Macron: Marrëdhëniet gjermano-franceze 'zemra e Evropës'

Macron: Marrëdhëniet gjermano-franceze 'zemra e Evropës'

Presindeti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja

Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbërritur në Berlin me bashkëshorten e tij Brigitte për një vizitë shtetërore treditore. Presidenti Macron dhe Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, theksuan në fillim të takimit të tyre rëndësinë e marrëdhënieve midis Francës dhe Gjermanisë për Evropën.

"Marrëdhëniet gjermano-franceze janë qendrore për Evropën, ato janë të nevojshme që Evropa të ecë përpara”, tha Macroni të dielën pasdite gjatë një debati me Steinmeier në Festën e Demokracisë, që shënon 75-vjetorin e Kushtetutës gjermane në Berlin. 

Macroni është i vetmi i huaj i ftuan në Festën e Demokracisë në Berlin. Sipas Zyrës së Presidentit Federal, qëllimi ishte të theksohej e veçanta e marrëdhënieve midis Gjermanisë dhe Francës.   

"Kur Gjermania dhe Franca janë dakord, shumë gjëra ende mund të arrihen në Evropë”, tha Steinmeieri. Presidenti i Gjermanisë theksoi se festimi i 75-vjetorit të Ligjit Bazë së bashku me Macron është gjithashtu "provë e thellësisë së miqësisë gjermano-franceze". "Ne duam ta bëjmë këtë vizitë një festë të vërtetë”, tha Presidenti Federal.

Në mesditë, kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi aleancën e ngushtë me Presidentin francez në disa projekte kyçe të BE. Në dialogun me qytetarët në Festën e Demokracisë, Scholzi tha se kishte krijuar një "aleancë" me Macron-in për të nisur një bashkim funksional të tregjeve të kapitalit në BE. Objektivi kryesor është të sigurohet që paratë e kursyera në Evropë të investohen më shpejt dhe më shumë në vendet e BE.     

Macroni paralajmëron për rrezikun nga forcimi i nacionalistëve

Macroni paralajmëroi në Berlin për rrezikun që paraqet forcimi i nacionalistëve në Evropë. "Po të kishin qenë ata në pushtet, ne nuk do të kishim vaksina (...) dhe do të kishim braktisur Ukrainën për të mbështetur Rusinë," tha ai, duke iu referuar pandemisë së koronavirusit dhe fillimit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022.

Ka një "magjepsje me autoritarizmin", paralajmëroi Macroni. "Jetojmë në një moment ekzistencial në Evropë," shtoi ai. "Unë sinqerisht besoj se Evropa mund të vdesë," theksoi Macroni.

Macron i quajti marrëdhëniet gjermano-franceze qendrore dhe 'zemrën e Evropës'. Ai kundërshtoi përshtypjen se motori gjermano-francez i Evropës ka ngecje. "Kjo nuk është e vërtetë. Ne po avancojmë," tha presidenti, sipas përkthimit zyrtar.  

Në një sesion pyetje-përgjigje në mediat sociale me të rinjtë këtë muaj, Macroni i kërkoi Scholz-it ndihmë, kur u pyet nëse "çifti" franko-gjerman ende funksiononte. "Përshëndetje të dashur miq, rroftë miqësia franko-gjermane!" tha Scholzi në frëngjisht në një video të Macronit në platforën X. "Faleminderit Olaf! Jam shumë dakord me ty," u përgjigj Macroni në gjermanishte të qartë. 

Në mbrëmje, Steinmeieri do të organizojë një banket shtetëror për Macronin në Pallatin Bellevue, ku do të marrë pjesë edhe kancelari Olaf Scholz. Steinmeier do të presë presidentin francez me nderime ushtarake. Të dy krerët e shteteve do të shpallin gjithashtu në mënyrë simbolike fillimin e verës sportive gjermano-franceze, e karakterizuar nga Kampionati Evropian i Futbollit dhe Lojërat Olimpike.

Vizita e parë e Macronit në Lindje të Gjermanisë

Macroni mbërriti në Gjermani në orët e para të pasdites, për vizitën e tij shtetërore treditore, e cila do ta çojë edhe në Dresden. Kjo do të jetë vizita e parë e Macronit në landin e Saksonisë, një nga pesë lindore gjermane, veç Berlinit. Të hënën, Macroni do të mbajë një fjalim para të rinjve përpara Frauenkirche në Dresden dhe të martën ai do të marrë Çmimin Ndërkombëtar të Paqes Vestfalike në Münster, përpara se të takohet me kancelarin Olaf Scholz (SPD) dhe me ministra të të dy qeverive në Pallatin Meseberg, pranë Berlinit. Kjo është vizita e parë zyrtare shtetërore e një presidenti francez në Gjermani pas 24 vjetësh dhe vetëm e gjashta në histori.

Në maj të vitit të kaluar, Macron e shtyu vizitën shtetërore për shkak të trazirave në Francë. /DW

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ina: 27/05/2024 12:46

    ajo dihet qe ka vajtur ne gjermani per te ndare postet ,ke do vendosin krye te FMN,krye te BE,Krye te gjith posteve qe do duhen me zgjedhjet e reja po nuk arriten marveshje,do duket nga entuziazmi pas takimit dhe komenete per te kamufluar realitetin e takimit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë