Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, dënoi të enjten aktet e dhunës të shfaqura në protestën e Sali Berishës, duke i konsideruar shenjë të impotencës së PD-së.
“E vetmja dhunë autentike buron nga protestat spontane të popullit, por që një parti të inskenojë dhunë është e papranueshme dhe është shenjë e impotencës. Dhuna kërkon të fshehë pafuqinë, mungesën e besueshmërisë, mungesën e popullaritetit” tha Qori në një intervistë me emisionin Studio Live në Report TV.
Ai kritikoi edhe qasjen e partive si ajo e Agron Shehajt që sipas tij ditën është kundër Berishës dhe natën me të. Qori përjashtoi mundësinë e një bashkimi me çdo parti tjetër duke shprehur kundërshtinë ndaj fenomenit të telenovelizimit të politikës dhe theksuar se shpëtimi nuk vjen nga pazaret e politikanëve. Qori nuk është në favor të një qeverie teknike, siç kërkohet nga Berisha por në favor të zgjedhjeve të parakohshme.
“Për ne, shpëtimi nuk vjen nga pazaret mes politikanëve. Kërkesa e duhur është ajo e zgjedhjeve të parakohshme. Ata që politikën e shohin si Pazar mendojnë për bashkëpërfitimeve. Sot Sali Berisha thotë më mirë të kem gjysmën e qeverisë e të qeveris bashkë me Edi Ramën dhe të dy bashkë ti shërbejmë oligarkisë” tha Qori.
Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori kritikoi 'heshtjen' e Sali Berishës dhe Partisë Demokratike në lidhje me protestën e banorëve të Rrjollit kundër resortit të Bashkim Ulajt në Velipojë.
“Sali Berisha bëhet 'super diplomat kur i duhet të flasë për protestën e banorëve të Rrjollit kundër Bashkim Ulajt. Berisha mund ta bëjë mizën buall për çdo gjë, por në këtë rast buallin e bën mizë” tha ai gjatë një interviste me emisionin Studio Live në Report TV, duke insistuar në qëndrimin e Lëvizjes Bashkë kundër asaj që ai e quajti ‘oligarki ekonomike.’
Banorët e Rrjollit kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik nga kompania 'Gener 2' me argumentin se zona ku parashikohet zhvillimi i projektit përfshin toka që ata i konsiderojnë pronë të ligjshme.
Përfaqësues të komunitetit i janë drejtuar Prokurorisë me dokumentacionin e pronësisë, si dhe Bashkisë Shkodër, për të kërkuar sqarime lidhur me procedurat e ndjekura për dhënien e lejes së ndërtimit, duke insistuar për verifikim institucional dhe transparencë mbi procesin administrativ.
Komente












