TIRANE- Në fillim të javës së ardhshme nis shpërndarja e teksteve shkollore në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme në mbarë vendin.

Lajmi është konfirmuar nga këshilltari i ministrit të Arsimit Jovan Kristiqi i cili tha se nga dita e hënë, më 27 gusht në të gjithë shkollat do të nisë shitja e teksteve shkollore dhe nxënësit mund të tërheqin paketën e librave në shkollat e tyre.

Ai tha se titujt e teksteve shkollore janë shtypur të gjitha në masën 100 përqind pra nuk ka asnjë mungesë teksti, dhe procesi i shpërndarjes është përgjegjësi e botuesve.

Ministria e Arsimit, tha Kristiqi do të ndjekë me kujdes gjithë ketë proces për të mos lejuar asnjë vonesë në shpërndarjen e librave e cila do të vazhdojë deri në datën 10 shtator, ditë kur nis dhe viti i ri shkollor 2012-2013.

Risia e këtij viti është abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cila është futur si tekst alternativë në programin mësimor të shkollave. Ende nuk thuhet zyrtarisht se sa shkolla e kanë zgjedhur abetaren e re por ajo që është e sigurt, është se me këtë abetare do të mësojnë të gjithë fëmijët që nisin klasën e parë në Kosovë.
(sg/atsh/shqiptarja.com)