Presidenti francez Emmanuel Macron ndodhet në një vizitë zyrtare në Japoni, ku përveç diskutimeve mbi çështje të rëndësishme ndërkombëtare, vëmendjen e mediave e tërhoqi edhe një moment qesharak.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren japoneze Sanae Takaichi, Macron së bashku me këtë të fundit bënë gjestin e famshëm “Kamehameha!” nga seriali i njohur vizatimor Dragon Ball

Siç shkruan Le Parisien, në deklaratat e tij, Macron u ndal te zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke theksuar ndikimin që konflikti ka në ekonominë globale, veçanërisht në sektorin e energjisë.

Ai vuri në dukje rëndësinë e “parashikueshmërisë” së Evropës në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke bërë një kritikë të tërthortë ndaj politikave të SHBA-ve, të cilat sipas tij kanë krijuar pasiguri për aleatët.

Një ndër shqetësimet kryesore mbetet situata në ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike për transportin e naftës. Japonia, e cila siguron rreth 95% të importeve të saj të naftës nga kjo zonë, është ndër vendet më të prekura nga tensionet.

Macron dhe Takaichi theksuan nevojën për uljen e tensioneve dhe rikthimin e stabilitetit, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe garantimit të sigurisë së lundrimit.

Të dy liderët u shprehën në favor të armëpushimit dhe dialogut si rrugë për zgjidhjen e krizave aktuale. Vizita e Macron-it në Japoni u shoqërua edhe me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të bashkëpunimit, përfshirë aksesin në minerale kritike dhe forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje.

Gjithashtu, u prezantuan projekte inovative të përbashkëta, si teknologji e re e kriptimit me ADN dhe iniciativa për menaxhimin e mbetjeve në hapësirë.

Momenti i lojës “Kamehameha!”, megjithëse simbolik, u interpretua si një përpjekje për të afruar më shumë kulturat dhe për të dhënë një mesazh miqësor në një kohë tensionesh globale.