"Ç'më tha Azemi para vrasjes"

(9/11/2001)Azemi më kish paralajmëruar për atentatin, por edhe pa njoftimin e tij, unë e kisha kuptuar se jeta e bashkëshortit tim ishte në rrezik". Kështu rrëfen, bashkëshortja e Azemit, Fatmira Hajdari, e cila thotë se edhe ish-ministri Teta, dy ditë pas marrjes së postit, i kish thënë asaj, se "Azemi duhet të na njoftojë, sa herë të largohet jashtë rretheve, në mënyrë që t'i sigurojmë ruajtjen e jetës". Zonja Fatmira, si i keni përjetuar momentet pas atentateve ndaj Azemit "Ka qenë një periudhë ankthi. Azemi më thoshte gjithmonë, "Fatmira, jeta ime është e kërcënuar dhe kur nisem në mëngjes, nuk dihet nëse do të kthehem përsëri në darkë. Për shkat të planeve që po përgatiten për mua çdo ditë mund të jetë dita e fundit e jetës". Por edhe pa këto paralajmërime unë kisha kohë që e kisha kuptuar këtë gjë. Madje qysh në Dhjetorin e vitit '90. Më pas, gjithshka nisi të kristalizohej në lidhje me rrezikun që po i kanosej. Këtë e kisha konstatuar prej kohësh". Si e kishit konstatuar? "Një ditë kur Perikli Teta sapo kishte marrë detyrën e Ministrit të Rendit (ishte dita e dytë e detyrës së tij) më telefonoi dhe më tha: Doja të bisedoja me Azemin, në lidhje me sigurimin e jetës së tij, gjatë udhëtimeve". Nuk e harroj zërin e tij, kur më shprehu dyshime në lidhje me ndonjë rrezik të mundshëm për jetën e Azemit. Kur erdhi Azemi unë i thashë fjalët e Perikliut që "nëse lëviz Azemi jashtë rretheve, i thuaj të më lajmëroj, që ta shoqërojmë dhe të mos bëjë lëvizje pa bërë njoftime". Si reagoi Azemi pas këtij komunikimi? "Azemi mu përgjigj: I thuaj Perikliut se nuk e di nëse do të më ruajnë, apo do të më vrasin ata policët e tu". Faktikisht Azemi nuk kishte besim absolutisht te këta njerëz. Unë jam e bindur se të gjithë ishin të informuar që po përgatitej vrasja e Azemit, pavarësisht që nuk arritën ta ruanin sepse vrasja e tij ishte politike dhe u përgatit nga vetë shteti. Sipas të vërtetës, vrasja e tij ishte një bashkëpunim serbo-greko-shqiptar. Atij iu bënë 4 atentate rresht, pasi nisën ngjarjet e Kosovës, pikërisht kur Azemi nisi të demaskojë ashpër shitjen e Shqipërisë dhe Kosovës. Po të dëgjojmë sot denoncimet e Azemit, pas masakrave serbe do të bindemi lehtë për autorët, nxitësit dhe mbuluesit e atentatit". Ç'farë ju ka thënë Azemi, pas atentateve të para që iu bënë? "Nuk e harroj kurrë, ditën kur u kthye nga atentati i 3 qershorit në Tropojë. Sapo më pa në korridor i hapi krahët dhe më tha: Fatmira, shpëtova edhe një herë, por kjo histori ka për t'u përsëritur dhe ata do të synojnë përsëri të më vrasin". Faktikisht Azemi ishte i përgatitur për rreziqet e atentateve dhe dinte se ato do të ripërsëriteshin. Ai kishte një ndjeshmëri të lartë për gjërat që përgatiteshin, por kërkonte të më ruante mua nga rrëziqet dhe kohët e fundit nuk më merrte në makinën e tij". Ç'farë ju thoshte? Faktikisht, unë atë periudhë isha në muajin e tetë të shtatëzanisë dhe Azemi nuk më tregonte çdo gjë, në mënyrë që të mos më shkaktonte tronditje. Më parë më kish folur për rreziqet që i ndjente, por ato ditë, përkundrazi, Azemi pregatitej të festonim lindjen e djalit. Shpeshëherë më thoshte, se "nëse do të lindë djali në ditën e çlirimit, unë do t'i vë emrin "Çlirim". Për këtë eveniment, shtonte se "atë ditë do të bëj një darkë me përmasat e atmosferës së një dasme". Ju thatë pak më parë se Azemi nuk ju merrte më në makinën e tij...? "Po. Më parë Azemi më çonte në punë me makinën e tij, por ditët e fundit, ai nuk më merrte në makinë dhe më pas m'a dërgonte atë që të mos ishim bashkë në rastet e ndonjë rreziku. Nga kjo unë kuptoja se diçka po përgatitej dhe për këtë, ai kishte marrë informacion të saktë. Gjithkund, ku ai e mendonte se mund të kishte rrezik nuk pranonte të më merrte mua". Si po i përcillni seancat gjyqësore për vrasjen e tij? "Me indiferentizëm. Nuk më intereson më se çfarë përgatitet dhe montohet prapa skenarit real. Tani perdja ka rënë dhe unë humba njeriun më të shtrenjtë të jetës. Ata njerëz që kishin marrë detyrën e vrasjes së Azemit e kryen këtë punë të zezë në mes të kryeqytetit dhe tani po ndiqen procedurat e fshehjes së krimit, duke nxjerrë lloj-lloj argumentash. Ato mund t'i besoj kushdo, por unë as që i dëgjoj më se ç'thonë. E vërteta dihet nga të gjithë dhe janë të pakët ata që gënjehen nga ky gjyq". A mendoni se Berisha dhe Minarolli, duhet të paraqiten për të dëshmuar, ashtu siç po kërkohet sot nga gjykata? "Ata kanë të drejtën e tyre për të denoncuar për aq sa dinë apo sa kanë dëgjuar, apo kanë parë atë natë, por e dinë vetë nëse duhet të paraqiten ose jo. Unë nuk mund të them se çfarë është më mirë të bëhet në këtë rast". Ç'farë u thoni fëmijëve tuaj për zhvillimin e seancës gjyqësore dhe qëndrimin që duhet të mbajnë ndaj këtij gjyqi? "Absolutisht asgjë. Në rradhë të parë, fëmijët nuk janë shumë të intresuar për këtë proces fals. Ndërsa unë nga ana ime përpiqem që ata të mos edukohen me ndjenjën e hakmarrjes. Besoj se ja kam arritur qëllimit që të rris fëmijë të sjellshëm e paqësorë, larg termave që nxisin vëllavrasjen dhe terrorin. Familja Hajdari nuk do t'i përgjigjet kriminelëve asnjëherë me monedhën e hakmarrjes dhe vrasjes. Dhe kjo nuk përbën dobësi, por është shenjë fisnikërie. Fëmijët e mi do të përpiqem t'i edukoj gjatë gjithë jetës si shembull të paqes dhe mirëkuptimit". "A ju ndodh ndonjëherë që zgjoheni natën dhe të qani nga ajo që ju ka ndodhur? "Në fillim më ndodhte shpesh, sepse kur zgjohesha nuk mund ta besoja se Azemi do të më mungonte për gjatë gjithë jetës. Kjo zgjati disa vjet rrjesht. Edhe tani më ndodh, por ngushëllohem me rrugën e mbarë që kanë marrë fëmijët". Kur keni qenë për herë të fundit në zyrën e Azemit "Më 24 qershor. Që andej prita rezultatet e votimit. Qysh nga vdekja e Azemit, çelësat e zyrës së tij të punës i mbaj unë dhe atje është gjithshka ashtu siç e ka lënë ai". Ç'farë përjetoni kur shkoni në varreza për të vënë lule, mbi varrin e Azemit "Në varreza shkoj çdo të diel. Shpesh herë jam e shoqëruar me njerëzit e afërm të mi, por më tepër më pëlqen të shkoj vetëm. Në këtë rast i them shoferit të qëndroj disi larg me makinën e tij dhe vetë ulem mbi varrin e Azemit dhe bisedoj me të, për të gjitha temat që lamë përgjysëm tre vjet më parë".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Tipologji e re e turizmit në Shqipëri', eksperti: Vijnë shumë të rinj! Jo për plazhe por për ture, Gjirokastra nga më të preferuarit