Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim virtual me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron ku kanë biseduar për situatën e krijuar pas ngritjes së aktakuzave të ngritura nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për disa nga figurave qendrore të UÇK-së si dhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit Hoti, thuhet se Macron ka vlerësuar reagimin institucional dhe të qytetarëve të Kosovës pas arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, në njoftim thuhet se:
“Kryeministri Hoti dhe Presidenti Macron, ranë dakord që ditëve në vijim, si pjesë e mekanizmave për verifikim, të zhvillohen takime në nivel të ekspertëve që do të pasoheshin me takimin në nivel politik midis ministrave të brendshëm të të dyja vendeve”.
Hoti dhe Macron biseduan edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohe reciproke, në kufijtë aktualë. Ndërkohë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës Hotit për të vizituar Kosovën.