Në Kishën e Shën Kollit pas liturgjisë hyjnore sot u mbajt mesha e përshpirtjes për ish Kreun e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Besimtarët ortodoksë të Elbasanit ndezën qirinj dhe u lutën për shpirtin e Kryepeshkopit të ndjerë. Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit e Librazhdit, At Andoni u shpreh se Kryepeshkopi Anastas do të mbetet në zemrat e të gjithë besimtarëve ortodoks për të gjithë atë çfarë ai bëri për Kishën Ortodokse Shqiptare.
Kisha e Shën Kollit në lagjen Shënkoll është një ndër objektet më të rëndësishme fetare dhe kulturore të kësaj zone. Ajo është ndërtuar në vitin 1996 dhe është një simbol i ringjalljes së besimit dhe i traditës ortodokse pas përmbysjes së komunizmit pasi më herët kishat dhe objektet fetare ishin të mbyllura dhe të ndaluara.
Fondet për ndërtimin e kësaj kishe u mundësuan nga Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili gjatë gjithë kohës ka luajtur një rol të rëndësishëm në rikthimin e jetës fetare dhe restaurimin e kishave në Shqipëri pas vitit 1990.
Kisha e Shën Kollit në Elbasan është ndërtuar për lavdi të Perëndisë dhe si një vend adhurimi për besimtarët ortodoksë në qytetin e Elbasanit dhe zonat përreth.Kjo kishë ka një arkitekturë tradicionale dhe është e njohur për bukurinë e saj dhe për rolin që luan në jetën shpirtërore të komunitetit ortodoks.
Lajmi kryesor:
Greqia nderon Anastasin, shërbesa e liturgjisë hyjnore në Mitropolinë e Athinës,i pranishëm Mitsotakis e ambasadorja shqiptare! Lutje në kishat ortodokse në Shqipëri

