbajti një tjetër protestë e cila sipas paralajmërimeve, do të ishte e mbushur me sekrete dhe surpriza.

Por marshimi nuk ofroi asgjë të re veç zgjerimit të listës së godinave të goditura me molotov.

Kjo ishte surpriza?

Në teorinë klasike të rezistencës civile, (rasti Gandi), rezistenca është paqësore.

Synimi kryesor është të sfidohet kundërshtari duke mos iu bindur, edhe kur kërkesat e tij janë të ligjshme.

Kjo është një formë proteste e cila ndërton legjitimitet për kauzën e saj përmes veprimit paqësor dhe masiv.

Masivizimi është një thelbësor; vetëm kur ka mobilizim, mosbindja civile arrin efektin e dëshiruar.

Kjo është forma e rezistencës që historikisht ka pasur sukses në përballjen me qeveritë.

Por, suksesi i mosbindjes civile varet jo vetëm nga organizimi i protestuesve, por edhe nga natyra e kundërshtarit.

Siç theksonte vetë Gandi, suksesi i tij u arrit sepse përballë kishte një kundërshtar me integritet institucional, si Perandoria Britanike, e cila ishte e ndjeshme ndaj presionit moral dhe politik.

Në kontekstin shqiptar, ky faktor merr një rëndësi të veçantë kur ke parasysh se kush është përballë.

Aktualisht, vendi përballet me sfida të shumta që prekin direkt jetesën e qytetarëve dhe në një vend normal protestat duhet të organizoheshin nga të prekurit, grupet e interesit, apo sindikatat dhe jo nga partitë.

Kostot e larta të jetesës ndihen mbi kurrizin e çdo familjeje, duke bërë që shumë të pakënaqur të marrin rrugën e emigrimit.

Ky eksod permanent ka zbrazur qytete e fshatra, me pasoja serioze per sot dhe neser.

Sot auditorët e universiteteve kanë qenë më të zbrazur se kurrë më parë.

Duket se vendi po lëngon më shumë nga demografia se nga demokracia.

Qeveria, në vend që të përballet me këtë krizë demografike dhe të aplikoje politika që të nxisin qëndrimin e të rinjve në vend, duket se është e përqendruar në propagandë masive dhe në zhvillimin e projekteve të mëdha, “Shqipëria 2030”.

Në këtë kontekst, opozita pritet të ofroje zgjidhje dhe të jetë strehe për t’i bërë vend pakënaqësive në rritje.

Protestat e deritanishme nuk krijojnë atë ndjesi masive të rezistencës që mund të shkundë qeverinë.

Edhe pse pakënaqësia është në rritje, kjo nuk përkthehet në rritje të mbështetjes për opozitën, pasi ajo thjesht nuk po i bind të pakënaqurit.

Të pakënaqurit me qeverinë ndoshta kanë nevojë të shohin portrete të reja, njerëz të rinj (jo domosdoshmerisht ne moshe) dhe ide të reja.

Qytetarët përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, me pensione që nuk mjaftojnë për mbijetesë, dhe me një ndjenjë të përgjithshme pesimizmi për të ardhmen e vendit.

Megjithatë, protestat e opozitës duket se mbeten në një nivel deshperues, të orientuara më shumë drejt akteve që prodhojne “lajm” sesa në ndërtimin e një platforme të qartë politike që mund të bindë masat apo një aksioni që paralizon dhe imponon.

Mosbindja civile, për të qenë efektive, kërkon që opozita të jetë në një linje me të pakenaqurit, të ndjekë kauzat që i prekin ato drejtpërdrejt.

Pa këtë lidhje, protestat kthehen në shfaqje të radhës në një cikël të pafund të krizes politike.

Nëse opozita dëshiron të jetë efektive në përballë qeverisë, ajo duhet të ndalet dhe të dëgjojë më mirë zërat e qytetarëve, të dalë nga loja e spektakleve dhe të ofrojë zgjidhje që adresojnë hallet e përditshme.

Pa këtë lloj qasjeje, çdo molotov i hedhur mund të prodhoje foto per faqen e parë, por nuk bën gjë tjetër veçse dëmton edhe më shumë besimin e publikut te opozita.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano