Vaxevanis publikoi në revistën e tij “Hot Doc” listën e 2059 qytetarëve grekë, që sipas tij mbajnë sekret prej vitesh llogari bankare në Zvicër, pa shlyer detyrimet fiskale.
Vendimi është marrë nga gjykata e Athinës, pasi ka pranuar kërkesën e avokatëve të gazetarit, në një sallë të mbushur me reporterë, trupa televizive dhe qytetarë të thjeshtë.
ARRESTIMI
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Vaxevanis shkroi në rrjetin social se afro 15 policë janë para banesës së tij. "Le të vijnë dhe të më arrestojnë si bashkëpunëtor me gjermanët. Tani janë duke ardhur me një prokuror. Po më arrestojnë. Në vend që të arrestojnë hajdutët dhe ministrat që thyejnë ligjin, duan të arrestojnë të vërtetën. Bëra atë që do të bënte çdo gazetar", shkroi ai. Një zyrtar i policisë tha dje për median se prokurorët lëshuan një urdhër arresti për Vaxevanis për shkak se ai ka publikuar një listë me emra pa një leje të posaçme duke shkelur ligjet për të ardhurat personale dhe shkeljen e privatësisë.
HISTORIA E LISTES LAGARDE
Historia e “Listës Lagarde” është një metaforë e fuqishme për problemet e Greqisë. Lista është pjesë e mijërave emra mbajtësish të llogarive zviceriane të HSBC të “vjedhura” nga bankieri Herve Falciani nga sistemet kompjuterike të HSBC dhe të blera nga Gjermani për të luftuar evazionin fiskal.
Dokumenti u është dërguar më pas të gjithëve kancelarëve europianë dhe Lagarde mori detyrën që t’ia çonte Greqisë, duke bërë një takim me ish-ministrin e Financave George Papaconstantinou.
Papaconstantinou (pasi pa që në listë ishin shumë emra të ministrisë së tij, thonë gojë e këqija) bllokoi publikimin në pritje për të marrë viston nga avokatët për të shmangur problemet me jetën private dhe e dërgoi një kopje të diskut skuadrës së anti-mashtrimit e udhëhequr nga Yannis Kapeleris. Ministri e kaloi në duart e Kapeleris dhe ai mendoj se me këtë çështje duhet të merrej ekzekutivi. Lista krejt papritur është zhdukur për 2 vjet, deri kur Evangelis Venizelos, ish-ministri i Financave pas Papaconstantinou dhe lideri i socialistëve të PASOK, i vënë nën presion nga trashëgimtari i tij Yannis Stournaras, ka pranuar ekzistencën e listës, duke pranuar se përmbajtja e saj kishte humbur.
“Hot Doc” publikoi listën, duke saktësuar me korrektësi se të kishe një llogari në një bankë zviceriane nuk do të thotë automatikisht që të jetë një evazion fiskal. Ndër emrat është ai i Stavros Stavropoulos, këshilltar i afërt i Samaras, 2 ish-minitra të Demokracisë së Re, njëri prej të cilëve kreu vetëvrasje ditët e fundit pas thashethemeve të para në lidhje me rolin e tij. Askush nuk ka konfirmuar apo mohuar saktësinë e artikullit. Ekipet e anti-mashtrimit për momentin nuk kanë lëvizur as gishtin. Qeveria nuk ka sugjeruar të paktën as një debat parlamentar mbi listën.
(eç/shqiptarja.com)